Jazz-i Turk si Çlirues nga Serialet

Kur në vitin 2005 ylli i muzikës folklorike në Turqi, Ibrahim Tatlises kishte mbajtur koncert në Prishtinë, afro 30 mijë veta kishin blerë bileta për ta parë. Atëherë, Tatlises, Emrah e Sibel Can ende mbanin primatin e yjeve të muzikës  “vajtuese” e “argëtuese” dhe filmave  “tragjikë” në Kosovë. Fama e tyre kishte marrë dhenë qysh në vitet 90-ta.

Në dekadën e ardhshme, pak gjëra kanë ndryshuar.

Televizionet kosovare ka vite që çdo natë transmetojnë serialet turke në të cilat pos personazheve nuk ka ndryshuar asgjë. Historitë e tyre janë të gjitha tragjike dhe vuajtja nga këto tragjedi ende përcillet me muzikë që ta “këputë shpirtin”.

Madje, muzika e “dhimbshme” tradicionale e serialeve turke që i transmetohet publikut kosovar nuk është sinonimi më i mirë i artit të një shteti, bizneset e të cilit kanë lulëzuar ekonomikisht në Kosovë.

“Arti dhe në mënyrë specifike muzika turke, në fakt është e lidhur sa me jazz-muzikën aq edhe me Ibrahim Tatiles-in”, thotë Yildiz Ibrahimova, e njohur në Ballkan si njëra prej këngëtareve më të mira që përzien jazz-in me tingujt ballkanik. 

Ibrahimova, këtë fundjavë mbajti koncert në Prishtinë, në kuadër të edicionit të tretë të “Turkish Jazz Week” që zgjati vetëm tri net.

Ajo kishte qenë në Prishtinë, nja një vit pas Tatlises-it, por audienca e saj nuk kishte kaluar as numrin prej 500 vetave.

Pak më shumë ka pasur në koncertin e saj të dytë kur ka performuar bashkë me muzikantët dhe instrumentistët e Departamentit të Jazz-it në Universitetin “Haccettepe” në Ankara, njërit prej më të vjetërve në Turqi.

Për të, ngjarja e jazz-muzikës turke në Kosovë është një intervenim i nevojshëm i imazhit artistik të Turqisë në Kosovë.  Kështu e shohin edhe instrumentistë kosovarë që kanë sukses në Stamboll, pikërisht me jazz.

Imazhi që (s)mund të ndreqet

Dardan Selimaj, është producent në televizionin KTV që ka vite që transmeton seriale turke. Gjithashtu edhe koncerte të muzikës jazz dhe zhanreve më pak të popullarizuara në vend. Ai po ashtu drejton Festivalin e Muziktarëve të Rinj “DAM Fest”. Selimaj ka përshtypjen se jazz-muzika në Turqi, pavarësisht suksesit nuk gjen hapësirë as në televizionet turke.

“Shtëpia e serialeve është televizioni. Por hapësira që marrin seritë në raport me koncertet, janë të pakrahasueshme. Arsyeja është e thjeshtë, muzika do jetojë pa televizionin, ndërsa serialet jo” , ka bindjen Selimaj.

Por bateristi Nesim Maxhuni, që me albumin e tij të fundit “Syndrome” është bërë i njohur në skenën e jazz-muzikës në Turqi, ka bindjen se kosovarët për faj të televizioneve dhe në përgjithësi të medieve, marrin më të keqen nga kultura turke.

“Mediat duhet të përkrahin më shumë muzikën jazz në vend të serialeve, sepse Turqia ka një jazz-skenë fantastike, ndoshta më të mirën në botë”, thotë Maxhuni.

Sipas tij, Java e Jazz-it Turk në Prishtinë është një prej ngjarjeve që u ofron kosovarëve mundësinë që të njihen me artin tamam që e ka Turqia.

“Shpresoj që ambasada ta vazhdojë këtë traditë”, thotë ai.

E ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Songul Ozan tha se fokusi i diplomacisë kulturore është pikërisht promovimi i kulturës dhe artit cilësor.

