Kuratori Tejkalon Artistin

Kur javën që shkoi artistja që ndan të jetuarit mes Prishtinës, Munihut dhe Vjenës, Flaka Haliti, fitoi çmimin në ekspozitën “Çmimi Muslim Mulliqi” me veprën që paralajmëron rrezikun dhe vë në pikëpyetje misterin, pakkush e kishte kujtuar ndërhyrjen e artistes pikërisht në këtë ekspozitë në vitin 2007. 

Me videoperformancën e saj “Bolet! Bolet! Bolet!” që njihet edhe si ndërhyja e parë ilegale në një galeri tradicionale kosovare, Haliti kishte kundërshtuar stereotipin se artistet femra në Kosovë nuk kanë “bole” duke vënë në mure, testikuj kafshësh gjatë ndarjes së çmimit në atë ekspozitë. 

Atëherë ajo kishte paralajmëruar rrezikun e shovinizmit në art. 

Shtatë vjet më vonë në të njëjtën ekspozitë ajo ka paralajmëruar rrezikun nga diçka misterioze nëpërmjet serisë së pesë vizatimeve të titulluara “Hoods Required Beyond This Point” që u referohet tabelave paralajmëruese për zonat e rrezikshme. 

Seria e vizatimeve që ka ardhur pas qëndrimit njëmujor në një rezidencë artistike në Alpet e Zvicrës përfshin një karakter imagjinar i cili tenton të përshtatet me misterin në një hapësirë të vetmuar, por që bën ftesë për të tjerët t’i bashkohen eksplorimit të misterit dhe rrezikut. 

Puna e Halitit që në fakt ishte inspiruar edhe nga malet e mbushura me mina në vendlindjen e saj që shpërfaqin zonat e rrezikut dhe misterit se ku saktësisht mund të shkelësh, është krijuar në vitin 2013. 

Por vepra e saj e ka gjetur vetën në një koncept artistik krejt tjetër të ekspozitës nga ajo që ishte krijuar vepra. 

Kësisoj puna e Halitit shpërfaq riprodhimin e një vepreje artistike në kontekste të ndryshme hapësinore dhe kohore. 

“E kam krijuar këtë punim më herët por ai flen shumë mirë edhe në konceptin e ekspozitës në Galerinë e Arteve dhe këtu roli i kuratorit është i rëndësishëm sepse ai e ka autoritetin ta vendos veprën në atë pozicion dhe koncept që kurrë nuk ka qenë dhe në këtë rast i njëjti punim merr dimension tjetër”, thotë Haliti. 

Sipas saj, koncepti kuratorial mund t’i japë tjetër konotacion një vepreje që është krijuar në rrethana që nuk kanë fare lidhje me atë që vendoset ndër vite dhe në hapësira të ndryshme. E në këtë mënyrë, artisti mund të mbijetojë edhe me një vepër të vetme, koncepti i së cilës mund të ndërrojë në periudha të ndryshme. 

“Një vepër mund të mbijetojë në çdo kohë dhe diskurs. Një punim mund të jetojë përgjithmonë edhe përgjithmonë me qenë sikur është bërë enkas për një koncept të caktuar”, thotë Haliti, e cila këtë vit fito çmimin “Henkel” që i jep asaj hapësirën për ekspozitë në Muzeun e Artit Modern “MUMOK”. 

Për Halitin, procesi i krijimit të një vepreje që mund t’u hyjë në punë koncepteve të ndryshme, fillon me artikulimin që ajo i bën veprës duke i dhënë sens nëpërmjet një kërkimi mbi atë artikulim. 

Në momentin kur vepra krijohet dhe vendoset në mur, ose në një hapësirë të caktuar, Haliti thotë se “jep dorëheqje” nga ajo vepër, sepse ajo i takon një kohe dhe hapësire të caktuar. 

“Varësisht prej vendit, lokacionit gjeografik, gjeopolitik apo çfarëdo tjetër, punimi fillon në atë moment kur ekspozohet dhe merr energji prej publikut. Ky është momenti kur pozicioni jem ndërrohet dhe punimi fillon të më artikulojë mua”, thotë Haliti. 

Kështu, veprat e Halitit  lënë gjithçka hapur. Edhe vizatimet e saj në të cilat karakteri i mbuluar me mbrojtës nga rreziku nuk dihet në cilën hapësirë është dhe cilës kohë i përket. Ajo e shpjegon veprën e saj me gropën magjike të përrallës “Liza në botën e çudirave” ku nëpërmjet saj kalon në një botë tjetër, krejtësisht misterioze. 

“Kështu që varet prej teje nëse dëshira jote rritet me hy brenda atij misteri, ose vendos thjesht ta imagjinosh atë botë tjetër”, thotë Haliti.