Fëmijët që ‘u lanë pas’ dhe bënë përpara

Madalina Oprisan qe 13 vjeç kur nëna e saj u largua nga shtëpia e tyre në Rumani për të punuar si pastruese në Izrael. Ajo është takuar me fëmijët e saj vetëm katër herë përgjatë trembëdhjetë viteve të fundit.

Madalina dhe motra e saj më e vogël Ioana jetuan me halla dhe teze të ndryshme në qytezën e tyre të lindjes Bakau. Madalina qe një vajzë e zakonshme dhe e turpshme që shihej si njeriu që nuk kishte shans të shkonte deri në universitet. Ajo pati një histori familjare plot telashe – një baba që e kishte refuzuar dhe një njerk që qe i dhunshëm.

Madalina dhe motra e saj kishin të gjitha tiparet për t’u bërë personazhe qendrore në një nga shumë raportimet mediatike që të këpusin zemrën mbi “fëmijët e braktisur”, fëmijët e lënë pas nga prindër që ikën nga Rumania apo vende të tjera të Europës lindore për të punuar në emigrim në vende më të pasura.

Shpesh, këto histori në median rumune apo të huaj kanë vënë në dukje rastet ekstreme, në të cilat, fëmijët bëhen të dhunshëm apo kryejnë vetëvrasje.

Por pasi nëna e saj iku, Madalina lulëzoi. Ajo mori pjesë në olimpiada shkollore, pati faqen e saj në gazetën lokale dhe u diplomua në një nga shkollat e mesme më të mira të qytezës. Ajo studioi gazetari në Bukuresht me një bursë.

“Qe e vështirë për mua të rritesha në këtë mënyrë, përmes Skype. Dhe në të njëjtën kohë, kjo më bëri mua më të fortë,” thotë Madalina, tashmë një 26 vjeçare energjike, ndërsa bisedojmë në një restorant në qendër të Bukureshtit.

Madalina dhe motra e saj janë mes shumë “fëmijëve të lënë pas”, siç njihen në disa raste, të cilët janë rritur dhe po ecin përpara, megjithëse shpesh humbasin në raportet e medias dhe debatin publik mbi emigrimin dhe efektin e emigrimit në familjet e vendit.

Për të kuptuar se si ia dolën ata dhe me çfarë çmimi, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative foli me më shumë se 30 profesionistë të rinj dhe studentë të cilët u rritën me prindër që jetonin jashtë vendit.

Mes tyre qe një inxhinier mekanik, një inxhinier sistemesh, një menaxher shitjeje, një artist, një muzikant, një ndihmës psikolog dhe studentë që po ndjekin universitetin në degë të ndryshme nga ekonomiksi te arkitektura. Prindërit e tyre punojnë ose kanë punuar në vende të ndryshme si Spanja, Italia, Gjermania dhe Britania e Madhe.

Të intervistuarit qenë mes 18 dhe 28 vjeç dhe vijnë nga Rumania apo nga fqinji më i vogël i Rumanisë, Moldavia, e cila ka lidhje të ngushta etnike dhe gjuhësore me Rumaninë dhe ka gjithashtu një pjesë të madhe të popullsisë që punon jashtë vendit.

Historitë e disave ilustrojnë se si ata përfituan nga vendimet e prindërve të tyre për të shkuar jashtë vendit, por tregojnë gjithashtu se të dyja gjeneratat paguan një çmim emocional për suksesin e tyre.

Madalina Oprisan, menaxhere komunikimi për një organizatë jofitimprurëse, e cila drejton gjithashtu një dyqan biçikletash bashkë me të dashurin e saj. Foto: Lina Vdovii

Madalina Oprisan, menaxhere komunikimi për një organizatë jofitimprurëse, e cila drejton gjithashtu një dyqan biçikletash bashkë me të dashurin e saj. Foto: Lina Vdovii

“Prindërit tanë u përpoqën të ndryshojnë gjendjen tonë shoqërore,” thotë Madalina. “Ata shkuan në vende të huaja për të punuar si punëtorë të pakualifikuar me synimin e vetëm për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për ne, gjeneratën e re, në vendin tonë të lindjes.”

