Ngritja e Kontestuar e Asistentit të Arsim Bajramit

Emri i Florent Muçajt u dorëzua si i vetëm para anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës për t’u votuar si përfaqësues i shoqërisë civile në këtë institucion. Ata nuk mund të votonin për kandidatë tjerë. Dy anëtarë të KPK-së shprehen të pakënaqur me mënyrën se si erdhi propozimi për emërimin e Muçajt në këtë pozitë. 

Zgjedhja e Florent Muçaj si anëtar joprokuror i Këshillit Prokurorial të Kosovës në pozitën e përfaqësuesit të shoqërisë civile ka nxitur debate për mënyrën se si ka ardhur ai në këtë këshill dhe kush e ka propozuar atë.

Shumë pikëpyetje janë adresuar në drejtim të Muçajt nga vetë organizata të shoqërisë civile duke kërkuar nga ai të dihet se kë e përfaqëson në Këshillin Prokurorial të Kosovës, meqë ai nuk e ka votën për t’i përfaqësuar.

Platforma KALLXO.com, kishte raportuar më 12 nëntor për kërkesën e Agron Demit, drejtor i GAP-it drejtuar Florent Muçajt pas zgjedhjes së tij si anëtar jo-prokuror në KPK.

Demi i kishte shkruar Muçajt nëpërmjet e-maili-it duke i thënë : “A po më tregon se kënd prej shoqërisë civile e përfaqëson ti në KPK? Kush të ka nominuar? Kush të ka zgjedhë? Prej cilës organizate të shoqërisë civile je ti aty, dhe çka ka bërë kjo organizatë, qe ty kish me të kualifiku me “përfaqësu” shoqërinë civile aty?”

Demi nuk kishte marrë përgjigje nga Muçaj.

Përveç shoqërisë civile mënyrën e propozimit të Muçajt për anëtar të Këshillit Prokurorial të Kosovës e kanë vënë në pikëpyetje edhe disa nga anëtarët e KPK-së.

Florent Muçaj është zgjedhur si anëtar joprokuror i KPK-së nga shoqëria civile me 9 shtator në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Komisioni për përzgjedhjen e Muçajt përbëhej nga kryeprokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës Sevdije Morina, prokurori i Prokurorisë së Apelit Idain Smailji dhe avokati Teki Bokshi.

Gazeta Jeta në Kosovë ka arritur të sigurojë procesverbalin e kësaj mbledhjeje ku shihet një përplasje mes komisionit dhe anëtarëve të KPK-së.

I pari që ka ngritur dyshime për propozimin e Florent Muçajt në pozitën e anëtarit ishte kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan Jetish Maloku njëherë anëtar i KPK-së.

Ai kërkoi që të dihen edhe emrat e pesë kandidatëve tjerë që kanë kandiduar për pozitën që tash e mban Muçaj.

“Zonja Sevdije para se ne të shkojmë në votim do të kisha dëshirë me ditë cilët janë anëtarët tjerë…”, pati thënë Maloku gjatë mbledhjes së KPK-së.

Në bazë të procesverbalit, shihet se pyetja  e prokurorit Maloku kishte ardhur pasi që kryetarja e komisionit Morina kishte propozuar vetëm emrin e Florent Muçajt.

Për këtë pozitë kishin kandiduar edhe pesë persona nga shoqëria civile e të cilët nuk ishin prezantuar fillimisht para anëtarëve të këshillit si emra të kandidatëve nga komisioni vlerësues. 

I kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, Prokurori Jetish Maloku, njëherësh  anëtar i KPK-së tha se mbetet pas atyre deklaratave që i kishte dhënë edhe në mbledhjen e Këshillit.

“Unë nuk kam qenë kundër asaj [zgjedhjes së Muçajt në KPK] tamam puna. Unë kam çdo respekt për të si person. Unë kam kërkuar saktë se si ka ardhur, pse është vendosur dhe si është vendosur për të, sepse në mbledhje na ka ardhur vetëm një emër”, tha Maloku.

Ndër tjerash ai pohoi se interesi i tij ka qenë të dihen edhe emrat e tjerë të kandidatëve për pozitën e anëtarit të KPK-së nga shoqëria civile.

“Unë dëshiroja të di kush janë tjerë emra që kanë kandiduar për shkak se ligji është mjaft i qartë dhe thotë se duhen të jenë së paku pesë emra kandidatë dhe prej tyre cili merr më shumë vota bëhet anëtar i Këshillit Prokurorial.  Këtu shkurt e shqip duhet ta pyesni Sevdije Morinën pasi që ka qenë kryetare e komisionit”, deklaroi Maloku.

