Eksplorimi Njëjavor i Muzikës Nëpërmjet DAM Festivalit

Pianisti shqiptar nga Maqedonia Dino Imeri dhe pianisti amerikan Scott Faigen do të performojnë në të njëjtën skenë në net të ndryshme në kryeqytet, por dallimi mes performancave të tyre tejkalon nivelin e muzikës.

Imeri që jeton në një shtet as dy orë larg Prishtinës do të luajë një vepër që flet për rrënjët e tij, Faigen që jeton përtej oqeanit do të luajë veprën që më së paku ka të bëjë me origjinën.

Megjithatë publiku do të dëgjojë për herë të parë të dyja këto rrëfime muzikore.

E ky kontrast Imeri-Faigen është vetëm një nga shumë të tillët që sivjet ofron për publikun njëri nga festivalet e vetme në vend që i jep frymë muzikës së re klasike.

Dino Imeri do të nisë edicionin e 9-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muziktarëve të Rinj që starton këtë të shtunë më 29 mars, me një koncert solistik që do të mbahet në Sallën e Kuqe.

Në po të njëjtën sallë, të martën e 2 prillit, Faigen së bashku me klarinetistin kosovar Fidan Osmanin do të performojnë veprat premierë në festivalin që do të mbyllet me 8 prill, kur në skenën e sallës së njëjtë do të luajë pianistja gjermane Joja Wendt.

Performancës së Imerit në natën e parë do t’i paraprijë ceremonia e hapjes, e cila është rezervuar për veprën “Black and White” të kompozitorit Memli Kelmendi dhe e cila do të interpretohet nga nxënësit e shkollës së mesme të muzikës “Halit Kasapolli” në Pejë.

DAM Festival sivjet ka një ofertë të mbushur me koncerte të muziktarëve që sa kanë nisur rrugëtimin nëpër skenat ndërkombëtare të muzikës klasike dhe atyre që tashmë kanë bërë emër.

Premierë “Muza e Zezë” e Elina Dunit

Jazz këngëtarja shqiptare Elina Duni është emri më i njohur për publikun kosovar që sivjet do të performojë në DAM festival. Ajo do të luajë për herë të parë, albumin e saj më të ri dhe të parin si kantautore, “Muza e Zezë”.

Për të janë rezervuar dy net: 5 dhe 6 prilli. Salla “Dyar”e një hoteli glamuroz  në kryeqytet është rezervuar për koncertet e Dunit. Këto koncerte do të jenë edhe të vetmet në festival që hyrja do të jetë me biletë. Bile një e tillë kushton 10 euro.

Por drejtori i DAM Festivalit, Dardan Selimaj, thotë se ia vlen të paguhet për koncertin e Dunit.

“Këto dy koncerte të Dunit janë premierë botërore, sepse do të luajë albumin që nuk e ka luajtur ende askund në botë”, tha Selimaj.

Mbrëmja e dytë e festivalit është e rezervuar për solistët e rinj që do të shoqërohen nga Orekstra e Filarmonisë së Kosovës, në të cilën do të luajnë fituesja e vitit të kaluar të çmimin “Pianisti i Ri” që e ndan çdo vit DAM Festival, Nita Grubi. Me Orkestrën e Filarmonisë do të performojë edhe violinisti shqiptar nga Maqednia, Xhafer Xhaferi, teksa dirigjenti japonez Toshio Yanagisawa do të drejtojë gjithë mbrëmjen.

Violinistja nga Kazakistani por që është  e njohur në Britani, Aisha Orazbayeva, do të luajë në Ditën e Rrenave më 1 prill, por koncerti i saj sipas organizatorëve do të jetë një eksperiencë e vërtetë e eksplorimit në tingujt e violinës.

Ngjyra e verdhë si metaforë e ndryshimit

E një eksperiment muzikor do të vihet në skenë nga dyshja, pianisti dhe dirigjenti arbëresh Simon Deshpali dhe sopranoja e flautistja kosovare Marigona Qerkezi.

Koncertet e tjera përfshijnë performancën e violinistit kosovar Viar Kuçi i cili sipas drejtorit të festivalit Selimaj, do të luaj një program që “ka kërkesa të mëdha interpretuese”, ndërsa pjesë e programit do të jetë edhe koncerti i harpistes së njohur turke Sirin Pancaroğlu. Festivali  mbyllet me koncertin e titulluar “Rreth botës me 88 taste”.

E krejt kjo javë e mbushur me koncerte premierë, sipas Selimajt do t’i japë një tjetër ngjyrim artistik kryeqytetit kosovar. Një metaforë për këtë, janë edhe posterët e festivalit me tri ngjyra: bardh, zi dhe verdh.

“E bardha dhe e zeza janë rutina e këtij qyteti që ndërrohet me festivalet që mbahen këtu”,tha Selimaj. Njëri nga këto festivale është DAM-i që këtë herë rutinën e thyen me ngjyrën e verdhë. Dhe kjo thyerje e rutinës është një eksplorim në muzikën e re.