Ajo rikujton me pamje të zymtë kur nëna e saj shiste gazeta, konserva ushqimesh nga Turqia apo cigare nga Moldavia.

“Nëse ajo do të vijonte të punonte për 300 euro në muaj, ajo nuk do të mund të më dërgonte mua në universitet, të paguante për kurset private apo për udhëtimet,” pranon ajo. “Unë pashë Parisin para se të shoh Bukureshtin.”

Pas diplomimit, Madalina punoi si reportere për televizionin kryesor tregtar të Rumanisë, ProTV dhe tashmë është menaxhere komunikimi për një organizatë jofitimprurëse që ndihmon organizatat e tjera të bamirësisë në përdorimin e teknologjisë.

Të lënë pas nga emigrimi

Përgjatë njëzet e pesë vjetëve të shkuara, miliona rumunë lanë vendin e tyre në kërkim të punës diku gjetkë. Një valë emigrimi pasoi rënien e komunizmit më 1989. Një e dytë filloi një dekadë më parë pasi Bashkimi Europian hoqi sistemin e vizave për udhëtimet në zonën Shengen, zonë që është e lirë nga kontrollet kufitare dhe që tashmë përfshin 26 vende.

Rumunët dhe të tjerët gjetën vende pune në Europën perëndimore në ndërtim, bujqësi, pastrim, kujdes shëndetësor dhe fusha të tjera. Shumë prej tyre lanë pas fëmijët nën kujdesin e prindit tjetër apo të afërmve, ose i lanë të jetonin më vete nëse konsideroheshin mjaftueshëm të rritur.

“Kur e gjykon këtë gjeneratë fëmijësh, ndërsa prindërit e tyre punonin fort në Perëndim, mendohu dy herë para se t’i quash ata ‘të braktisur’ dhe të akuzosh prindërit si fajtorë,”

blogeri Andrei Dobra.

Sipas Departamentit të Mbrojtjes së Fëmijëve të Rumanisë, më shumë se 84 mijë fëmijë kanë një apo që të dy prindërit emigrantë. Por organizatat joqeveritare vlerësojnë se numri i vërtetë është rreth 350 mijë – më i larti mes të gjitha vendeve Europiane.

Në Moldavi, rreth 177 mijë fëmijë vlerësohet se janë në të njëjtën gjendje.

Olga Gavrilita, një studente moldave, qe shtatë vjeç kur prindërit e saj e lanë dhe ikën jashtë vendit.

“Ky qe një kurs jete invensiv,” thotë Olga, e cila po studion për master në ekonomiks në universitetin Friedrich Schiller në Jena, Gjermani. “Largimi i tyre më bëri të kuptoj se çfarë desha të bëj më tutje dhe ku.”

Një kampion i artikujve të medias vendore dhe ndërkombëtare mbi “fëmijët e lënë pas” nga prindër që punojnë jashtë vendit

Një kampion i artikujve të medias vendore dhe ndërkombëtare mbi “fëmijët e lënë pas” nga prindër që punojnë jashtë vendit

Fati i “fëmijëve të lënë pas” u bë një çështje e madhe debati në median e Rumanisë shtatë vjet më parë.

ProTV transmetoi një fushatë të titulluar A e di se si e ke fëmijën? mbi fëmijët me prindër që nuk u kthyen kurrë pas e që shpesh nisën familje të re në Europën perëndimore. Një dokumentar disa vite më vonë i titulliar I vetëm në shtëpi – një tragjedi rumune paraqiti në mënyrë të detajuar historitë e tri fëmijëve që i dhanë fund jetës për shkak të  mungesës së prindërve.

Këto histori shkaktuan tronditje në të gjithë vendin dhe tërhoqën edhe më shumë vëmendjen e medias.

Artikuj me tituj alarmantë si “Fëmijë në grykë të humnerës”, “Drama e tmerrshme e ‘euro-jetimëve’ të Rumanisë” apo “Vendi i fëmijëve të braktisur”, sollën komente nga lexuesit të llojit “Çfarë dreq prindërish janë këta? Ata meritojnë të dërgohen në kampe pune”. Gjithsesi, analistët thonë se ky mbulim mediatik ka krijuar një panoramë të pasaktë.