“Ne jemi të lumtur që këtë javë të jazz-it turk në Kosovë po vazhdojmë ta mbajmë gjallë, duke sjellë këtu artistë të njohur”, tha ambasadorja teksa të premten hapi “Turkish Jazz Week” në Teatrin Oda.

Nga një performancë e jazz-festivalit

Salla ishte e stërmbushur në natën e parë kur performoi Yildiz Ibrahimova, ndërsa më pak publik pati në dy netët e tjera, kur performuan studentë të Departamentit të Jazz-it në “Hacettepe University”.

Dekani i këtij fakultetit, bassisti Gokhan Somel, thotë se Turqia ka probleme shumë serioze në imazhin e saj artistik në botë.

Thotë se në Departamentin që ai e drejton tenton që studentëve t’ua rekomandojë që në karrierën e tyre muzikore të përdorin tingujt e muzikës së popullarizuar turke e që është shumë orientale dhe kiç, për të krijuar muzikë eksperimentale që e kupton bota e muzikës .

Edhe pse pesimist nëse Turqia do të mund të ndreqë imazhin e vet kulturor jashtë saj, Somelin megjithatë e mban një shpresë.

“Shpresoj dhe besoj që jazz-i do të jetë mënyra sesi e ardhmja e imazhit të artit turk nëpër botë do të ndryshojë rrënjësisht”, tha ai.

Vëllazërim edhe nëpërmjet muzikës

Në tre vjetët e fundit Turqia dhe Kosova janë “vllazëruar” goxha shumë. Madje kjo “dashuri” ka mbërritur edhe në nivel kryeministrash, kur Tayip Erdogan dhe Hashim Thaçi e quajtën njëri tjetrin vëlla. Ky “vllazërim” është shtrirë edhe në nivel ekonomik. Kompanitë turke kanë fituar tenderë milionësh, kur u koncesionua Aeroporti apo u shit rrjeti i shpërndarjes së energjisë dhe kur u ndërtua autostrada.

Raportet e përzemërta ia lejuan Turqisë që të kërkojë ndryshimin e librave kosovarë të historisë për periudhën e Perandorisë Osmane. Kjo Perandori filloi të shtrihet në Ballkan pas Betejës së Kosovës të vitit 1389, për t’u larguar nga ky rajon pesë shekuj më vonë.

Në Javën e Jazz-it turk në Prishtinë, është bërë edhe një vëllazërim artistik.

Në të tri netët, përpos ansambleve të jazz-artistëve nga Turqia ka pasur edhe muzikantë e këngëtarë nga Kosova. Na hapje, këngëtaren e njohur turke Yildiz Ibrahimova e ka shoqëruar këngëtarja Rona Nishliu, e cila para publikut foli edhe turqisht si tentim për t’u familjarizuar me atmosferën.

“Kam përshtypjen se kjo është një mënyrë e mirë që ta dëshmojmë miqësinë tonë”, tha Nishliu, teksa iu bashkua në skenë këngëtares Ibrahimova me të cilën kënduan tri këngë së bashku.

Nata e dytë dhe e tretë gjithashtu solli një tjetër përzierje turko-kosovare. Bateristi Maxhuni shoqëroi një ansambël të studentëve të jazz-it, ndërsa pianisti dhe drejtori i Festivalit të Jazz-it në Prishtinë, Ilir Bajri shoqëroi bendin që mbylli Javën e Jazz-it turk.

“Jazz-muzika është muzikë e lirë. Dhe kjo liri na jep mundësi të luajmë edhe me instrumentistë që nuk i njohim”, thotë violinisti Mustafa Findik.

“Ndoshta edhe kryeministrit tonë duhet t’ia rekomandojmë këtë muzikë, në mënyrë që të mos e ndalë ‘Youtube-n’”, tha ai duke qeshur.

Kryeministri turk ndaloi muajin që shkoi përdorimin e “Twitter-it” dhe “YouTube-s” në territorin e Turqisë,  për t’i liruar ato menjëherë pas zgjedhjeve në të cilat doli fitues.