EULEX-Tash Ndryshe!

EULEX-i ende nuk po largohet, por është duke u zvogëluar dhe duke u bërë më pak i fuqishëm. 

Misioni i BE-së për Sundim të Ligjit i cili erdhi në Kosovë në vitin 2008 para shpalljes së pavarësisë, do të largojë rreth 30 për qind të stafit të tij prej 2,070 pjesëtarëve dhe do ta zvogëlojë buxhetin prej 111 milionë euro për rreth 20 për qind, në momentin kur më shumë detyra të tij t’ia kalojë autoriteteve vendore në mandatin e ri i cili fillon në tetor. 

“EULEX-i do të punojë më shumë me Kosovën dhe më pak për Kosovën,” tha njëra nga zëdhënëset e EULEX-it përmes një emaili. 

Gjatë punës së vet 6.5 vjeçare, EULEX-i ka pasur rol të zgjeruar shpesh edhe vendimtar në mbikëqyrjen dhe formësimin e drejtësisë dhe ligjit në Kosovë, si dhe sistemeve ekzekutuese përmes një numri të konsiderueshëm të gjyqtarëve, prokurorëve dhe policëve ndërkombëtarë të zbarkuar në vend.

Roli i tij kryesor ishte në menaxhimin e rasteve – të korrupsionit dhe krimeve të luftës – të cilat konsideroheshin të ndjeshme për autoritetet lokale. 

Derisa Misioni do zë vazhdojë me hetimet ekzistuese, prokurorët e tij nuk do të mund të iniciojnë raste të reja sipas ligjit i cili u miratua në Kuvend, para se ai të shpërbëhej në prill dhe një marrëveshjeje të presidentes së Kosovës dhe shefes së BE-së për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton.

Në ndërkohë gjyqtarët e EULEX-it do të jenë në numër përgjysmë më të vogël sesa homologët e tyre nëpër trupat gjykues. Stafi i EULEX-it do të jetë aty për të ‘monitoruar, mentoruar dhe këshilluar’ kolegët e tyre vendorë në detyrat e tyre të reja. 

Megjithatë, këto vendime nuk janë që nuk do të mund të ndryshohen. Misioni i BE-të thotë se ‘mund të kërkojë që raste të reja të u caktohen prokurorëve të EULEX-it dhe të kërkojë shumicë të EULEX-it në panele të gjykatave në rrethana të jashtëzakonshme.” 

Është hapi i parë madhor drejt objektives për të bartur ‘kompetencat ekzekutive’ tek autoritetet vendore deri në vitin 2016, kur të skadojë mandati i ri i EULEX-it. 

“Ne vazhdimisht inkurajojmë dhe mbështesin aktorët lokalë në marrjen përsipër sa më shpejt të përgjegjësive,” tha për BIRN-in, tha Maja Kocijanciq, zëdhënëse e Eshtonit, përmes një emaili. 

Sipas zëdhënëses së EULEX-it, deri sot, EULEX ka shqyrtuar rreth 2,500 raste penale, 350 prej të cilave konsiderohen të jenë raste të korrupsionit të profilit të lartë, krime lufte dhe krime të organizuara, duke  përfshirë edhe rastin për trafikim organesh Medicus.

Misioni gjithashtu ka shqyrtuar rreth 40,000 raste civile, kryesisht pronësore.

Derisa rastet më të ndjeshme – ato që kanë të bëjnë me ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – do të menaxhohen nga tribunali ndërkombëtar i sapothemeluar, theksi do të vihet tek institucionet e Kosovës që ato të vazhdojnë me punët e mbetura. 

Derisa ka disa mbështetës entuziastë të EULEX-it në Kosovë, prania e tyre shihet si një pengesë për sovranitetin e vendit – ndërsa ka fare pak indikatorë se institucionet e vendit janë të gatshme të vazhdojnë punën e vet, gjë që tregon për mangësitë e vet misionit. 

“Asnjëherë nuk ekziston një kohë e duhur që EULEX-i të largohet, por duhet shfrytëzuar çdo sekondë që institucionet vendore për sundimit e ligjit të jenë më të pavarura,” tha Shpend Kursani, analist nga Prishtina i cili ka analizuar misionin në detaje.

“Prania e EULEX-it me kompetencat që kishte deri tani nuk ka kontribuuar për këtë, sepse vetë EULEX-i ishte një mision paralel përmbi institucionet vendore dhe asnjëra nga ato nuk ka përmirësuar punën e tyre,” tha ai.

Por ka indikacione se procesi nuk do të kalojë lehtë. 


