Raportet e Afërta të Avdiut me Dy Anëtarët e Këshillit të Teatrit

Aktori Adrian Morina thotë ta ketë pasur vështirë që të hyjë në intervistë para Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar, pasi e ka ditur se kush do të zgjidhet drejtor i institucionit më të lartë teatror në vend, duke iu referuar letrarit dhe biznesmenit Valdet Avdiu i cili ka në pronësi hotelin e njohur Pandora Tower që gjendet në Dragodan në Prishtinë.

“Por hyra, sepse nuk jam frikacak dhe nuk dorëzohem”, tha Morina, pasi doli nga intervistimi.

Morina tha se bazohet në raportimet e medieve të javës së kaluar që e përmendnin mundësinë e zgjedhjes së Avdiut në pozitën e drejtorit.

E fill pas tij, në intervistë ka hyrë pikërisht Avdiu, i cili të martën në mbrëmje,u votua nga Këshilli Drejtues për drejtor të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Emri i tij ka shkuar në zyrën e ministrit të Kulturës Memli Krasniqit, i cili sipas Ligjit për Teatro merr vendimin për emërimin ose shfuqizimin e përzgjedhjes së Këshillit Drejtues.

Këshilli tha se votoi për Avdiun pasi ai pati një paraqitje bindëse. E vlerësoi  me 534 pikë.

Vlerësimi maksimal është 700 pikë ku nga 100 mund t’i japë secili prej shtatë anëtarëve të Këshillit.

Avdiu tha se do ta bëjë Teatrin një institucion me të cilin do të krenohen që të gjithë.

Por dy prej shtatë anëtarëve të këshillit njihen me të përzgjedhurin Avdiu.

Në këtë Këshill të emëruar nga Ministri Memli Krasniqi, në fillim të marsit, janë ish këshilltari i kryeministrit, regjisori Fadil Hysaj, ish këshilltari i vetë Krasniqit, Haqif Mulliqi, kandidati i PDK-së për Asamble të Komunës së Prishtinës, aktori Nëntor Fetiu dhe lavdëruesi i punës së ministrit, dramaturgu dhe kritiku Naser Shatrolli, i cili edhe kryen punën e zëdhënësit të Këshillit.

Në Këshill janë edhe Ahmet Brahimaj, drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës si përfaqësues i MKRS-së, skenaristja Visare Aliu dhe aktorja Igballe Qena.

Miqësia e Avdiut me dy anëtarë të Këshillit

Krejt ky Këshill ka vendosur që nga 700 pikët maksimale, fiks 534 pikë t’ia japë kandidatit Avdiu. I dyti ka dalë aktori Morina që ka marrë 378 pikë, ndërsa tri kandidaturat e tjera janë vlerësuar me më pak se 100 pikë.

Përderisa kandidati Skënder Lajçi nuk është paraqitur fare në intervistim dhe nuk e ka hapur telefonin për të shpjeguar mosshkuarjen, kandidati Rexhep Tërshnjaku ka marrë 65 pikë, pëshpëritësi në TKK Fehmi Kuleta 38 pikë dhe i papuni Naser Ramadani 33 pikë.

Sipas Naser Shatrollit, Këshilli nuk e ka pasur edhe aq të vështirë që të zgjedhë Avdiun për drejtor, pasi ai ka paraqitur platformën më të mirë për teatrin. Por nuk ka treguar se për çfarë platforme e ka fjalën.

Sipas tij, ata që kanë thënë se Avdiu do të vijë në krye të TKK-së ia kanë qëlluar sikur në bastore.

Shatrolli para dy javësh ishte pjesë e jurisë së festivalit Gjakova Film Fest që organizohet nga Valdet Avdiu.

Ai thotë se arsyeja pse ka shkuar si anëtar jurie në festivalin e personit që dy javë më vonë do ta votonte për drejtor në teatër, kanë qenë paratë që i ka marrë si mëditje për punën e kryer.

“Por po ju them se asnjë nga këto nuk paraqet konflikt interesi e as që kanë ndikuar që ai të zgjidhet drejtor në TKK”, tha Shatrolli.

