Dosja e Xhihadit: Roli i Imamëve në Rekrutimin e Militantëve Shqiptarë

Thuajse një vit pas arrestimeve të bujshme të rrjetit që rekrutonte xhihadistë për luftën e Sirisë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar në gjyq dy imamët e vetëshpallur dhe shtatë ndihmësit e tyre. Ata akuzohen për rekrutim të personave me qëllim kryerjen e akteve terroriste si dhe nxitje dhe thirrje publike për kryerjen e këtyre akteve.

Gjatë hetimit 1-vjeçar, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka gjetur fakte kundër 21 personave, të cilët rezultojnë të përfshirë në rekrutimin e xhihadistëve shqiptarë në konfliktin sirian. Por akuzat për 12 prej tyre janë ndarë në një dosje më vete, pasi mendohet se këta persona ndodhen aktualisht në Siri, duke luftuar përkrah militantëve të ISIS.

Nëntë të akuzuarit për rekrutim të “ushtarëve” të Kalifatit kishin role të ndara në aktivitetin e tyre përgjatë viteve 2012-2014. Genci Balla dhe Bujar Hysa akuzohen se përmes propagandës fetare, frymëzuan mbi 70 shqiptarë, ndjekës të rrymës tekfiriste dhe salafiste të islamit për t’u përfshirë në këtë konflikt.

“Gjatë predikimeve të Genci Ballës, sidomos në faljet e së premtes, ai u mbushte mendjen besimtarëve se lufta në Siri ishte një kauzë e drejtë, bëhej në emër të Allahut dhe secili mysliman i devotshëm e ka për detyrë të ndihmojë në këtë luftë,” thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Predikim për xhihad dhe thirrje të hapura pro kësaj lufte ka bërë edhe imami i xhamisë së Mëzezit, Bujar Hysa. I akuzuari i tretë, Gerti Pashja i shërbeu kësaj kauze nga Turqia, duke u kthyer në një stacion të rëndësishëm për të rinjtë xhihadistë, që udhëtonin me avion nga Shqipëria drejt Turqisë, e më pas në rrugë tokësore mbërrinin në Siri.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dokumentuar disa raste, ku vetë Pashja ka udhëtuar me xhihadistët nga Turqia drejt frontit të luftës.

Gjashtë të pandehurit e tjerë, Edmond Balla, Orion Reçi, Zeqir Imeri, Astrit Tola, Fadil Muslimani dhe Verdi Morava u shërbenin dy imamëve si në gjetjen e ushtarëve të gatshëm për luftën e Allahut, ashtu edhe në mbajtjen e kontakteve mes tyre dhe Genci Ballës.

Provat e Prokurorisë

Në dosjen voluminoze të hetimit 1-vjeçar gjenden përgjime ambientale, përgjime telefonike, dëshmi të luftëtarëve të kthyer nga Siria dhe një aktivitet i dendur në rrjetet sociale, përmes të cilave vërtetohet se të pandehurit kanë bërë thirrje për xhihad dhe kanë mbështetur personat e gatshëm për t’u përfshirë në konflikt.

Por në gjyqin e pritshëm, interes të veçantë pritet të kenë dëshmitë e xhihadistëve të kthyer nga kampet e luftës. Sipas dosjes së hetimit, ata kanë pranuar implikimin e imamëve Balla e Hysa, por edhe të personave të tjerë në rekrutimin e tyre.

Gjithashtu, të kthyer kanë pranuar se kanë shkuar në Siri për xhihad luftarak dhe se një pjesë e tyre ishin përfshirë edhe në luftime përkrah Al-Nusras apo grupimeve të tjera të lidhura me Al-Kaedan.

Telefonatat që vinin nga kampet e luftës janë gjithashtu të rëndësishme për të kuptuar se kush ishin shqiptarët e përfshirë në konflikt dhe cilat ishin arsyet që i shtynë ata të shkonin atje.

Hetimi ka zbuluar se shumica e tyre ishin të rinj, të pashkolluar dhe me njohje të cekëta në Islam. Ata ishin ndjekës besnikë të imamit Genci Balla dhe besonin se pjesmarrja në këtë luftë u jepte një vend nderi në botën e përtejme.

Përgjimet telefonike krijojnë gjithashtu një ide mbi atë çka ndodhte në frontin e luftës, si ishin të organizuar luftëtarët shqiptarë. Në vazhdimësi, njerëzit më të besuar të Genci Ballës dhe Bujar Hysës kërkonin ushtarë të rinj dhe të fortë për t’i përdorur në luftime.

Xhihadistët shqiptarë në Siri

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka arritur në përfundimin se besimi fetar ka qenë motivi kryesor për shtetasit shqiptarë të përfshirë në konfliktin sirian.

“Ata kanë ikur të bindur se do të kryenin veprime në të mirë të njerëzit, duke besuar thirrjen e bërë (nga imamët),” thuhet në dosje. Fillimisht u dyshua se shqiptarët e përfshirë në konflikt ishin të paguar, por hetimi 1-vjeçar nuk ofron prova në drejtim të kësaj teze.

Xhamitë e Unazës së Re dhe Mëzezit përdoreshin si hallkat kryesore në këtë rrjet, për indoktrinimin fetar të xhihadistëve potencialë.

Prokuroria e identifikon Genci Ballën si një ndër teologët më radikalë në Shqipëri, që predikon islamin e dhunshëm dhe nxit urrejtje fetare. Bashkë me rreth 70 xhihadistë shqiptarë, ai ka dërguar në Siri edhe gruan e tij, Almira Kastrati dhe dy fëmijët e saj nga martesa e parë.

Gerti Pashja, studenti shqiptar në Bursa të Turqisë konsiderohet njeriu i dytë më i rëndësishëm i grupit. E ndërsa njerëzit në Tiranë rekrutonin luftëtarë, Pashja u tregonte atyre rrugën se si të shkonin deri në frontin e luftës.

Prokuroria ka zbardhur një episod, ku Pashja ka shoqëruar drejt Sirisë një luftëtar, duke udhëtuar bashkë me të me autobus nga Turqia. Ai ka dërguar në Siri edhe familjen e tij, por për shkak të luftimeve të ashpra është zhvendosur sërish drejt Turqisë.

Aktiviteti fetar shkonte paralelisht me atë ushtarak në dy xhamitë ilegale, ku predikonin Genci Balla dhe Bujar Hysa. Policia ka sekuestruar armë, fishekë, xhupa kamuflazhi, dylbi e objekte të tjera luftarakë në shtëpitë e bashkëpunëtorëve të tyre të ngushtë.