Pikëpyetje rreth përzgjedhje së Muçajt në KPK, sipas procesverbalit ka pasur edhe Bajram Ukaj, dekan në Fakultetin Juridik në UP, njëherësh edhe anëtar i Këshillit.

“Njëqind herë me ma pru këtë listë, unë e votoj Florentin sepse e njoh mirë. Mirëpo pak me procedurë nuk jam i kënaqur, sepse jemi pru para pozicionit merre ose lere vetëm me një kandidat. Kjo pak më duket jo fort e këndshme”, kishte thënë në mbledhje dekani Ukaj.

Sipas procesverbalit, kryeprokurorja Morina madje ishte revoltuar kur ishte pyetur se përse është propozuar vetëm Muçaj në këtë pozitë.

Ajo deklaroi se Këshilli Prokurorial duhet të besojë në punën e komisionit vlerësues.

“Ju si Këshill na keni votuar neve, sigurisht na keni jep besimin”, deklaroi Morina.

“Ne e kemi votuar tretë së bashku këtë person. Emrat e tjerëve ja ku i keni, besoj që askush nuk na e ndalon me na bo vërejtje në përzgjedhje”, ka deklaruar Morina në procesverbalin e 9 shtatorit.

Morina, sipas procesverbalit, kishte lexuar më pas emrat e pesë kandidatëve tjerë për pozitën e anëtarit të KPK-së nga shoqëria civile. 

Por emrat e tyre vetëm u lexuan dhe nuk u mundësua që të votohet për ta. U votua vetëm për Florent Muçajn.

Kryeprokurorja Sevdije Morina nuk dha sqarime  se përse është propozuar vetëm Muçaj si kandidat për anëtar të Këshillit nga shoqëria civile, kur u pyet nga Gazeta Jeta në Kosovë.

Gazeta Jeta në Kosovë intervistoi Teki Bokshin,  anëtarin tjetër të komisionit vlerësues. 

Ai tha se gjithçka është bërë në pajtim me ligjin dhe nuk ka pasur shkelje gjatë procedurës së zgjedhjes së Muçajt.

“ Komisioni i ka propozuar Këshillit Prokurorial propozimin për një kandidat dhe ai kandidat është votuar dhe ka kaluar, kështu që unë mendoj se këtu nuk ka absolutisht asnjë shkelje në kuptimin se Këshilli Prokurorial ka mundur të kërkojë që eventualisht të votohet edhe për kandidat të tjerë”, tha Bokshi.

Anëtari i KPK-së tha se mund të jetë e vërtetë që më herët janë propozuar të gjithë kandidatët nga Komisioni Vlerësues por sipas tij zgjedhja e Florent Muçajt nuk paraqet shkelje.

Ndërsa Florent Muçaj, i kontaktuar disa herë nga Gazeta Jeta në Kosovë nuk ka dashur të flasë rreth zgjedhjes së tij si anëtar i KPK-së. 

Heshtjen e tij e kishte zgjedhur edhe më 12 nëntor, kur Platforma KALLXO.com kishte raportuar për kundërshtimet e shoqërisë civile ndaj zgjedhjes së Muçajt si anëtar i KPK-së.

“Të gjithave do t’ju përgjigjem. Mos keni merak”, ishte përgjigja e shkurtër e Muçajt e dhënë për KALLXO.com.

Arsyeja se përse komisioni kishte propozuar vetëm kandidatin Muçaj, sipas procesverbalit ka të bëjë me ngritjet akademike, punën e tij si asistent në Universitetin e Prishtinës në Katedrën Kushtetuese- Administrative  si dhe pjesëmarrës  në cilësinë e ekspertit pranë Komisionit ad- hoc Parlamentar për Ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës.

Gazeta Jeta në Kosovë më 9 shtator kishte raportuar për zgjedhjen e Muçajt dhe afërsinë e tij me Arsim Bajramin e Partisë Demokratike të Kosovës në pushtet. 

Bajrami është profesor në katedrën ku Muçaj është asistent.

Ka qenë pjesë e komisionit për ndryshimin e Kushtetutës, ku Muçaj ishte angazhuar në cilësinë e ekspertit.

Po ashtu Bajrami i PDK-së është themelues i Institutit për Studime Kushtetuese e Politike, ISKP e cila përfaqësohet nga Florent Muçaj.

Në procesverbal jepet edhe një e dhënë. Aty thuhet se Muçaj është nominuar si kandidat nga Organizata për Hulumtime Juridike dhe Sociale “Omnes”.

Në hulumtim e gazetës, nuk është vërejtur asnjë aktivitet që kjo organizatë ka bërë gjatë viteve apo muajve të fundit. Madje nuk ekziston asnjë faqe zyrtare e kësaj organizate.