Përgjimi i Krizave

Nëse për shkrimtarin grek Andreas Flourakis kriza ekonomike në vendin e tij ka krijuar mundësi që ai ta njohë shoqërinë e vet nëpërmjet teatrit, ulëset e të cilit vitin që shkou po zbrazeshin, koleges së tij nga Ukraina, Neda Nezhdana-s, kriza politike pas revolucionit i ka dhënë mundësi që të hulumtojë mbi traumën psikike të shoqërisë së cilës i përket.

Poeti Tomislav Markoviq ia sheh hairin krizës nacionaliste në Serbi duke krijuar një satirë të hollë, ndërsa mjekja nga Tirana Lisiana Demiraj është bërë poete që shkruan për qetësues “xanax” që në fakt është veç në hallakatje, në dhembjen e krizës post-komuniste në Shqipëri.

Shkrimtari Adil Olluri vë në pikëpyetje bazike atdheun përballë nevojës për babanë, kthimi i të cilit është tepër i vonë, teksa antropologia Eli Krasniqi u kundërvihet rregullave tradicionale të shoqërisë kosovare mbi farën e fisit, ndërsa poeti i ri Arbër Selmani tregon krizën e po kësaj shoqërie që shet moral edhe mbi puthjen.

Një seri e tillë shembujsh mbi atë çfarë shoqëria i jep një shkrimtari dhe sesi letërsia e vuan më së shumti efektin e brendshëm dhe filozofik të krizave prej atyre të luftërave mes shteteve e deri te luftërat mes ideve, është sjellë në një pikturë të vetme në edicionin e 4-rt të Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë “Polip” që është mbajtur gjatë së premtes dhe fundjavës në Qendrën “Multimedia” në kryeqytet që së bashku organizatën nga Beogradi  “RK LINKS/Beton International” organizojnë ngjarjen e letërsisë.

Letërsia që nuk mund t’u rezistojë krizave

Tema e festivalit të sivjetmë “Polip” ka qenë “Përgjimi” dhe për qëllim ka pasur hulumtimin e këtij procesi tek shkrimtarët, saktësisht mënyrën se si ata komunikojnë mes vete nga skena të ndryshme të letërsisë nëpër botë të cilat prodhojnë kriza.

“Letërsia e ka të pamundshme që t’u ikë krizave, sado që ajo të thellohet në çfarëdo filozofie. Prej post traumave të rënies së Jugosllavisë e deri te Julian Assange që zbuloi të vërteta të hidhura që i ngjajnë një lufte”, thotë Neda Nezhdana, dramaturge ukrainase një nga afro 30 mysafirët e këtij edicioni të festivalit.

Krijimtaria e shumicës prej tyre ka sjellë për audiencën një shikim mbi pozicionin e një njeriu të letrave mbi krizat që janë të ndryshme. Disa prej këtyre krizave janë të aktualitetit global, por edhe të kthimit prapa si tentim për t’u përballur me të kaluarën. Kjo e fundit nxit edhe përballje mes gjeneratave të shkrimtarëve, poetëve, dramaturgëve e përkthyesve të letërsisë së kohës.

Leximet e filozofit dhe kritikut të artit Shkëlzen Maliqi në festival, këtë vit kanë sjellë një shikim mbrapa në kohën e ish-Jugosllavisë, kur komunizmi po shndërrohej në diçka që mbyste tjetrin mbi bazën e nacionalitetit.

Dramaturgia Borka Paviçeviq nga Beogradi ka jetuar të njëjtën kohë si Maliqi dhe ndikimi i saj nga kjo krizë është tejet i dukshëm.

“Ndonjëherë me vjen inat sesi si dramaturge jam ndier e manipuluar nga ajo çfarë ka ndodhur në vendin tim, e që ka ndodhur si pasojë e rregullave të instaluara nga pushteti”, thotë Paviçeviq.

