Në Shkolla Nuk Ndihet më Muzika

Shkollat fillore në Kosovë janë të obliguara ligjërisht që t’iu ofrojnë nxënësve orë të muzikës, por mungesa kronike e hapësirave dhe pajisjeve muzikore bëjnë që shumica e këtyre lëndëve të mësohen teorikisht, por të mos përcillen fare me mësime praktike.

Në komunën e Prishtinës, 90 për qind e shkollave fillore mbajnë orët e muzikës pa klasë të posaçme për lëndën e muzikës dhe pa instrumente muzikore përkatëse.

Por, hulumtimi ynë na zbuloi se madje edhe nxënësit e shkollave të muzikës vijojnë mësimin në mjedise të ngushta, me pak pajisje dhe në gjendje të mjerë.

Profesori Ahmet Derguti, i cili në Prishtinë jep lëndën e këndimit, tha se mungesat e investimeve në shkolla po pengonin zhvillimin e talenteve muzikore në Kosovë.

“Që nga shkollat fillore e deri në shkollat e niveleve më të larta, shkollat e muzikës janë në gjendje të tmerrshme”, tha ai.

“Orët mbahen në hapësira të cilat nuk ofrojnë as kushtet më elementare për punë dhe në të cilat me dekada të tëra nuk janë bërë investime”.

“Kjo gjendje do të mbetet kësisoj, derisa të kemi liderë që nuk vlerësojnë artin dhe nuk e dinë çka është muzika”, shtoi ai. “E vetmja gjë që ata dinë është si të pasurohen”.

Dritaret e thyera në akademinë elitare

Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, e ndërtuar pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, fillimisht ishte e destinuar si fabrikë e tepihëve, pastaj u shfrytëzua si spital, ndërsa sot ajo është shkolla e vetme profesionale publike e muzikës, në kryeqytet.

Përkundër këtij fakti, ajo përballet me mungesë kronike të stabilimenteve për punë. Rreth 550 studentë të kësaj shkolle të mesme mësohen nga 70 profesorë në klasa me xhama të thyer, me dysheme të shkatërruara dhe pa izolim.

Mësimdhënësit dhe studentët kanë kërkuar mjete financiare në Komunën e Prishtinës dhe Ministrinë e Arsimit, por ende nuk kanë përfituar kurrfarë fondesh.

“Ne kemi parashtruar kërkesa, kemi protestuar dhe kemi provuar në të gjitha mënyrat, por nuk kemi arritur të bindim Prishtinën për të investuar”, tha ish-drejtoresha e kësaj shkolle, Elizabeta Musliu.

M. K., mësimdhënës i kësaj shkolle, i cili kërkoi të mos i zbulohet identiteti, tha se kanë marrë premtime nga Ministria e Arsimit për ndërtimin e një shkolle të re këtë vit, por ai tha se “deri sa të mos shohim se është ndërtuar shkolla, e tëra do të mbetet një shpresë.”

Gjendja nuk është fare më e mirë as sa i përket zhvillimit të mësimit në lëndën e muzikës në shkollat fillore të qytetit, 90 për qind prej të cilave nuk kanë klasa të veçanta për lëndën e muzikës.

“Madje edhe shkollat që dikur kanë pasur klasa të veçanta, për shkak të mungesës së hapësirave i kanë shndërruar ato në klasa të rëndomta”, tha zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Muhamet Gashi.

  Ne kemi vetëm një piano; sa u përket instrumenteve tjera, nxënësit për to mësojnë vetëm në teori”, thotë Arsim Gashi.

“Vlerësohet se rreth 90 për qind të shkollave fillore nuk kanë klasa për lëndën e muzikës”, shtoi ai.

“Ne e dimë që kjo nuk është në rregull, por shkollat kanë mungesa edhe të klasave të tjera jo vetëm klasave të muzikës”, vazhdoi ai.

Shkolla fillore “Faik Konica”, një nga shkollat më në zë në Prishtinë, është një nga shkollat e rralla që ka hapësira të tilla. Ajo madje ka edhe piano.

