Banka Botërore Fsheh Rishikimin që ia Bëri Tenderit të Minierës në Serbi

Projekti për ta zbrazur ujin e vërshuar nga miniera Tamnava ishte financuar nga një organizatë me seli në Uashington por iu dha një konsorciumi prej dy kompanive të cilat nuk kishin përvojë relevante dhe pronari i njërës nga të cilat është në gjykim për evazion fiskal.

Shqetësimet rreth procesit ishin ngritur së pari në një investigim të publikuar nga BIRN më 8 janar i cili është përcjellë me një seri sulmesh nga kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe seksione të shtypit serb.

Më 9 janar, Vuçiq etiketoi gazetarët e BIRN-it si “gënjeshtarë” pa adresuar ndonjë shqetësim konkret rreth storjes, një temë e cila është shpërndarë në tërësi në publikimet pro-qeveritare të cilët e etiketuan OJQ-në si “reketues”, “lobistë”, “agjenci e huaj” dhe “mafia të gazetarisë”.

Banka Botërore hodhi benzinë në zjarr kur Vesna Kostiq, zëdhënësja për Serbi, u fut në debat duke hedhur poshtë raportimin e BIRN-it të 12 janarit.

Por në një dyftyrësi të jashtëzakonshme, ajo i tha BIRN-it se nuk mund “as ta konfirmojë e as mohojë” nëse deklaratat e saj ishin bërë në kapacitet personal apo si zëdhënëse e Bankës Botërore.

Ajo paraprakisht i kishte thënë agjencisë shtetërore të lajmeve Tanjug më 12 janar se ekspertët e bankës kanë bërë një analizë të tenderit e cila ishte “më e gjithmbarshme sesa në çdo projekt tjetër paraprak të financuar në Serbi”. Dokumentet e brendshme të Bankës gjithashtu përmendin një “rishikim” të procedurave të tenderimit.

“Kolegët e mi kanë shikuar të gjitha vendimet, të gjitha procedurat dhe kanë ardhur në përfundim se gjithçka është bërë në përputhje me rregulloret serbe”, kishte thënë zëdhënësja Kostiq për televizionin publik RTS më 12 janar.

Kur BIRN kërkoi nga selia kryesore e Bankës Botërore më 12 janar një kopje të rishikimit të procesit të tenderimit dhe kërkoi qartësi në disa pika, një zëdhënëse u përgjigj: “Mund të konfirmoj se prokurimi është bërë në përputhje me ligjin serb të Prokurimit Publik. Për shkak se ky projekt është një operacion emergjent, Banka Botërore është pajtuar që ta shqyrtojë financimin e aktivitetit të largimit të ujit ashtu siç është bërë në bazë të ligjit serb të Prokurimit Publik”.

“Sa i përket pyetjes suaj rreth procesit të tenderimit dhe përzgjedhjes së një kontraktori, ju lutem referojuni EPS-së (kompanisë serbe të energjisë) për pyetjet tuaja dhe kërkesën tuaj për të diskutuar detajet e procedurës së tenderimit pasi që EPS është agjenci implementuese e projektit”.

Kërkesat e tjera të bëra te kjo zëdhënëse për ta dhënë një kopje të rishikimit janë injoruar deri më tani.

BIRN gjithashtu ka kontaktuar disa drejtorë të Bordit të Bankës Botërore duke kërkuar nga ta që ta përshpejtojnë procesin e dhënies së informatës.

Tenderi për largimin e ujit nga miniera ishte finalizuar në gusht, para se Banka Botërore dhe Serbia ta nënshkruajnë një marrëveshje kredie në tetor, me të cilën Banka Botërore alokoi 23 milionë euro për këtë punë.

Miniera Tamnava, një nga minierat më të rëndësishme në serbi, ishte vërshuar në maj të vitit të kaluar në kohën kur Serbia u përball me vërshime të mëdha.

 Pikat Kryesore të Hulumtimit të BIRN-it

 Tenderi u bë epiqendër e një sulmi medial pasi BIRN-i zbuloi çështjet rreth kompanisë serbe, Energotehnika Juzna Backa, dhe partnerit të saj, Romanian Ness, e cila fitoi kontratën prej 15 milionë euro për të larguar 114 milionë kubikë ujë nga miniera e qymyrit.

Investigimi i BIRN-it zbuloi se edhe pse një nga kërkesat e tenderit ishte që tenderuesit të kenë së paku një referencë relevante, asnjë nga konsorciumet fituese nuk e kishin këtë përvojë.

Përvoja e mëparshme e Energetika Juzna Backa ishte në infrastrukturën elektrike në Serbi, përderisa Ness është një kompani ndërtuese. Drejtori i kompanisë serbe, Dragolub Zbiliq, konfirmoi për BIRN se kompania e tij nuk kishte ndonjë përvojë në pompimin e ujit.

Investigimi gjithashtu zbuloi se Zbiliq është një gjykim për evazion fiskal në qytetin e Kragujevcit. Ai gjithashtu është nën hetime për akuza të njëjta në Novi Sad.

Investigimi zbuloi edhe se konsorciumit jo vetëm që i mungonte përvoja në pompimin e ujit, por edhe se nuk e ka bërë punën për të cilën ishte kontraktuar për ta bërë vetë. Në vend të kësaj, ajo angazhoi kompaninë holandeze Van Heck e cila i kreu punimet.

Kompania holandeze, me përvojë unike në këtë fushë, i kishte ofruar shërbimet e saj te zyrtarët serbë kur vërshimet goditën vendin në maj, por nuk ishte kontraktuar me negociata të drejtpërdrejta, gjë të cilën e lejon ligji serb në raste emergjente.

Artikulli zbuloi se Industria Serbe e Energjisë Elektrike, EPS, e cila kishte shpallur tenderin, kishte mundur ta fillojë pompimin e ujit më herët nëse do të kishte zgjedhur një kontraktues me negociata të drejtpërdrejta, pasi që për rastet emergjente kjo lejohet me ligj.

BIRN ka raportuar se vonesa prej disa muajsh përderisa tenderi ishte në proces dhe derisa filluan punët, i kushtoi Serbisë së paku 120 milionë euro për blerjen e energjisë dhe qymyrit.

Rrjeti kontaktoi disa institucione të Serbisë për t’i pyetur për tenderin dhe për përzgjedhjen e tenderuesit që ishin kontraktuar, por ata refuzuan të përgjigjen.

Më 23 dhe 25 dhjetor, kur BIRN kontaktoi Zyrën në Beograd të Bankës Botërore për të marrë më shumë informacione rreth kompanive që fituan tenderin, një zëdhënës i drejtoi gazetarët në EPS si burim për informacion.