Yasemini Pushton Zemrat dhe Reklamat (TV)

Për njëzetekatër orë, dy televizionet me frekuenca nacionale KTV e RTV21 transmetojnë e ritransmetojnë rreth tetë orë seri amerikano-latine e turke.

Në një hulumtim të kryer nga Index Kosova, në dhjetor të vitit 2012, dilte se madje programi më i shikuar, 34 për qind, ka qenë seria turke “Fatmagyl” e transmetuar në TV21, duke lënë pas lajmet qendrore në RTK me 32 për qind.

Kuzey pasohej me 29 për qind të shikueshmërisë nga “Dashuri dhe Ndëshkim” (Ask ve Ceza), po ashtu seri turke, e transmetuar në KTV.

Këtyre serive viteve të fundit u është rritur edhe çmimi.
 
Nga 90 euro sa kushtonte një episod i “El Clone”(Zhadja) në fillim të viteve 2000, çmimi i një episodi të këtyre serive tash shkon deri në mbi 1500 euro – edhe kur merren në lirim – thonë zyrtarët e së paku dy televizioneve kosovare.

Dhe arsye përse ato blihen, ndonëse mund tu kushtojnë në disa raste më shtrenjtë se seritë amerikane, është se ato shikohen.

Producentët e këtyre televizioneve i shohin seritë turke si më të përafërta me mentalitetin shqiptar.

Klan Kosova vazhdon t’i rezistojë këtij trendi me vetëzgjedhje duke transmetuar vetëm seri amerikane, me gjithë shikueshmërinë minimale, për shkak se i duket se kjo është zgjedhje e drejtë për t’i ofruar audiencës së vendit.

Sociologu Artan Muhaxhiri thotë se seritë turke e amerikano-latine janë të shumtën e rasteve kiç dhe shund dhe se problemi kryesor është se ato transmetohen në Prime Time.

I përshtaten mentalitetit

Yasemini ( “Dashuri dhe Ndëshkim”) ka humbur besimin në dashuri, por pas një nate me Savasin jeta e saj ndryshon.

Në mes peripecishë e ngatërresash të shumta, tregimi i të Përhiturës së Turqisë ka marrë zemrat e shumë shikuesve shqiptarë.

A do ta gjejë Savasi Yaseminin dhe t’ia shprehë ndjenjat? A do të zbulohen sekretet? A do të tejkalohen pengesat? Janë këto pyetje që e intrigojnë shikuesin ta përcjellë këtë seri çdo ditë në Koha Vision, nga ora 21:15.

“Arsyeja e parë pse kemi filluar të transmetojmë seri turke ka qenë se kemi konsideruar që tematika që trajtohet në një seri të tillë është më e përafërt me mentalitetin në Kosovë, dhe kjo do ta tërheqë më shumë shikuesin kosovar”, thotë Dardan Selimaj, producent në Koha Vision.

Selimaj thotë se brenda serive turke ka shumë elemente — gjakmarrja, me kë po shkon djali ose vajza, dallimet klasore etj. — që publikun kosovar e bëjnë t’i përcjellë “madje-madje edhe në prime time”.

Ai thotë se seritë turke, pavarësisht se nga shumëkush mund të quhen seri të dobëta televizive dhe joatraktive, zakonisht gjykohen në mënyrë të tillë për shkak se ata njerëz nuk ndalen t’i shikojnë ato.

<iframe width=”560″ height=”315″ src=”http://www.youtube.com/embed/Adtumnx1laA” frameborder=”0″ allowfullscreen></iframe>

“Ndoshta në mesin e këtij grupi kam qenë edhe unë dikur, por sot kam tjetër mendim në raport me prodhimin turk sa i përket serive, për shkak se kinematografia turke është duke kaluar nëpër një fazë ose frymë të artë, e cila po reflektohet edhe në prodhimet televizive”, thotë Selimaj.

I të njëjtit mendim është Florin Kelmendi nga RTV 21.

Ai thotë që kosovarët e kanë kompleksin e të voglit dhe përpiqen të dalin kundër shijes dhe trendëve botërore.

“Kemi pseudo-shikues dhe pseudo-analistë të cilët për arsye të ndryshme, qoftë për shkak të disa interesave parciale, qoftë për shkak të disa komplekseve, reagojnë duke thënë se këto seri nuk janë në nivel. Ka edhe të tillë që thonë se këto seri degradojnë shoqërinë”, thotë ai.

“Nëse janë të dëmshme për ne, pse nuk janë të dëmshme edhe për botën e cila i shikon me ëndje? Për shembull, ‘Sulltani’ që transmetohet tash tek ne, transmetohet në mbi 50 vende dhe ka mbi 200 milionë shikues”, vazhdon Kelmendi.

Sipas hulumtimit të Index Kosovës të dhjetorit 2012, shikueshmëria e serive turke e kalon edhe atë të serialit vendor “Kafeneja jonë”, emisionit argëtues “Oxygen”, e debatit “Jeta në Kosovë”.

Sociologu Artan Muhaxhiri thotë se këto seriale assesi nuk mund të konsiderohen artistike.

“Qasja e tyre është qasje që i ul kriteret artistike në mënyrë që audiencën ta rrisë në mënyrë maksimale”, thotë ai.

Turqia, thotë Muhaxhiri, ka pasur zhvillim në aspektin kinematografik, por jo edhe aq sa këto seri të konsiderohen si diçka që është artistike.

“Prapëseprapë, kemi seri që kanë me qindra episode, të cilat janë të ngarkuara emocionalisht dhe melodrama që zhvillohet në to është krejtësisht një kiç me emocione të stërtepruara dhe në të cilat aktrimi është mesatar”, thotë ai. “Aktrimi është mediokër, në fakt”.

