Dyshimet Që Rëndojnë Mbi Kryetarin e Zagrebit

Policia ndaloi Bandic dhe shumë bashkëpunëtorë të tij të dielën me dyshimin e përfshirjes në aktivitete kriminale në administrimin e Zagrebit dhe në kompaninë Zagreb Holding nën pronësinë e qytetit, e cila menaxhon shërbimet vendore.

Krahas Bandic, policia arrestoi kreun e Zagreb Holding dhe bashkëpunëtorin e tij të vjetër Slobodan Ljubicic, kreun e kompanisë private të grumbullimit të mbeturinave CIOS, Petar Pripuz dhe drejtorin e kompanisë së transportit të Zagrebit ZET, IVan Tolic. Bashkë me ta u arrestuan edhe pesëmbëdhjetë të dyshuar të tjerë, emrat e të cilëve nuk janë bërë publike.

“Pas shumë muajsh hetimi kriminal kompleks, shumë njerëz u arrestuan me dyshimin e aktiviteteve ilegale në qytetin e Zagrebit dhe në Zagreb Holding,” thanë prokurorët në një deklaratë.

Media e Kroacisë spekuloi se të dyshuarit u arrestuan për një mashtrim në lidhje me planin për ndërtimin e një impianti përpunimi mbeturinash në Zagreb si dhe me fushatën elektorate të Bandic për president në vitet 2009-2010.

Avokati i Pripuz, Mate Matic i tha medias se ai  nuk e dinte ekzaktësisht se pse qenë arrestuar por dyshonte se “ka arsye të tjera pas të gjithë kësaj,” duke nënkuptuar motive të mundshme politike.

Avokati i Ljubicic, Veljko Miljevic tha se sipas provave mbi të cilat policia arrestoi klientin e tij, “do të jetë e lehtë mbrojtja e tij”.

Bandic dhe të tjerët do të qëndrojnë të ndaluar pasi shtëpitë e tyre u kërkuan për prova.

Kur kur Bandic hyri në zyrën e kryebashkiakut në vitin 2000, dyshimet për korrupsion janë ngritur vazhdimisht.

Emri i tij është lidhur me më shumë se 20 ccështje të rëndësishme korrupsioni, përfshirë përdorimin e paligjshëm të fondeve publike dhe aktivitetet e paligjshme, si dhe për ndërtimin e impiantit të mbetjeve apo ndryshimin e planit urbanistik të qytetit në përfitim të kompanive të ndërtimit.

Bandic qe një anëtar me ndikim i partisë SocialDemokratike aktualisht në qeveri, deri në vitin 2009, kur u përzu nga kjo parti për shkak se nuk mbështeti Ivo Josipovic si kandidat për president të partisë dhe konkurroi vetë.

Pas arrestimeve, anëtari i SDP dhe ish ministri i arsimit të Kroacisë Zeljko Jovanovic shkroi në Facebook se ai e pati “parashikuar fundin e karrierës së Bandic që në vitin 2010.”

Ndërkohë, Mirela Holy, presidente e Partisë së Gjelbër të Kroacisë, ORAH, tha se ajo nuk mund të komentonte për arrestimet por këto të fundit përbëjnë paralajmërim për politikanët në përgjithësi.

“Ngjarjet e fundit në Kroaci janë një mesazh i madh për të gjitha partitë politike dhe politikanët se puna e tyre duhet të bëhet në përmbushje të interesit publik,” tha Holy.