Një tjetër anëtar i këshillit që ka raporte të afërta me Avdiun është Fadil Hysaj.

 Avdiu e pranon se e ka mik dhe se ka ndihmuar  shumë që Hysaj të organizojë festivalin e tij që e mban në fshatin Kukaj, “Etno Fest”.

Madje tregon se si në bashkëpunim me Hysajn janë duke e krijuar fshatin artistik në Kukaj.

“Fadilin e kam mik dhe së bashku po e krijojmë fshatin artistik. Unë po e sponsorizoj edhe teatrin e hapur në atë fshat ku mbahet festivali dhe gjithashtu një kullë të artistëve”, tha Avdiu.

Hysaj nuk ka pranuar të flasë për këtë çështje, madje askush në Këshill.

Ia kanë lënë në dorë Naser Shatrollit që është zëdhënës i Këshillit.

Po ashtu edhe  Shatrollit i referohet si mik.

“E kam ftuar, sepse zakonisht miqtë e mi i ftoj në juri”, tha Avdiu.

Megjithatë, Avdiu i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë se do të bëjë ndryshime në teatër brenda një viti. Në të kundërtën do të japë dorëheqje.

“Unë jam në gjendje që ta shesë X6-shin tim për të ndihmuar teatrin nëse ndodh që Ministria e Kulturës mbetet pa mjete financiare”, ka thënë Avdiu.

Ai ka shtuar se nuk do të shfrytëzojë pagën e drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosoëvs. Shuma e pagës është rreth 500 euro.

“Me këtë shumë do të blej shamponë për higjienë të banjove të teatrit”,  ka thënë Avdiu.

Drejtori i përzgjedhur i teatrit për sa i përket letërsisë ka shkruar vëllimin me tregime “Lavirja në pentagramin tim”. Pjesë e vëllimit janë tregimet:“Gruaja ime –Lavirja”, “Zonja me të zeza” dhe “Kutia e Pandorës”.

Po ashtu është organizator i festivalit Gjakova Film Festival dhe përkrahës i “Etno Fest-it” që mbahet në fshatin Kukaj në Prishtinë.

Kolegët e fakultetit-konkurrentë të Avdiut

E Avdiu i ka pasur kundërkandidatë edhe shokët e gjeneratës në Fakultetin e Letërsisë gjatë viteve ‘86-‘87 deri në ‘90-‘91.

Tre konkurrentët Fehmi Kuleta, Naser Ramadani dhe Rexhep Tërshnjaku nuk kanë sjellë me vete në intervistë një platformë të shkruar.

Intervistimi i tyre ka qenë shumë i shkurtër , rreth 15 minuta në krahasim me kohëzgjatjen e intervistimit të kandidatëve tjerë –Avdiut e Morinës- që kanë qenë rreth 30 ose 40 minuta.

Dy nga ta, Ramadani dhe Kuleta kanë thënë ta kenë pasur në kokë “platformën”,  ndërsa Tërshnjaku si qëllim kryesor për të marrë detyrën e drejtorit e ka paraqitur të qenët “shërbëtor për artin”. E Ramadani tha t’ia ketë mësyer kësaj gare “thjesht për të gjetur një vend pune pasi ka mbetur pa punë”.

Por ka pasur edhe të atillë sikurse Kuleta që ende pa dalë Këshilli me rezultate kanë folur në superlativ për Valdet Avdiun.

 “Valdetin e njoh nga fakulteti dhe kam shumë respekt për të sepse është i lexueshëm dhe i mençur. Bash e meriton këtë pozitë”, ka thënë Kuleta.

Por aktori Adrian Morina ka paralajmëruar se do të reagojë nëse platforma e tij nuk zgjidhet nga Këshilli.

“Unë i ftoj edhe artistët e tjerë që të reagojnë nëse e shohin të nevojshme”, tha Morina.

Morina ka paralajmëruar se do të mbajë konferencë shtypi të mërkurën në orën 12.

Më shumë rreth teatrit mund të lexoni këtu