Dokumentari për Azil Kërkuesit Fiton në DokuFest

Dokumentari eseistik  mbi azil kërkuesit në Qipro me personazhet sikurse një të larguari nga Iraku që i mohohet azili brenda 15 minutash,  fundamentalistët neo-nazist që enden rrugëve, aktivistët që organizojnë një protestë antifashiste dhe 195 imigrantë që mbyten në Detin Mesdhe, ka fituar çmimin kryesor në edicionin e XIII të “DokuFest”-it, ceremonia mbyllëse  e të cilit përfundoi të dielën në mbrëmje. 

Juria e garës kryesore në festivalin që nisi me 16 gusht  “Balkan Dox” në përbërje të Alexander Weiss, Ivana Todoroviq dhe Charlote Cook, ka vendosur t’ia jap këtë çmim dokumentarit “Evaporating Borders” me regji të Iva Radivojeviq nga Qipro. 

“Për pyetjet universale që i ngrit lidhur me një  temë  shumë  komplekse, të  shoqëruar me fotografi shumë  të  bukur dhe me një  mjeshtëri regjisoriale madhështore ne i japim çmimin dokumentarit Evaporating Borders”, thuhet në arsyetimin e jurisë për dokumentarin fitues. 

E regjisorja Radivojeviq vetëm falënderoj jurinë kur doli të marrë trofeun prej guri të kalldrëmit, por për Gazetën Jeta në Kosovë, tha se dokumentari i saj është një shpërfaqje e një krize të azilkërkuesve në Qipro por që histori të njëjta ka gjithmonë në botë. 

“Dhe bota duhet të ndryshoj politikat ndaj azilkërkuesve. Shpresoj se ky dokumentar të ndikoj së paku që këto politika të ndryshojnë në të mirë për njerëzit nga Ballkani”, tha Radivojeviq. 

“Evaporating Borders” sipas saj heton efektet e imigrimit në shkallë të gjerë në kuptimin e identitetit kombëtar në një nga portet më të lehta për të hyrë në Kështjellën e Evropës. 

Juria e dokumentarëve ballkanik ndau edhe një mirënjohje speciale për filmin “1973” pasi sipas tyre, “ky film e merr një  njeri nga jashtë dhe e sjell brenda – me dhembshuri, respekt dhe intrigë  përmes pamjeve magjike e të  krijuara me bukuri, dhe një  marrëdhënie të  mrekullueshme me muzikën”.

Ndërsa “për portretizimin intim, të  bukur e objektiv të  një  familje, dhe udhëtimit të  dashur në  të  cilin regjisorja e merr shikuesin e vet”, juria i ka ndarë çmimin “Best Balkan Newcomer” regjisores Teodora Ana Mihai për filmin e saj, “Waiting for August”. 

Çmimi i dytë kryesor në DokuFest është ai për filmin më të mirë në garën kombëtare. 

Filmi me regji të Bekim Gurit “Heshtje” që e dërgon shikuesin në Kosovën e vitit 1999, në kohën e dëbimit të civilëve gjatë luftës, ku një baba duhet të zgjedh në mes të jetës dhe vdekjes së vajzës së tij, në mënyrë që ta mbrojë atë nga tmerri.

“Ky është çmimi i 7 për filmin ‘Heshtje’ dhe është shumë me rëndësi që e marrë edhe në DokuFest pasi është në vendin tim. Dhe ky trofe, pra një gur është i rëndësishëm sepse guri peshon në vend të vet”, tha Guri, i cili e ka marrë këtë çmim nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Rama që së bashku me kryeministrin ne largim Hashim Thaçi kanë qenë të pranishëm në mbylljen e festivalit, ka bërë gjithashtu edhe një thirrje për qeverinë e Kosovës dhe kryetarin e Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, që  mos ta lejojnë privatizimin e kinemasë Lumbardhi. 

“Parkingje mund të bëhen kudo por kinema jo dhe as Dokufest jo”, tha kryeministri shqiptar Rama, duke nxitur duartrokitje të shumta. 

Pikërisht kundër këtij privatizimi të kino Lumbardhit kishte nisur edhe DokuFest këtë vit, kur në ceremoninë e hapjes së festivalit, drejtori artistik Veton Nurkollari së bashku me vullnetarët kishin protestuar kundër privatizimit të kinemasë. 

Në DokuFest, sivjet edhe një film kosovar ka marrë çmim. Filmi i Lulzim Guhellit “Përqafimi” ka marrë çmimin e publikut. 

Në kategorinë “Green Dox” juria i ka ndarë çmimin dokumentarit “Metamorphosen” me regji të Sebastian Mez për siç thuhet në vlerësimin e jurisë, dokumentimin vizual të një prej vendeve më të ndotura në planet, një  zonë katastrofike radioaktive në Fukushima. 

Një çmim special i është dhënë dokumentarit “My name is Salt” për shpërfaqjen e një tregimi të fuqishëm për një traditë të lashtë të njerëzve që punojnë tokën. 

Në kategorinë e dokumentarëve për të drejtat e njeriut çmimin kryesorë e ka marrë “Jugment in Hungary” me regji të Eszter Hajdiu që rrëfen për vrasjen e romëve në Hungari nga një grup neo-nazist në këtë vend. Mirënjohja speciale i ka takuar dokumentarit “Missing Picture” të Rithy Panh. 

Në kategorinë e garës ndërkombëtare të dokumentarëve janë ndarë dy çmime. 

Dokumentari më i mirë ndërkombëtarë i metrazhit të shkurtër është zgjedhur “Emergency Calls” nga Hannes Vartiainen dhe Pekka Veikkolainen, ndërsa mirënjohja speciale i ka takuar filmi “La Reina” i Manuel Abrmovich. 

Çmimi për dokumentarin më të mirë ndërkombëtar me metrazh të gjatë e kanë fituar regjisorët Elwira Niewiera dhe Piotr Rosolowski për filmin e tyre “Domino Effect” që shpërfaqë dashurinë romantike në  mes të  dy individëve që  hedh dritë  në  marrëdhënien komplekse në  mes të  dy kombeve. 

Ndërsa filmi më i mirë ndërkombëtar i metrazhit të shkurtër është zgjedhur “Subtotal” me regji të Gunhild Enger. 

E çuditshme në ceremoninë e mbylljes së DokuFest ka qenë fakti se moderatori i mbrëmjes, Dardan Selimaj, ka qenë gjithashtu pjesë e garës kryesore në Festival “Balkan Dox” me dokumentarin për artistin kosovar Petrit Halilaj. 

Sikurse vjet, edhe këtë herë përkthyesi ka qenë katastrofal saqë organizatorët e kanë hequr nga skena gati ka fundi i ceremonisë. 

Sivjet në DokuFest, motoja e të cilit ka qenë “Ndrysho – Mos u Mshef” janë shfaqur gjithsejt 237 filma nga vende të ndryshme të botës.