Historia e Vështirë e Raporteve PDK- LDK

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ish-kryetar i Prishtinës, njoftoi përmes Facebook-ut se partia e tij do ta udhëheqë qeverinë e re, edhe pse një gjë e tillë ka mbetur për t’u konfirmuar nga Hashim Thaçi dhe PDK-ja.

 “Mbrëmë, pas një diskutimi të gjatë, duke pasur parasysh gjendjen në të cilën ka ardhur vendi u morëm vesh në parim me z. Hashim Thaçi, kryetar I PDK-së që të bëjmë marrëveshje të koalicionit për qeverisjen e ardhshme të vendit,” ka shkruar Mustafa.

Kjo marrëveshje i jep fund ngërçit politik të krijuar pas zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit që zgjati më shumë se pesë muaj. Në javët e fundit, diplomatë evropianë dhe amerikanë e kanë rritur presionin te liderët kosovarë që të formojnë qeverinë në mes të shqetësimeve se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është duke u lënë anash dhe se shteti rrezikon seriozisht një krizë ekonomike pa miratimin  e buxhetit për vitin 2015 në kuvend.

Për kryeministrin në largim, marrëveshja nënkupton mbijetesë: e lejon partinë e tij që të mbetet në pushtet, gjë e cila dukej e pamundshme pasi që LDK-ja dhe partitë e tjera që ishin në opozitë formuan një koalicion pas zgjedhjeve të qershorit.

Për Isa Mustafën, marrëveshja paraqet një hap të rrezikshëm për të qenë i rëndësishëm dhe në pushtet pas një viti nga humbja turpëruese në kryeqytetin e Kosovës.  Partia e tij u pajtua që të ketë rol dytësor në një koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Lëvizjen “Vetëvendosje” dhe Nismën për Kosovën që u bashkuan për të pamundësuar Thaçin dhe PDK-në të fitojnë mandatin e tretë.

Por ai tani mund të rrijë më i qetë në krye të partisë, pasi ka muaj që i ka shtyrë zgjedhjet e brendshme për shkak të paqartësisë së pozitës së LDK-së në qeverinë e re.

Edhe pse partia më e madhe ndër partnerët e koalicionit të ashtuquajtur LVAN, LDK-ja u pajtua që ta përkrahë Ramush Haradinajn për kryeministër, deri sa Mustafa do të bëhej kryetar i kuvendit me premtimin që do bëhej president, atëherë kur mandati i Presidentes Jahjaga të përfundonte në fillim të vitit 2016.  Por, një vendim i Gjykatës Kushtetuese e prishi këtë marrëveshje duke e anuluar zgjedhjen e Isa Mustafës në krye të kuvendit dhe duke i garantuar këtë post PDK-së.

Pas këtij vendimi të kushtetueses, që i lejoi PDK-së që i jepte mundësi PDK-së që pafundësisht ta zvarriste formimin e qeverisë, VLAN-i nuk mundi që të bëjë një marrëveshje të re për ndarje pushtetesh.  Mustafa dëshiroi postin e kryeministrit, me Haradinajn që refuzoi ta pranojë një gjë të tillë.

Fisnik Korenica nga Grupi për studime Juridike dhe Politike, beson se Hashim Thaçi e ka ditur këtë dobësi të partnerëve të koalicionit.

 “Duket se PDK-ja i ka ditur që në fillim pikat e dobëta të bllokut që kanë qenë interesi i tyre për të marrë pushtet dhe jo për të larguar PDK-në.  Duke e ditur këtë, ai e ka bllokuar procesin që në fund çoi në përplasje serioze brenda bllokut,” tha Korenica për BIRN-in.

Raportimet fillestare tregojnë se Isa Mustafa do të bëhet kryeministër, por është ende e paqartë sesa fuqi në të vërtetë do të ketë, meqë PDK-ja ka 37 deputetë në parlamentin e Kosovës, ndërsa LDK-ja ka 30. Partitë është raportuar se janë marrë vesh që t’i ndajnë edhe postet e ministrave.

Qysh në fillim, kjo marrëveshje është duke u shikuar si tejet e vështirë për LDK-në. Shumë nga zyrtarët dhe përkrahësit e kësaj partie kanë shumë pak simpati për PDK-në dhe kanë pasur shpresa se partia e tyre do të arrijë që të thyejë dominimin shtatë vjeçar të PDK-së në politikën e vendit.

 “Kjo përjetësisht i then zemrat dhe besimin e palëkundur të elektoratit tonë në LDK. Një vendim i tillë është në kundërshtim me vullnetin e këtij elektorati sepse këtë na e kanë thënë në qindra e qindra takime anekënd Kosovës. Kërkesa e vetme ka qenë (ashtu siç po përsëritet edhe këto ditë) kjo: jo me PDK-në,” ka thënë Vjosa Osmani në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së ku u vendos ‘kthesa e madhe’ e LDK-së.

LDK-ja u largua nga koalicioni i parë me PDK-në në tetor të vitit 2010 pasi që liderët e partisë mendonin se zëri i tyre nuk dëgjohej sa duhet. Koalicioni gati se ishte prishur edhe një vit më herët, në nëntor të vitit 2009, kur në Klubin “Zanzi Bar” të kryeqytetit, PDK-ja kishte vendosur unanimisht që ta prishë koalicionin.

Bashkimi i këtyre dy partive që ndodhi pas zgjedhjeve të vitit 2007, ka qenë i vështirë për të dy palët. PDK-ja ishte krijuar nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kishte përkrahje më shumë nga zonat rurale të Kosovës, edhe pse kjo ka filluar të ndryshojë.

Në anën tjetër, LDK-ja e formuar nga Ibrahim Rugova, ka qenë parti me shtrirje më urbane, me përkrahje më të madhe që vinte nga Prishtina.