Por, as nxënësit e kësaj shkolle nuk kanë instrumente tjera në dispozicion, kështu që pjesa më e madhe e procesit mësimor zhvillohet përmes librave shkollorë.

“Ne kemi vetëm një piano; sa u përket instrumenteve tjera, nxënësit për to mësojnë vetëm në teori”, tha zëvendësdrejtori i kësaj shkolle, Arsim Gashi.

“Por, ne shpresojmë se me ndihmën e Ministrisë së Arsimit, apo të ndonjë donatori, në të ardhmen ne do të kemi edhe instrumente të tjera”.

Probleme anembanë Kosovës

Kosova ka gjithsej gjashtë shkolla profesionale të muzikës dhe kushtet në pesë prej tyre janë po aq të pavolitshme sa kushtet e shkollës në Prishtinë.

Nexhat Çoçaj, drejtor i Arsimit në Komunën e Prizrenit, tha se shkolla profesionale e muzikës në këtë qytet, e cila numëron 150 nxënës, nuk posedon stabilimente adekuate.

“Nuk ka pajisje, ndërtesa është e vjetër, nuk ka hapësirë të mjaftueshme – thjesht nuk ekzistojnë as kushtet elementare”, tha ai.

Sa i përket ekzistencës së klasave të veçanta për lëndën e muzikës në shkolla fillore, ai thotë se situata në këtë qytet është ‘alarmante’.

Në Gjilan, Gëzim Pirraj, profesor në shkollën profesionale të muzikës të qytetit, tha se kushtet edhe aty nuk janë më të mira.

“E në shkolla fillore, mësimdhënësit e lëndës së muzikës nuk punësohen fare pasi që ata nuk kanë ku ta mbajnë lëndën e tyre”, theksoi ai.

Drejtori i Arsimit në Mitrovicë tha për Gazetën Jeta në Kosovë se në këtë qytet verior nuk ka pothuajse asnjë klasë të dedikuar për lëndën e muzikës.

“Mund t’ju them se në shkollat fillore të Mitrovicës pothuajse nuk ka asnjë klasë të vetme të dedikuar për lëndën e muzikës”, tha Ali Bejta.

Gjakova i ka akorduar punët mirë

Edhe pse vetëm tri shkolla fillore në qytetin perëndimor të Gjakovës kanë klasa të posaçme, shkolla e vetme profesionale e muzikës në këtë qytet është e pajisur mirë, falë investimeve të mëdha të bëra aty.

Pas 40 vitesh neglizhence, shkolla “Prenk Jakova” ka përfituar nga një “operacion kozmetik” i kryer në vitin 2010 nga Ministria e Arsimit, ndihmuar me fonde zvicerane.

Kjo shkollë ka nxjerrë disa muzikantë të mirënjohur ndërkombëtarisht, disa prej të cilëve kanë luajtur edhe me Filarmoninë e Vjenës, përfshirë këtu Shkëlzen Dolin dhe Rauf Dhomin.

“Ne jemi e vetmja shkollë në Kosovë që ka ndërtesë, e cila ofron të gjitha kushtet e nevojshme”, tha drejtori i saj, Astrit Pallaska.

Shkolla ka 1420 metra katrorë, nëntë klasa, një dhomë për dëgjim të muzikës dhe një sallë koncertesh me 270 ulëse.

Ragip Gjoshi, zëdhënës i Ministrisë së Arsimit, tha se në buxhetin e kësaj ministrie për vitin 2012 është paraparë ndarja e fondeve për të ndërtuar stabilimente të reja për shkollën “Prenk Jakova” në Prishtinë, por ende nuk janë ndarë mjete për kurrfarë pajisje.

Ai tha se rreth 120,000 euro janë ndarë për këtë ndërtesë, ndërsa tani janë duke kërkuar lokacion të përshtatshëm për shkollën e re në komunë.

Por, kjo shumë është shumë e ulët në krahasim me shumën e ndarë për shkollën në Gjakovë, për të cilën janë dhënë 1 milion euro.