“Ka pak raste të izoluara dhe tragjike dhe media po i përdor këto për të tërhequr vëmendjen,” thotë Victoria Nedelciuc, një eksperte migrimi në Fondacionin Shoqëria e Hapur në Bukuresht. “Ka edhe shumë avantazhe nga emigrimi.”

Nedelciuc thotë se paratë që prindërit kthejnë në shtëpi i mundësojnë fëmijëve të blejnë kompjuter dhe të mësojnë si të përdorin teknologjinë, të shkojnë në shkolla dhe universitete më të mira si dhe të udhëtojnë jashtë vendit.

Shumë nga ata të etiketuar si “fëmijë të braktisur” ndjehen të keqkuptuar.

Andrei Dobra, një bloger rumun me eksperiencë, i tha BIRN se prindërit e tij ikën në Spanjë kur ai qe 13 vjeç, duke e lënë me një teze. Ata pritej të shkonin vetëm për një vit por në fakt qëndruan jashtë vendit. Tashmë ai i sheh ata vetëm gjatë pushimeve.

“Unë nuk u ndjeva kurrë i braktisur dhe nuk ndjeva kurrfarë zemërimi kundër tyre. E di që ata ikën dhe bënë sakrificë për mua, për ne,” thotë Andrei, 28 vjeç, dhe fëmijë i vetëm.

Intervista e shtyu Andrein të shkruajë një blog të titulluar “Fëmija i braktisur ofron shpjegime.”

“Mua më kanë thënë shumë herë se nëse prindërit e mi më donin mua, ata nuk do të qenë në gjendje të përballonin ndarjen,” shkroi Andrei.

“Unë u zemërova shumë kur e dëgjova për herë të parë,” shtoi ai. “Kur ti gjykon këtë gjeneratë fëmijësh, ndërsa prindërit e tyre punojnë fort në Perëndim, mendohu dy herë para se t’i quash ata ‘të braktisur’ dhe të akuzosh prindërit. Ti mund të mos e dish të gjithë historinë, të gjitha detajet.”

Adrian Lupu, një profesor sociologjie në universitetin Alexandru Ioan Cuza University në Jasi, lindje e Rumanisë, mori pjesë në studimin e parë mbi fëmijët që i kanë prindërit duke punuar jashtë vendit më 2006. Ai dhe ekspertë të tjerë përdorin termin “të fortë” për të përshkruar ata që kapërcyen kohët e vështiira dhe ia dolën të kenë sukses në shkollë apo profesion.

Kosto emocionale

Por suksesi i këtyre fëmijëve nuk ka qenë pa pasoja.

Studimet e publikuara nga organizata të tilla si Save the Children dhe Fondacioni Soros i Rumanisë kanë vënë në dukje dallimet mes fëmijëve që i kanë prindërit në shtëpi dhe atyre që i lanë pas.

Pesëmbëdhjetë për qind e fëmijëve me prindër jashtë kanë patur probleme me policinë, në krahasim me vetëm 10 për qind të atyre që kanë jetuar me prindërit. Por më prekës rezultoi ndikimi emocional. Tridhjetë e shtatë për qind e fëmijëve që i kanë të dy prindërit larg thanë se ndjeheshin vetëm, ndërsa 22 për qind beson se ata nuk i do askush.

Një rrezik tjetër është përkeqësimi i marrëdhënies mes prindërit dhe fëmijës.

Motrat Oprisan janë përshtatur në mënyrë të ndryshme ndaj mungesës së nënës. Ioana ka mbajtur marrëdhënie shumë të ngushtë me të ndërsa Madalina në përgjithësi i ka prerë komunikimet.

“Ajo iku para se mua të më vinin menstruacionet për herë të parë. Isha te xhaxhai im duke nxjerrë patate dhe u frikësova shumë pasi askush nuk më kishte paralajmëruar,” thotë Madalina. “Ka qenë shumë kohë e kaluar veçmas.”

