DokuFest Nis me Rebelim

Një grup i madh vullnetarësh kanë pritur më shumë se gjysmë ore në skenën e kino Bahçe derisa atyre iu është bashkangjitur drejtori artistik i DokuFest Veton Nurkollari, i cili së bashku me ta ka bërë hapjen rebeluese të edicionit të XIII të Festivalit të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër në Prizren. 

“Ky vend ku jemi mbledhur në skenë është vendi që nuk vdes. Këtu kanë lindur e janë rritur kujtime të bukura që na lidhin përjetësisht me Prizrenin”, ka qenë fjalia e parë që ka thënë Nurkollari teksa secilën fjalë vullnetarët e kanë përsëritur pas tij. 

“Kino Lumbardhi, kinemanë e parë të Prizrenit po dojnë me na marr. Keni dëgjuar? Keni lexuar? Është e vërtetë. Ne nuk e kemi ndërmend ta japim”, tha Nurkollari duke iu referuar vendimit të muajit qershor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila ka filluar procesin e shitjes së Kinemasë “Lumbardhi” që më herët është quajtur edhe “Bistrica”. 

Në fakt e gjithë  historia e nisjes së festivalit “DokuFest” ka bazën në mbrojtjen e kësaj hapësire nga shkatërrimi. Në vitin 2002 autoritetet shtetërore donin ta bënin parking atë që më vonë u shndërrua në hapësirën tradicionale të hapjes dhe mbylljes së festivalit që sivjet shënon edicionin e XIII. 

Nurkollari i ndjekur nga zërat e shumtë të vullnetarëve që përsërisnin çdo fjalë të tij, i ka premtuar audiencës së festivalit se “DokuFest” do të vazhdoj të mbroj këtë kinema që sot quhet “Kino Bahçe”.

“Kemi me ndryshu, prandaj këtë edicion të DokuFest-it po e shpallim të hapur me një film që tregon se sa të fuqishëm jemi kur bëhemi një”, tha Nurkollari duke iu referuar filmit hapës të festivalit “Everyday Rebelleion” që sjell rrëfimin e formave moderne, kreative, paqësore dhe civile të mosbindjes së qytetarëve nëpër vende të ndryshme të botës.

Dokumentari me regji të vëllezërve iranianë Arash T. Riahi dhe Arman T. Riahi, është njëri nga 237 filmat nga 56 vende të botës që do të shfaqen në 6 programe garuese dhe atyre speciale që do të shpërfaqin ndryshimin e përditshëm në shoqëritë e botës dhe mosbindjen duke dalë në sipërfaqe. 

“Ndrysho! Mos u mshef”, që është motoja e sivjetme e festivalit ka qenë edhe fjalia e fundit në ceremoninë e hapjes së Dokufest.