11 Netët e Chopin-it në Prishtinë

Ka të bëjë me pianon dhe njërin prej kompozitorëve krijimtaria e të cilit lidhet ngusht me kompozimet për piano, por festivali “Chopin Piano Fest” që mbahet në kryeqytet për të katërtin vit ka sjellë Chopin-in në Kosovë edhe nëpërmjet veprave të kompozitorëve tjerë të famshëm si Franz Schubert, V.A. Mozart, Franz Liszt, J.S. Basch, Beethoven e Giuseppe Verdi.

Për njëmbëdhjetë net radhazi, festivali që kishte nisur rrugëtimin në vitin 2010 ka sjellë në kryeqytet koncerte në të cilat janë bërë bashkë muzikantë të njohur vendorë dhe ata ndërkombëtarë.

Përderisa hapja e festivalit është bërë me performancën e jashtëzakonshme të muzikantit me prejardhje nga Austria, Stephan Möller, mbyllja e festivalit është bërë nga pianistja kosovare që jeton në Britani, Yllka Istrefi dhe ukrainasja Alina Kabanova. Koncertin e fundit e ka shoqëruar Filarmonia e Kosovës që ka luajtur nën urdhrat e dirigjentit René Gulikers.

Për dirigjentin Gulikers ishte hera e tretë që dirigjonte Filarmoninë e Kosovës. Tha se tash mund të vërejë edhe evoluimin e kësaj trupe muzikore. Këtë e bazon me kapacitetin që orkestra e Filarmonisë së Kosovës tregon edhe në koncertet ku kërkohet profesionalizëm i lartë në luajtjen e veprave.

“Çdokush mund ta luajë këtë koncert, por jo në këtë mënyrë”, tha Gulikers.

Këmbimi i përvojave mes muzikantëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë, është edhe njëri ndër qëllimet e festivalit.  Për organizatorët më e rëndësishme është që festivali të ofrojë cilësi të lartë artistike në koncertet e tij.

“Është një nga qëllimet tona që ne t’i prezantojmë dhe t’i plasojmë edhe artistët tanë jashtë kufijve, sepse kjo është ajo çka gjithsesi na mungon”, tha Lejla Haxhiu-Pula, drejtoresha artistike e festivalit.

E këtë, sipas saj, festivali e ka arritur në secilin koncert.

Në një prej tyre ishte ai i dy pianistëve të njohur Aris Feslikidis nga Greqia dhe Zoltan Füzesséry nga Hungaria, teksa në një koncert tjetër skena i bashkoi instrumentistët nga Shqipëria, Dhurata Lazin në piano, shoqëruar nga Zija Bejleri në saksofon, të cilët interpretuan një repertor të pasur dhe mjaft dinamik.

Japonezi Masataka Goto, shpalosi dhuntitë e tij të shkëlqyera në piano, natën e katërt të festivalit, duke magjepsur kështu publikun me disa nga veprat më të njohura të kohës. Nata e pestë filloi me një nga sonatat e Muzio Clementit, performuar nga treshja kosovare – ‘”Trio Celebre”, e përberë nga Lule Elezi në piano, Antonio Gashi në violonçel dhe Venera Kajtazi në flaut. Përpos kontributit artistik në festival, treshja ka shumë merita edhe  në përcjelljen e talentit te gjeneratat e reja nëpërmjet dhënies mësim edhe si profesorë në Akademinë e Muzikës.

Muzikaliteti, virtuoziteti elektrifikues dhe natyra poetike u transmetuan në publik natën e gjashtë nga pianistja bullgareze Nadejda Vlaeva, e cila cilësohet si “një nga njerëzit e jashtëzakonshëm që dëshirojmë t’i shohim shpesh, por që janë të rrallë”.

Nga Italia sopranoja Marta Vulipi, shoqëruar nga pianisti Aleksandër Gashi nga Shqipëria, natën e shtatë interpretuan vepra të vjetra të kompozitorëve të shekujve të kaluar.

“Trio Vivo”, grupi i përbërë prej dy nga organizatorët e këtij festivali, Lejla Haxhiu-Pula në piano dhe Besa Llugiqi – soprano, së bashku me flautisten Enkelejda Gorani, dhanë një performancë të shkëlqyeshme klasike në natën e tetë të festivalit.

Nata e nëntë i theu barrierat e diplomacisë politike, pasi që në skenë u prezantuan një duo e nxehtë pianistike, Faton Hasani nga Kosova dhe Maja Stojanoviq nga Serbia, të cilët “dialoguan” së bashku në dy piano. Veçanti e kësaj nate ishin edhe pianistët e rinj kosovarë, nxënës të shkollave të mesme të muzikës si dhe studentë nga Akademia e Arteve, te cilët performuan program të pasur e kryevepra pianistike.

“Festivali përkrah faktit që u jep hapësirë muzikantëve të rinj të vendit, sjell edhe muzikantë të shquar botërorë të cilët ndoshta nuk kishim pasë mundësi me i dëgju live nëpër koncertet e tyre nëpër botë”, tha Rina Bilurdagu, njëra nga pianistet e reja, studente për piano në Akademinë e Muzikës.

Ndërsa për kolegun e kosovares, pianistin hungarez István Lajkó, i cili performoi natën e parafundit dhe ishte ishte prezent edhe në performancat e pianistëve të rinj, talentët kosovarë kanë të ardhme në skenën ndërkombëtare të muzikës. E përvojën e tij në koncert e cilësoi si fantastike.

“Një mbrëmje fantastike për mua. Një publik zemërngrohtë dhe i vëmendshëm”, tha Lajkó.