Këto ditë, një burim mosmarrëveshjesh mes tyre është i dashuri i Madalinës, Luciani, puna e vetme e të cilit është të drejtojë një dyqan biçikletash të cilin e bashkëthemeloi me të. Për nënën e saj, gjetja e një burri që sjellë para në shtëpi është më e rëndësishme.

“Stresi i të qenit i varfër qe kaq i rëndë para se ajo të ikte, sa unë mbaj mend që më dilte gjumi në mes të natës dhe dëgjoja nënën time duke folur me veten në kuzhinë,” tha Madalina.

Pasi nëna e tyre iku, Madalina krijoi një rrjet të fortë mbështetjeje, përfshirë tezen, miqtë, kushërinjtë dhe më vonë, Lucianin.

Tezja e Madalinës punoi ngushtë me të për detyrat e shkollës dhe shpejt u bë një nga nxënëset më të mira në shkollë.

Ndryshe nga ajo, Ioana, qe tepër e vogël për t’u përballur mirë me ikjen e nënës. Ajo kishte nevojë për më shumë dashuri. “Tezet nuk janë kurrë si nënat,” thotë ajo.

Ajo përfundonte duke qarë për orë të tëra. “Thjeshtë më mungonte të flisja me dikë,” shpjegon ajo. Në disa raste, ajo trokiti në derën e një fqinje, një grua në të 50at, thjesht për të patur dikë për të folur.

Në shkollë, Ioana e vogël imagjoninte shpesh mësueset e saj si nënë.

Me flokë të zinj dhe veçanërisht e sinqertë, Ioana mban mend vizitën e parë të nënës së tyre në shtëpi, pas katër vjetësh. “Flokët e saj patën ndryshuar nga të zinj në të bardhë si dëbora,” rikujton ajo. “Ajo qe kaq e zbehtë sa edhe pse pamja e saj qe njësoj, unë nuk mund të mendoja më për të si nënë.”

 

Motra e Madalinës, Ioana, në apartamentin e saj në qendër të Bukureshtit. Foto: Lina Vdovii

Motra e Madalinës, Ioana, në apartamentin e saj në qendër të Bukureshtit. Foto: Lina Vdovii

Zëri i saj mbushet me trishtim ndërsa ajo i rikthehet kujtimeve të të jetuarit vetëm në një apartament të vogël betoni pasi Madalina iku për të ndjekur universitetin në Bukuresht.

Tashmë 20 vjeç, Ioana është zhvendosur së fundmi në një apartament më të madh, me tre dhoma gjumi në qendër të Bukureshtit, apartament që u ble nga nëna e saj. Ajo me krenari i tregon vizitorëve apartamentin me dhomat e gjumit, mobiljet e reja, muret e bardha të sapolyera si dhe kutitë shumëngjyrëshe të magazinimit në një sergjen të bardhë.

Ioana studion për dentiste në Universitetin Carol Davila në Bukuresht me bursë, të cilën e fitoi me ndihmën e kurseve private që ndoqi në Bukuresht gjatë vitit të fundit të shkollës së mesme, duke udhëtuar për shtatë orë një herë në disa ditë drejt kryeqytetit. Nëna e saj pagoi për të gjitha.

“Nëse nëna ime do të kishte qëndruar këtu, nuk do të kisha asgjë,” pranon ajo.

Sociologu Lupu thotë se shumë studentë janë duke paguar tarifat e studimit me para të sjella nga jashtë. Ai beson se një vrojtim në të gjitha universitetet e Rumanisë mund të tregojë se paratë e emigrantëve janë veçanërisht të larta si burim financimi.

Irina Visin, një nga studentet e Luput, thotë se 20 nga 34 studentët e klasës së saj në vitin e parë të masterit në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, i kanë, ose i kanë patur prindërit duke punuar jashtë vendit.