Ish-luftëtarët e UÇK-së (Grupi i Llapit) në gjykim nga EULEX. Foto: Atdhe Mulla

Disa nga stafi i EULEX-it në biseda private kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për shkurtimin e 600 vendeve të punës – 400 ndërkombëtarë dhe 200 vendorë – në një proces të hapur konkurrues. 

Ushtruesja e detyrës së kryeprokurorit të Kosovës, Sevdije Morina, gjithashtu ankohet se është lënë e painformuar për hetimet që ka zhvilluar EULEX-i. 

“Deri tani, prokurorët e EULEX-it nuk kanë ndarë informatat që i kanë mbledhur gjatë hetimeve,” tha Morina, e cila do të mbikëqyrë prokurorët e EULEX-it në Zyrën e Prokurorit Special, që deri më tani ka menaxhuar rastet më të ndjeshme në vend.

Disa prokurorë vendorë kanë punuar edhe në raste të krimeve të luftës, të cilat janë shumë sfiduese për Kosovën kur të pandehurit paraqiten të jenë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Raporti i Progresit 2013 për Kosovën ka theksuar se pozitat e prokurorëve në Dhomën Speciale të Prokurorisë nuk janë plotësuar dhe se mungon momentumi për të ndjekur krimet e nivelit të lartë.

“Momentalisht, mungojnë kapacitetet dhe zotimet për të hetuar krimet që janë nën juridiksionin e Prokurorisë Speciale” thuhet në raport. 

Morina ka shprehur zotimin se do të trajtojë rastet më të rënda duke përfshirë edhe ato të krimeve të luftës. 

“Edhe pse lufta ishte vetëm për liri, si çdo kund tjetër, ka disa shkelje të ligjeve të luftës,” tha ajo. “Çdo shkelje duhet të hetohet dhe rastet të zgjidhen”.

Ajo ka pranuar se rastet e ndjeshme janë të vështira për Kosovën, por ka shprehur shpresën e saj se prokurorët do ta tejkalojnë këtë sfidë. 

“Nuk ka arsye që prokurorët në Kosovë të frikësohen,” tha ajo.

Në janar, pas vlerësimit strategjik të mandatit të EULEX-it dhe formësimit të planeve për reduktime, një grup i gjyqtarëve ndërkombëtarë kishin ngritur shqetësimin se homologët e tyre vendorë nuk do të jenë në gjendje që të marrin përsipër barrën e punës. 

“Akoma nuk kemi arritur në atë shkallë sa që rastet shumë komplekse dhe të ndjeshme siç janë krimet e luftës, korrupsioni i rëndë dhe krimi i organizuar të barten tërësisht tek gjyqësori vendor,” i kishin shkruar 17 gjyqtarë Mats Mattson-it, shefit të Divizionit Ekzekutiv të EULEX-it, duke sugjeruar që të ketë një tranzicion më të ngadaltë.

Ky është terren i ri për gjyqtarët, por Enver Peci, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, tha se gjyqtarët vendorë janë të gatshëm. 

“Në aspektin e profesionizmit nuk e kemi problem që të udhëheqim gjykimet me gjyqtarët e EULEX-it”, tha ai.

“Por kur kemi të bëjmë me rastet e ndjeshme të krimeve të luftës që kanë të bëjnë me serbët, Këshilli Gjyqësor i Kosovës beson se gjyqtarët e EULEX-it duhet të vazhdojnë të shqyrtojnë këto raste derisa të arrihet një marrëveshje për ri-integrimin e gjyqtarëve serbë”, u shpreh ai. 

Nora Ahmetaj, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim në Prishtinë, tha se ajo është e shqetësuar për kapacitetet e gjyqtarëve vendorë për të menaxhuar krimet e luftës, sepse EULEX-i ‘nuk e ka fuqizuar gjyqësorin vendor’. 

“Është e rëndësishme që të fuqizohen kapacitetet e gjyqtarëve vendorë, në mënyrë që ata të përgatiten që të marrin rol udhëheqës në procedimin me rastet e krimeve të luftës”, tha ajo. 

EULEX-i në anën tjetër thotë se përkundër reduktimeve, mbetet i zotuar për integrimin e pakicës serbe të Kosovës dhe zbatimin e marrëveshjes së prillit të vitit 2013 për inkorporimin e institucioneve serbe në veri të Kosovës në institucionet e Prishtinës – duke përfshirë edhe gjyqtarët serbë në gjykatat e Kosovës.

EULEX-i ka arritur suksese në veri në disa aspekte: ka filluar mbledhja e taksave doganore në kufijtë me Serbinë në fillim të këtij viti, stafi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë janë larguar nga ‘institucionet paralele’ dhe policia në veri që i përgjigjej Serbisë tashmë është integruar në Policinë e Kosovës.

Polici i EULEX – në roje para gjykimit. Foto: Atdhe Mulla.