“PriFest “– Glamur dhe Filma

Duket sikur performanca “Je Suis Glamour” (Unë Jam Glamuri) e grupit artistik “Haveit” në ceremoninë e mbylljes së “PriFest” vitin e kaluar ka lënë shenja tek organizatorët e festivalit.

Drejtoresha e festivalit Vjosa Berisha në letrën e saj në katalogun e edicionit të 6-të festivalit e ka përmendur faktin se si shumë njerëz e kanë pyetur atë se “përse organizon një ngjarje me tapet të kuq në Prishtinë” dhe “përse tërë ai glamur”.

Megjithatë, Berisha  që bashkë me bashkëshortin e saj Fatosin si drejtor artistik i festivalit dhe drejtues i “PriForum” dhe djalin e saj Lekën si koordinator i programit, janë drejtuesit kryesor të festivalit as këtë vit nuk ka hequr dorë nga glamuri dhe filmat e popullarizuar.

Por organizatorët këtë vit kanë dalë pak nga zona “VIP” dhe kanë krijuar edhe një kinema të hapur në Sheshin “Zahir Pajaziti”. Aty do të shfaqen filma për fëmijë dhe për të rritur.

Ama, ngjarjet kryesore të Festivalit do të ndodhin përsëri në hapësirat tradicionale të festivalit, në Teatrin Kombëtar që shndërrohet në zonë glamuri, salla luksoze dhe klube nate.

Gjithçka do të nisë me regjisorin fitues të çmimeve “Bafta” dhe “Ariu i Artë” Stephen Frears që do udhëtojë drejt kryeqytetit ku do të qëndrojë dy ditët e para të festivalit. Filmi i tij i fundit “Philomenia” që u nominua për katër çmime “Oscar” do të shfaqet në natën e hapjes së festivalit.

Regjisori Frears  i njohur edhe për filmat e tij “The Queen”, “High Fidelity” dhe “Dangerous Liasions” do të jetë edhe ylli i edicionit të sivjetmë të festivalit që sipas organizatorëve sjell edhe pesë filma premierë botërore dhe pesë premiera ndërkombëtare, por pa përmendur se cilët janë ata filma.

Në programin garues të filmave evropianë do të shfaqen 10 filma të cilët do t’i vlerësojnë producenti Kess Kassander, regjisori kroat Cedomir Kolar dhe kolegu i tij nga Bosnia Velibor Topiq. Po kaq filma janë edhe në programin e filmave të metrazhit të mesëm, ndërsa dy filma më pak do të shfaqen në programin e filmave ballkanik-“Honey and Blood Cinema”.

Festivali i cili vitin e kaluar u përball edhe me akuzën se ka shkelur të drejtat e autorit kur skulptori Luan Mulliqi akuzoi organizatorët se statujën e çmimeve po e përdorin pa paguar, edhe sivjet do të vazhdojë të ndajë të njëjtat statuja që portretizojnë “Hyjneshën në Fron”.

Fiks shtatë filma do të shfaqen në kuadër të “Projeksionit Special”. I njëjtë është numri i dokumentarëve që do të jepen në “PrifFest. Me pesë filma festivali sivjet ka krijuar një tjetër program special që fokusohet në kinematografinë indiane.

Sikurse vitin e kaluar, programi i filmave që i dedikohet komunitetit LGBT i titulluar “Let it Be” sivjet sjell projeksione të zgjedhura nga festivali “OutFest” nga Los Angeles. Në kuadër të këtij programi do të shfaqet edhe filmi “Dallas Buyers Club” që këtë vit fitoi tre çmime “Oscar”.

Festivali do të mbyllet me shfaqjen e filmit më të komentuar së fundmi, atij “Nyphomaniac” të regjisorit Lars von Trier.

Drejtoresha e “PriFest-it” Vjosa Berisha tha se sivjet festivali do të mbulohet edhe nga gazetarë që raportojnë në Hollywood. Ndërsa organizimin e këtij edicioni e ka quajtur “vepër shtatëmujore”. Ajo ka treguar sesi ky festival qysh në edicionin e parë ishte planifikuar të organizohej në prill, por  aktorja  Vanessa Redgrave kishte qenë arsyeja përse festivali ishte shtyrë në shtator.

“Në atë kohë, ikona e festivalit Vanessa Redgrave përjetoi një fatkeqësi pasi i vdiq vajza në muajin mars dhe e shtymë për shtator. Pesë vjet na janë dashur të kthehemi në prill”, tha Berisha.

Por aktorja e njohur duket sikur po ia kthen “borxhin” festivalit. Në kuadër të “PriForum” që sivjet drejtohet nga Fatos Berisha, do të ndahet çmimi “Vanessa Redgrave Award”. Me kosto prej 1 mijë eurove që sipas Berishës janë donacion i aktores Redgrave, çmimi do t’i jepet projektit më të mirë në “pitching”  procesin e forumit.