T’i bësh ballë vështirësive

Grupet e advokimit  kanë vite që luftojnë për mbrojtje më të madhe ligjore për fëmijët me prindër emigrantë. Pasi kanë kaluar nëpër duar tetë projekte, Parlamenti i Rumanisë më në fund miratoi një Ligj për Mbrojtjen dhe Nxitjen e të Drejtave të Fëmijëve në shtator 2013.

Ligji parashikon një gjobë prej 500 deri në 1 mijë lei të Rumanisë (rreth 115 – 230 euro) për prindërit që nuk informojnë autoritetet se po ikin për të punuar jashtë vendit apo që nuk sigurojnë miratimin e gjykatës për një gardian për fëmijët e tyre së paku 40 ditë para se të nisen.

Victoria Nedelciuc e Fondacionit Shoqëria e Hapur, ankohet se ligji nuk parashikon asnjë rol për shkollat që t’i njoftojnë autoritetet në rast se vërejnë se prindërit e një fëmije kanë ikur.

“Problemi është se shkolla po humbet tërësisht këtu,” thotë ajo. “Mësuesit janë të parët që e marrin vesh se kur prindi i një fëmije është larguar.”

Në mënyrë që të ndihmojë fëmijët për t’i bërë ballë vështirësive edhe kur janë larg familjes, Save the Children ka krijuar një program të quajtur “Ne bashkohemi” në 16 shkolla në të gjithë vendin.

Përgjatë tri viteve, specialistët kanë ndihmuar më shumë se 2 mijë fëmijë duke i ndihmuar me detyrat e shtëpisë, duke i dhënë akses te kompjuterët dhe duke krijuar komunikime më të mira me prindërit. Ata ofrojnë edhe konsulta individuale me psikologun.

Në vitin 2013, shtatëdhjetë për qind e fëmijëve në program arritën të përmirësojnë rezultatet në shkollë dhe 46 për qind fituan çmime në olimpiadat shkollore, sipas Save the Children.

Fshati ku mësueset janë edhe nëna

Disa shkolla kanë ndërmarrë përpjekjet e tyre për të ndihmuar fëmijët që i kanë prindërit larg.

Në fshatin Raducaneni në veri të Rumanisë, rrugët e pashtruara plot baltë dhe që rrihen çdo ditë nga kuajt dhe karrocat janë pranë shtëpive të sapondërtuara.

Sipas autoriteteve të zonës, deri në 150 prindër nga fshati me 500 familje kanë ikur jashtë për të punuar.

Rruga kryesore në fshatin Raducaneni, në lindje të Rumanisë. Foto: Lina Vdovii

Rruga kryesore në fshatin Raducaneni, në lindje të Rumanisë. Foto: Lina Vdovii

Drejtoresha e shkollës së fshatit, Coca Codreanu, rendit aktivitetet jashtëshkollore për fëmijët që janë lënë pas me trauma të tilla, përfshirë kurset për muzikë dhe grupet e artit.

“Ne si shkollë po bëjmë më të mirën për të qenë prindër, mjekë dhe shokë për ta,” thotë ajo.

Në një klasë të vjetër me mure blu dhe të bardha dhe një sobë në cep, Alexandra Ladan, një vajzë dhjetëvjeçare me flokë të shkurtër të zinj, është mes gjashtë fëmijëve në klasën e saj që i kanë prindërit jashtë.

Nëna e Alexandas iku për në Itali kur ajo qe vetëm shtatë muajshe.

Të dyja janë shoqe në Facebook. Kjo është mënyra se si Alexandra zbuloi se nëna e saj është mirë dhe ka një familje tjetër. “Ajo poston video të shkurtra me fëmijën e saj të ri,” thotë  Alexandra.

Me raste, gjatë të dielave, ato flasin përmes çatit në Facebook. Por nëna e saj nuk e merr kurrë në telefon. Madje, as për ditëlindje. Në këtë pikë, Alexandra, e cila jeton me babain e saj dhe gjyshërit, fillon të qajë.

Disa muaj më vonë nëna e Alexandras erdhi në Rumani për një vizitë dhe pa për herë të parë në dhjetë vjet vajzën e saj. Alexandra tha përmes Skype se ndjehej “e çudishme” të jetë me nënën e saj sërish.