Gjoshi tha se ata do të shqyrtonin bashkëfinancimin me Komunën e Prishtinës, dhe se do të kërkonin fonde nga donatorët për të mbuluar pjesën e mbetur.

“Përveç këtij investimi, nuk kishte investime të tjera të ngjashme [në arsimim muzikor] në vitin 2012”, tha Gjoshi.

Sa i përket klasave për lëndën e muzikës në shkollat fillore në Kosovë, ai tha se profesorët duhet të ‘kompensojnë mungesën e klasave, pasi që pothuajse çdo shkollë në Kosovë posedon së paku një instrument muzikor, të cilin mësimdhënësit e kësaj lënde do të mund ta shfrytëzonin gjatë orëve mësimore”.
 
Më mirë ka qenë gjatë viteve 70-të

Profesor Derguti, mësimdhënës i këndimit në Prishtinë, nuk pajtohet me këtë vlerësim. Ai thotë se në shkolla ka fare pak instrumente, çfarëdo qofshin ato.

“Muzika, shkollat dhe opera dëshmojnë se një shtet është i civilizuar, dhe çdo shtet i emancipuar investon në këtë drejtim, përveç Kosovës”, tha ai.

“Muzika në Kosovë është gjëja e fundit me të cilën merren institucionet tona. Kosova është vendi i vetëm i rajonit që nuk ka Shtëpi të Operës”, tha Derguti.

“Kushtet e mësimit për nxënësit në Kosovë janë të vështira, e mua më vjen keq që kemi nxënës kaq të talentuar të cilët nuk kanë mundësi të edukohen si duhet”, shtoi ai.

Muzika në Kosovë është gjëja e fundit me të cilën merren institucionet tona. Kosova është vendi i vetëm i rajonit që nuk ka Shtëpi të Operës”, thotë Ahmet Derguti.

Derguti rikujtoi se si gjërat ishin më mirë gjatë viteve 1970-të, kur Kosova ishte pjesë e Jugosllavisë dhe ai studionte në Beograd.

“Atëbotë, Jugosllavia investonte në këtë fushë. Megjithëse shkollat e muzikës mësimin e zhvillonin në serbisht, shqiptarët mund të vijonin mësimin në to dhe stafi i punësuar ishte i përgatitur mirë”.

Ai tha se secila komunë në atë kohë jepte bursa për studentët e shquar dhe falë një burse të tillë ai mundi të studiojë në Beograd, dhe të kryejë magjistraturën në Sarajevë. Ai tregon se ishte profesori i parë shqiptar i Kosovës i lëndës së muzikës me titull magjistri.

Gjendja ishte përkeqësuar dukshëm gjatë viteve 1990-të nën regjimin famëkeq të Sllobodan Millosheviqit, dhe ende nuk ka arritur të rimëkëmbet.

“Politika shkatërron çdo gjë, si muzikën ashtu edhe shumë fusha të tjera”, tha ai.

“Në kohën kur Millosheviqi ia suprimoi Kosovës autonominë në vitin 1989 dhe e shkatërroi sistemin shkollor, duke dëbuar shqiptarët nga puna, profesorët u detyruan që orët e mësimit t’i mbajnë në shtëpitë e tyre”, rikujton ai.

“Unë për gjashtë vite me radhë i kam mbajtur orët në banesën time. Kjo situatë vazhdoi edhe për 10 vite deri në fillimin e luftës në vitin 1998”, tha ai.

“Por kur u kthyem në Kosovë pas luftës, mësimi ka vazhduar të zhvillohet në kushte të vështira”.

Megjithëse shkollat e rregullta kishin përfituar fonde, muzika nuk kishte fituar gjë.

“Muzika ka vazhduar të përballet me kushte të njëjta si para luftës, e ngujuar në ndërtesa të cilat nuk ofrojnë as kushtet më elementare”, shprehet ai.

“Kjo gjendje nuk do të ndryshojë, derisa liderët tonë të mos ndryshojnë dhe derisa në vendin e tyre të vijnë njerëz që dinë se çka janë kultura, arti, muzika dhe opera”.