Ballafaqimin me të krizën e së kaluarës e vëren edhe te poezitë e Visar Zhitit nga Tirana. Në poezitë e tij ndjehet internimi i Enver Hoxhës ndërsa te shkrimtari malazez Mirash Martinoviq, Mali i Zi del si një pikturë që vuan nga kriza e mungesës së një identiteti që mbetet peng i historisë.

“Përkundër tentimit që shkrimtarët të hynë më thellë asaj se çka përjetojnë në kohë krizash, po del të jetë e pamundshme kjo ikje nga aktualiteti. Letrarët janë përgjuesit më të mirë të realitetit, por shpeshherë mbeten peng të tij”, thotë Hana Limani, shkrimtarja kosovaro-serbe.

“Unë e kam vuajtur shumë këtë përgjim”, shton ajo.

Limani është njëra ndër shkrimtaret më të diskutuara në vitet ’90 në Serbi për shkak të martesës së saj me një serb dhe letërsisë së saj që kritikonte mendësinë e ndarjes nacionaliste.

“Të tejkalosh krizën? Misioni është i dështuar”

Një prej ngjarjeve kryesore të festivalit këtë vit ka qenë promovimi i librit të serbo-izraelitit Filip David “Ëndrra për dashurinë dhe vdekjen”. Ai është përkthyer nga poeti kosovar Smajl Smaka. I cilësuar si një prej shkrimtarëve të parë bashkëkohor në rajonin e Ballkanit, David thotë ta ketë kaluar dëshpërimin  e pafuqisë së letërsisë ndaj pushtetit, sidomos në Jugosllavi, qysh në vitet ’80.

“I shoh miqtë e mi me të cilët në vitet e 80-ta u munduam që të krijonim shoqatën e pavarur të shkrimtarëve për t’u kundërvu politikave të atëhershme që mbisundonin, por dështuam. Tash jemi këtu dhe flasim për atë tentim si histori, por në fakt ai dështim është ende duke na ndjekur”, thotë ai.

Pesimistë në suksesin e vëzhgimit të suksesshëm të letërsisë, sidomos në kohën e globalizmit që ka sjellë mbipushtet të teknologjisë ndaj librave të printuar, janë edhe shkrimtari i ri Vladimir Arsenijeviq dhe shkrimtarja çeke Zuzana Finger.

Megjithatë pesimizmi nuk është i dukshëm në krijimtarinë letrare që nuk është e lidhur me përkatësinë nacionaliste. Te poezia e cila merret me krizën mentale dhe të rregullave tradicionale të shoqërisë, vërehet më shumë egërsia.

Një shembull i mirë i kësaj, këtë vit në “Polip” është sjellë nga shqiptarja Lisian Demiraj apo Kim Komljanec nga Slovenia, e cila vë në pikëpyetje edhe feminizmin që aktualisht llogaritet si kundërvënie e traditës dhe intimes në shoqëritë patriarkale.

Gazetarja gjermane, Anja Quickert e cila ka specializuar për dramaturgji, ka bindjen se sfida e letërsisë mbetet gjetja e një mënyre sesi t’i qaset realitetit dhe mosmanipulimit nga krizat e krijuara për t’u hyrë në punë pushteteve të caktuara.

“Megjithatë, në një kohë kur të qenët poet është bërë paksa e zakonshme, si pasojë e asaj se gjithkush ka qasje në informata të thella dhe në një kohë kur të botosh libra që janë edhe të bazuara në realitet dhe fiksion nuk është më elitare, fuqia e letërsisë mund të zbehet”, thotë  Quickert.

“Ndoshta duhet të fillojmë që të mos ta mendojmë veten si të fuqishëm, vetëm pse kemi pikëpamje ndryshe, të themi më të thella”, shton ajo.

E për drejtuesin e festivalit “Polip”, Jeton Nezirajn, letërsia nuk është se e ka të pamundur të shkëputet nga realiteti dhe krizat e tij.

“E rëndësishme është që festivali po bën bashkë një seri të tillë të shkrimtarëve të cilët po e tregojnë një realitet i cili na takon të gjithëve”, tha Neziraj.