Pavarësisht traumës që ajo ka kaluar, Alexandra është një nga fëmijët më të mirë në klasë sipas mësueses së saj, Ecaterina Pascaloaie.

Dhjetëvjeçarja Alexandra Ladan, nëna e të cilës jeton në Itali. Foto: Lina Vdovii

Dhjetëvjeçarja Alexandra Ladan, nëna e të cilës jeton në Itali. Foto: Lina Vdovii

Nëse fëmijë si Alexandra ecin mirë në shkollë apo nga pikëpamja emocionale, varet nga shumë faktorë, përfshirë personalitetin e vet dhe mbështetjen që marrin nga të rriturit, thonë ekspertët.

“Unë jam takuar me fëmijë të cilët u lanë në shtëpi vetëm dhe ia dolën për shkak se kishin dëshirë shumë të fortë për t’ia dalë dhe e donin shumë shkollë, ose për shkak se qenë mjaftueshëm me fat për të patur njerëz që i ndihmojnë, të tillë si mësues, shokë klasë apo gjyshër,” thotë Luminita Costache, koordinatore e programeve të edukimit në degën e Rumanisë të agjencisë së OKB-së për fëmijët UNICEF.

Të nisësh nga zero

Çdo prind që punon jashtë vendit shpreson se sakrifica e tyre do të parandalojë fëmijët e tyre që të kenë të njëjtin fat – dhe se paratë që ata dërgojnë pas do t’i shtyjnë djemtë dhe vajzat e tyre në rrugën drejt një të ardhmeje më të mirë në shtëpi. Por në disa raste, nuk funksionon në këtë mënyrë.

Deri verën e kaluar, Georgiana Panca, një 25 vjeçare me flokë të kuq të çelët, qe reportere në Bukuresht për një nga gazetat më të mëdha të Rumanisë.

Pastaj motra e saj u diagnostikua me kancer në lëkurë. Prindërit e saj, të cilët jetojnë në Spanjë, nuk kishin më mundësi të dërgonin para për Georgianan. Ata i kërkuan asaj që të bashkohej me ta dhe të gjente një punë. Georgiana ndjeu se e kishte për detyrë.

“Ata më kanë ndihmuar shumë, më dhanë fuqinë për të ecur dhe për t’u bërë kjo që jam,” thotë ajo.

Georgiana Panca në një park në Madrid. Foto: Lina Vdovii

Georgiana Panca në një park në Madrid. Foto: Lina Vdovii

Në Madrid, Georgiana është ulur në një tavolinë me ushqim tradicional rumun – supë, polentë dhe djathë. Ata po shikojnë vërshimin e demave në Pamplona në televizor. Babai i Georgianas, një burrë me flokë të thinjur dhe imponues, qan kur fillon të tregojë se sa e vështirë është të gjendet një vend pune në Spanjë këto kohë.

Nëna e Georgianas, Maria, rikujton se pse ata u zhvendosën në Spanjë dhe e lanë vajzën e tyre pas.

“Kur unë ika, ajo qe 15 vjeç,” thotë ajo. “Qe një vendim i vështirë, por unë desha që ajo të shkojë në kolegj dhe desha gjithashtu të ndërtoj një shtëpi të bukur në atdhe.”

Georgiana jetoi vetëm për nëntë vjet.

“Në shkollë të mesme, në fakt, unë isha popullore. Shokët e mi e dinin se unë isha vetëm dhe kështu bënim festa,” thotë ajo.

Por ajo nuk është tërësisht e lumtur tani me jetën e saj të re në Madrid. Pasi punoi për një copë herë si dado dhe si pastruese për një familje spanjolle, si dhe si kameriere në një lokal, ajo ka gjetur një punë si recepsioniste e turnit të natës në një hostel.

Eksperienca e saj në Spanjë i ka dhënë Georgianës mundësinë të krijojë idenë për vuajtjet që prindërit e saj kaluan në përpjekje për ta bërë jetën e saj më të mirë.

“Që të nisësh gjithçka nga zero është e vështirë,” thotë ajo.