Një Karrige Që Po Rrezikon Stabilitetin Politik

Një zyrë luksoze, suitë këshilltarësh jashtë sallës së Kuvendit dhe një karrige më të madhe se deputetët tjerë si dhe komandën e mikrofonit.

Por edhe ushtrues detyre i Presidentit, atëherë kur vendit i mungon udhëheqësi më i lartë shtetëror, apo kur ai nuk është në gjendje ta ushtrojë detyrën.

Kjo është ajo që e dallon kryetarin e Kuvendit nga 119 kolegët e tij të tjerë deputetë që të gjithë të zgjedhur brenda rregullave të njëjta- me votën e popullit.

Në gjuhën angleze i thonë “Speaker” (Folës), ndërsa në gjuhën shqipe “Kryetar”.

Në shtetet demokratike është jo më shumë se “i pari në mesin e të barabartëve”, por në Kosovë pothuaj secili prej kryetarëve të deritanishëm ka krijuar një sens protagonizmi në skenën politike.

Që nuk mendohet si i tillë në Kosovë, e tregon edhe zënka politike e dy muajve të fundit.

Më 17 korrik, partitë e bënë sallën e parlamentit lëmsh me procedura e propozime. Dy blloqet më të mëdha politike atë ditë i kishin vënë vetes synimin ta zotëronin këtë post.

Synimin e njëjtë e kanë edhe për nesër, në vazhdimin e seancës që mund të ndodhë nesër. 

Për  vazhdimin e saj u desh  të pritej gati dy muaj dhe për të cilën u mor një vendim voluminoz i Gjykatës Kushtetuese.

Kryesuesja e seancës inauguruese të Kuvendit Flora Brovina, i ka ftuar deputetët për vazhdimin e seancës me një pikë të vetme të rendit të ditës- zgjedhjen e kryetarit dhe kryesisë së legjislativit.

 PDK-ja e do në këtë pozitë Arsim Bajramin, ndërsa blloku LDK-AAK-NISMA, i “pasuruar” që nga e mërkura edhe me “Vetëvendosjen”, duan që këtë pozitë ta marrë Isa Mustafa.

Ky i fundit, mori vota të mjaftueshme më 17 korrik, por Gjykata Kushtetuese e ktheu procesin nga fillimi, pasi gjeti shkelje në rrjedhën e seancës.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, Kosovën e përcolli bllokada politike, pa një Kuvend që miraton ligje dhe me një qeveri në ikje që mori disa vendime pavarësisht legjitimitetit që i vihej në dyshim.

Seanca rrezikon të jetë përsëritje e 17 korrikut 

Për analistët e vendit seanca që mund të mbahet më 12 shtator do t’i ngjajë asaj të kaluarës dhe deputetët do të paraqiten me të njëjtin skenar dhe me të njëjtat qëllime.

“Nuk do të pritet ndonjë ndryshim radikal nëse nuk ka ndonjë marrëveshje paraprake”, thotë për gazetën Jeta në Kosovë, analisti Blerim Burjani.

Por sipas tij, marrëveshje paraprake nuk ka pasi që palët nuk janë të interesuara për t’i zgjidhur problemet.

“Thuajse të dy palët janë të interesuara  të pozicionohen në anët e kundërta , njëri përballë tjetrit”, u shpreh Burjani.

Ai tha se ideja për të shkuar prapë me sjellje të njëjta dhe “të bëhet një film i njëjtë” në seancën e re sikurse në seancën e 17 korrikut, nuk është zgjidhje. 

Sipas Burjanit, situata e krijuar nga subjektet politike është e pakuptimtë për elektoratin dhe qytetarët e Kosovës.

“Nëse nuk ka një marrëveshje për zgjidhje do të ketë një marrëveshje për zgjedhje të jashtëzakonshme, por jo të lihet situata peng”, tha Blerim Burjani.

Pritjet që atmosfera në sallën e Kuvendit të jetë e njëjtë i rrisin edhe pozicionet e çimentuara të PDK-së dhe bllokut tjetër të partive politike.

Edhe Analisti Artan Muhaxhiri e sheh seancën e 12 shtatorit të ngjashme me atë të 17 korrikut. 

“Kemi parë ashpërsim të gjuhës edhe të përfaqësuesve të bllokut dhe PDK-së, andaj nuk ka asnjë gjasë që të ketë ndonjë marrëveshje që do të ketë një mbledhje normale”, tha Muhaxhiri.

Ai tha se do të ketë përsëritje të skenave ku PDK-ja do të insistojë te nominimi i kryeparlamentarit si e drejtë e tyre ekskluzive, ndërsa Blloku do të insistojë të respektohet pika 127 e vendimit të Gjykatës Kushtetuese ku thuhet se deputetët duhet të gjejnë zgjidhjen për të mos lejuar që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

“Kjo shenjë është shumë e qartë se politikanët tanë nuk kanë dije të mjaftueshme politike, mirëpo nuk kanë as ndërgjegje e moral”, pohoi Muhaxhiri duke shtuar se është e pafalshme që subjektet politike ta bllokojnë procesin, krijimin e institucioneve të reja, për shkak të paaftësisë së tyre për të gjetur zgjidhje.

Muhaxhiri thotë se si pasojë e këtij ngërçi politik ka institucione të pavarura të cilat nuk po i mbikëqyr askush.

“Nuk ka as Kuvend, as institucione . Kjo është absurd i absurdeve se çfarë shohim ne dhe çka po ndodh në këtë vend, duke shkuar me qëllim dhe pa qëllim, me vetëdije dhe pa vetëdije drejt një bllokade të plotë institucionale”, deklaroi Muhaxhiri.

“Blloku mund ta votojë Arsim Bajramin e pastaj ta shkarkojë atë”

Seancën e 12 shtatorit ka analistë që e shohin ndryshe. 

Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike tha se ekziston mundësia që deputetët e LAN-it të thërrasin një seancë të jashtëzakonshme pas zgjedhjes së kryeparlamentarit nga ana e PDK-së dhe të kërkojnë shkarkimin e tij.

“LAN-i mund të vendosë për arsye strategjike që ta shkarkojë po ditën e nesërme apo të njëjtën ditë kur deputetët mund të thërrasin një seancë të jashtëzakonshme brenda pak orëve, kur procesi i votimit të kandidatit të PDK-së të ketë përfunduar”, tha  Doli , duke shtuar se kjo është e vetmja mënyrë se LAN-i mund t’i shfrytëzojë pikat 126 dhe 127 të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Por nëse ndodh e kundërta dhe blloku opozitar vazhdon të insistojë në kërkesën për ta marrë postin e  kryeparlamentarit, sipas Dolit, duhet të bëhet një zgjidhje tjetër.

“Zgjidhja e vetme që mbetet në tërë Kosovën është që Kuvendi të votojë për shkarkimin e vetvetes dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme”, theksoi Doli.

Edhe Abert Krasniqi nga KIPRED-i tha se e vetmja mënyrë se si blloku LDK-AAK-NISMA mund ta zbatojë marrëveshjen e tyre për kryeparlamentar është “ta votojë kandidatin e PDK-së e më pas të kërkojë shkarkimin e tij”.

Ai tha se blloku duhet të tregohet gjakftohtë dhe të mos përsëritet i  njëjti skenar  i 17 korrikut.

“Rasti mund të shkoj prapë në Gjykatën Kushtetuese dhe të prolongohet formimi i institucioneve dhe nuk mund të arrijnë për të bërë asgjë”, tha Krasniqi.