<iframe width=”560″ height=”315″ src=”http://www.youtube.com/embed/Aa9e_fC3-5M” frameborder=”0″ allowfullscreen></iframe>

Por Selimaj i KTV-së e kundërshton këtë. Ai e merr shembullin e prodhimit Kenedy’s të transmetuar në KTV.

“Pavarësisht se Kennedy është presidenti me më shumë influencë, me më shumë kontradikta për mënyrën se si është bërë president, mënyrën se si e kanë likuidu…prapëseprapë nuk është rrëfim i afërt me mentalitetin e Kosovës”, tha ai.

Ai thotë se serialet, si turke dhe amerikane, “pak a shumë lëvizin në ujërat e njëjta, por në mentalitete të ndryshme”.

“Nëse për shembull Sex and the City është serial edukativ, atëherë ndoshta unë kam problem me perceptimin e asaj se çka është edukative, e çka jo”, thotë Selimaj.

Seritë sigurojnë më së shumti të hyra

Duke ekzistuar në këtë treg ku në Prime Time transmetohen seri turke, kryeneçësia e Klan Kosovës po i kushton edhe në fitim.

Alaudin Hamiti, producent i këtij televizioni, thotë se qëllimi është që shoqërisë kosovare t’i servohen seri kualitative – që janë ato amerikane.

“Për shembull ‘Doctor House’ gjithkah në botë është një prej serive më të shikuara”, thotë Hamiti. “Shikueshmëria e fundit në Francë, në Prime Time, arrinte diku 7 milionë dhe është seria më e shikuar e natës”.

“Tek ne është krejt e kundërta, edhe pse ne transmetojmë këtë seri”, thotë Hamiti.

Ai thotë po ashtu që bizneset kosovare nuk janë aspak të interesuar të reklamohen në kuadër të serive amerikane që i transmeton Klan Kosova.

<iframe width=”560″ height=”315″ src=”http://www.youtube.com/embed/9Kji9wI1AM8″ frameborder=”0″ allowfullscreen></iframe>

Ndërkaq, Selimaj nga KTV thotë së seria “Dashuri dhe Ndëshkim” është në top tri programet televizive që siguron të hyra më së shumti, pas Oksigjenit dhe Lajmeve të mbrëmjes. 

Kjo është edhe arsyeja kryesore që televizionet tona janë fokusuar në këto lloj serishë, thotë Artan Muhaxhiri. “Maksimalizimi i profitit”.

“Këto seri kushtojnë lirë. Ka të tilla që nuk janë aq të lira, por prapëseprapë janë më të lira sesa seritë profesionale që krijohen në Amerikë ose në Britani të Madhe”, thotë ai.

Sipas Rregullores për Komunikimet Komerciale Audio-vizuale, kohëzgjatja e reklamimit televiziv dhe teleshopingut (përfshirë reklamimin me ekran të ndarë dhe tele-promocionin) për transmetuesit televizivë komercialë nuk duhet të kalojë dymbëdhjetë (12) minuta për orë, me përjashtim të dritareve të teleshopingut.

Mirëpo, Liridon Dalipi, Drejtor i Departamentit Ligjor në Komisionin e Pavarur për Media, thotë se ka pasur shkelje nga transmetuesit.

“Ka pasur shkelje edhe në të kaluarën, edhe kohëve të fundit. KPM-ja në bazë të procedurave, i ka ndërmarrë veprimet ligjore të parapara”, thotë ai.

KPM-ja, në bazë të vendimeve që i posedon gazeta, në dhjetor të vitit të kaluar i ka bërë vërejtje RTV 21-shit dhe në tetor Klan Kosovës, pasi kishin monitoruar mese katër herë gjendjen, ku ata kalonin më shumë se 12 minuta reklama brenda një ore duke thyer kështu rregullat.

KTV-ja ka marrë vërejtje të njëjtë më 8 janar 2013.

“Stupcat” i kërkon tregu, por janë të shtrenjtë

Producentët e Televizioneve Nacionale që transmetojnë seri turke e amerikano-latine e pranojnë se televizionet janë ato të cilat e imponojnë shijen, mirëpo ata veprojnë gjithmonë në bazë të kërkesave të shikuesit.

“Asnjëherë nuk na është kërkuar nga shikuesit të transmetojmë program edukativ, ndryshe nga kërkesat për transmetimin e serive”, thotë Dardan Selimaj.

Përkundrazi, thotë ai, ka pasur ankesa nga shikuesit për disa prodhime amerikane, kryesisht për filma, përfshirë asi të njohur.

E për të prodhuar emisione argëtuese vetanake si Oksigjeni, shton Selimaj, ato kushtojnë dhe tregu kosovar është i vogël përkundër se ndoshta do të kishin shikueshmëri.

Kështu, një prodhim kosovar me shikueshmëri rekord janë “Stupcat” të cilët vazhdimisht kërkohen nga shikuesit. Ata kanë video me më shumë se 1 milion klikime në Youtube.

Agron Sokoli, producent i “Stupcave”, thotë se nuk kanë pasur oferta konkrete nga televizionet nacionale, “sepse me evoluimin e ‘Stupcave’ është rritur edhe kostoja e tyre, duke e pasur parasysh që gjithmonë qëllimi kryesor i ‘Stupcave’ është me e mbrri kualitetin”.

Ai thotë se e vetmja mënyrë që ata të jenë më afër publikut është përmes videove që i postojnë në YouTube, por se janë në bisedime me disa organizata të huaja për donacione në mënyrë që të jenë prezentë në televizionet nacionale.

<iframe width=”560″ height=”315″ src=”http://www.youtube.com/embed/Gp4z5WvktCY” frameborder=”0″ allowfullscreen></iframe>