Kusuri i Pashlyeshëm i Agim Qenës

Ishte një ditë para se të vdiste, por si vdekjes që nuk i dihet kurrë, Agim Qena do të bënte atë që kishte bërë gjatë tërë jetës: karikaturën. 

19 korrik 2005 është data e karikaturës së fundit që bëri Agim Qena. Një ditë më vonë, kosovarët që për më shumë se tri dekada ishin mësuar të gdhinin ditët me personazhin plot humor e sarkazëm, Tafë Kusurin, do të merrnin lajmin për vdekjen e atij që në kohën kur realiteti ishte i egër me secilin ai ua bënte më të lehtë. 

“Ka qenë shtrirë kur e ka bërë këtë karikaturë”, thotë Perihane Qena, bashkëshortja e karikaturistit. 

Në karikaturën e bërë një ditë para vdekjes, Tafë Kusuri i Qenës shtron një pyetje mbi lëvizjen atëherë të aktivistëve që kundërshtonte negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit- Vetëvendosjen e sotme

“Prit, të shohim ku po e qesin presën!..” pyesin dy policët personazhe të kësaj karikature teksa vëzhgojnë aktivistët e partisë që disa vite më vonë u bë politike që shkruajnë ‘Negociata Jo Vetëvendosje”. 

Ajo çfarë e bën më të veçantë trashëgiminë e Agim Qenës është aktualiteti i tyre që vazhdon në periudha të ndryshme kohore. 

Sot, 9 vjet pas kësaj karikature, “Vetëvendosja” ende nuk e ka vendosur presjen. Thënë më mirë, e ka vendosur për një kohë, por është në hamendje për ta hequr e vendosur në një pjesë tjetër të fjalisë.

Teksa është futur në lojën e koalicionit të bllokut opozitar, partia e drejtuar nga Albin Kurti po tenton të marrë drejtimin e procesit të negociatave me Serbinë dhe privatizimin e ndërmarrjeve publike, dy procese të cilat i kanë kundërshtuar gjithmonë. 

Kjo karikaturë e bërë për radiotelevizionin publik për të cilin ka punuar pas vitit 2000 që transmetoheshin çdo mëngjes, i flet ende realitetit të tanishëm politik e social. Në fakt shumica e karikaturave të bëra qysh prej viteve të hershme ’80 shpërfaqin problemet e njëjta me të sotmet. 

Në 9 vjetorin e vdekjes së tij, Gazeta Jeta në Kosovë shkoi në arkivin personal të karikaturistit. 

“Këto janë vetëm një pjesë e karikaturave që ka bërë babai dhe janë origjinalet dhe disa të tjera të prera nga gazetat”, thotë Hana Qena, e bija e karikaturistit. 

Të tjera karikatura të Qenës (1950) janë në Rilindje, atje ku ka punuar qysh prej vitit 1974, ndërsa një pjesë në të përditshmen “Koha Ditore” me të cilën ka bashkëpunuar prej vitit 1997. Ani pse Agim Qena ka vdekur në vitin 2005, karikatura e tij nuk ishte ndalur, pasi atë e kishte vazhduar i biri, piktori Rron Qena deri në vitin 2012. 

Origjinalet e karikaturave të Qenës janë mbresëlënëse. Në disa prej tyre e vëren procesin e krijimit të stories në karikaturë, teksa sheh ndërhyrjet e ndryshme, citatet e shkruara me laps e deri tek prishjet e vijave. 

Ka edhe origjinale të karikaturave të botuar në Rilindje, në vitin 1983. Për shembull në një karikaturë të 3 korrikut të atij viti Tafë Kusuri ka probleme me pushimet verore, ndërsa në një tjetër Tafa freskohet me këmbët në një legen, teka anash tij janë reklamat e shumë hoteleve me 3 e 5 yje.

Në një tjetër karikaturë të pasluftës, Tafë Kusuri përshkruan ministrat si persona të “shndërruar në punëtor krahu”, ndërsa në karikaturën e vitit 2000 ai e quan inflacion numrin e madh të partive politike në vend. 

Në karikaturat e tija Agim Qena është edhe vetëkritik. Në një karikaturë  të viteve ’90 Tafa e pyet dikë “nëse e lexon Tafë Kusurin?”. 

“Jo, s’di latinisht”, është përgjigjja e cila edhe shpërfaq fjalët e shumta që personazhi i Agim Qenës, Tafa përdorte në gjuhën latine. Ka edhe aso karikatura që e tregojnë jetën private të Agim Qenës si një njeri që i ka pëlqyer alkooli. 

Përpos Tafës të njohura janë edhe karakteret fiktive si Hava dhe Luli. 

Tafë Kusuri i Qenës ka qenë kritik edhe për vetë artistët. Në një karikaturë të vitit ’81, Tafa ka blerë një kalë për të luajtur në teatër duke shpërfaqur kështu krizën e Teatrit të atëhershëm Krahinor Popullor. Kriza teatrore është ende në atë që quhet Teatri Kombëtar i Kosovës që nuk ka një staf rezidencial të aktorëve. 

Në apartamentin e familjes së Agim Qenës ka shumë karikatura me të cilat, sipas së bijës së tij Hanës, planifikohet të bëhet një libër. Ajo nuk e zë për të madhe që shteti i Kosovës nuk e përkujton karikaturistin. Madje thotë se dyshon nëse babai i saj do të pranonte çfarëdo privilegji. 

“Duke e njohur natyrën e babait ai nuk ka qenë kurrë një kërkues ndaj shtetit”, thotë Hana, e cila drejton Festivalin Ndërkombëtar të Studentëve për Film dhe Teatër “Skena Up”.