Shkolla në Mes të Malit që Meremetohet nga Prindërit

Ramiz Bajramaj, mësimdhënës i gjuhës angleze në këtë shkollë tregon për rreziqet nga kafshët e egra.

“Këtu janë të rrezikum fëmijët nga gjarpërinjtë. Disa herë punëtorët e pastrimit që vijnë më herët, i kanë pa ujqërit në mes të rrugës, domethanë nga të gjitha anët janë të rrezikum”, thotë ai.

Ahmet Ukaj, koleg i Bajramajt në Shkollën “Faik Konica”, thotë se për ta zvogëluar sadopak këtë rrezikshmëri, prindërit e nxënësve meremetuan një kontejner që të gjithë nxënësit të mund të mësojnë vetëm në ndërrimin e paradites.

“Ne e pamë të arsyeshme ta bëjmë një mbledhje, të bisedojmë me prindër, e morëm një iniciativë e thanë nëse ju na përkrahni na do të japim mjete e do t’i nxjerrim katër klasa në këtë objekt që e ka dhurue Karitasi italian menjëherë pas lufte”, shpjegon Ukaj

Vetë mësuesi Ukaj kishte punuar pa kompensim në kontejner, duke nxjerrë prej tij katër klasë ku tash mbahet mësim. Rinovimi i kontejnerit ishte bërë me 900 eurot që dhanë prindërit e nxënësve.

Por edhe përkundër këtij intervenimi, Ramiz Bajramaj thotë se kushtet për mësim këtu janë shumë të rënda.

“Fëmijët këtu ku janë ka mësojnë nuk ka dritë, në klasën tjetër andej ndihet zhurma dhe e pengojnë njani-tjetrin, domethanë kushtet janë të nivelit ma të ultë që munden me kanë, e nuk e meritojnë këta fëmijë që janë fëmijët më të mirë në botë”, flet emocionalisht Bajramaj

Për kushte të këqija jo vetëm në kontejner, por edhe në objektin shkollor ankohet edhe drejtori Ramë Aliçkaj.

“Edhe ky objekt ku jemi prezent nuk i plotëson kushtet, për arsye se është ndërtuar pa pllakë betoni, me dërrasa-në gjuhën popullore me llamperi, ku kanë fillu me u rrallu edhe po lëshojnë pluhur dhe naltë ka edhe lesh qelqi, i cili e lëshon një sasi pluhuri ku është edhe i rrezikshëm për nxënës “, thotë  Aliçkaj.

Mësimdhënësi Bajramaj thotë se kabinetet janë luks për këtë shkollë.

“Kjo shkollë nuk është shumë e dhënë mas kabineteve e mas seneve tjera që janë muj me thanë të luksit, domethanë kushtet elementare kësaj shkolle i mungojnë”, deklaron ai.

Drejtori Aliçkaj bën me dije se pavarësisht përpjekjeve është shumë e vështirë të mbahet pastërtia në klasat e kësaj shkolle.

Kryetari Selmanaj premton objekt të ri

Aliçkaj tregon se shkolla ka një projekt renovimi, i cili nuk po gjen mbështetje nga strukturat arsimore komunale e qendrore.

“Kemi bo kërkesë edhe në DKA, edhe në Kuvend Komunal, edhe në MAShT, bile e kam edhe projektin që shihet se si kish me qenë kjo shkollë e adaptume në dy kate, e ministri i arsimit para tri vjete më ka thënë se për mungesë të mjeteve nuk mund të bëjmë asgjë”, shpreh dëshpërimin drejtori.

Por ai thotë se ka marrë premtime nga kryetari i Deçanit Rasim Selmanaj se ai e ka prioritet ndërtimin e objektit të kësaj shkolle.

Edhe drejtori i Arsimit në Deçan Qazim Maloku e pranon se shkolla “Faik Konica” nuk është në gjendje të mirë.

“Gjendja e infrastrukturës në shkollën e Ratishit nuk është e mirë, kjo është një fakt, nuk është e vetmja shkollë që është në këtë gjendje, komuna nuk ka pasë mundësi të bëjë më shumë, ne kemi bërë disa ndërhyrje para katër vjetësh”, thotë Maloku.

Ai bën me dije se paratë publike orientohen nga Drejtoria e Financave dhe Drejtoria e Arsimit nuk ka para për të ndërhyrë në këtë objekt.

Për shkak të kësaj gjendjeje ai mendon se edhe po ndodh migrimi nga fshatrat, ndërsa tregon se numri i nxënësve nëpër ambientet rurale të komunës është zvogëluar.

Adem Lushaj nga Shoqata e Intelektualëve të Pavarur (ShIP) në Deçan, thotë se kjo organizatë ka reaguar shpesh për gjendjen në shumë shkolla të kësaj komune.

“Do të isha ndalë më shumë në shkollën e Ratishit, pasi që një kohë ka punuar edhe në kontejner edhe në mes të malit, mirëpo me angazhimin e drejtorit të shkollës dhe të komunitetit është bërë investim në mënyrë private duke e bërë një gjendje pak më të mirë, por prapë të pakënaqshme”, shprehet Lushaj.

Sipas tij edhe në Glogjan, Gramaçel dhe Irzniq objektet shkollore nuk plotësojnë kushtet për mësim, ndërsa Lushaj bën me faj pushtetin lokal që thotë se harxhon paratë publike në mënyrë të pakontrolluar, pa i investuar mes tjerash edhe në infrastrukturë shkollore.