Heqja Dorë Nga Besimi i Votuesit

Para se Vlora Çitaku të garonte për t’u bërë deputete e Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e 8 qershorit, pak kush duket të ketë ditur se ajo nuk do të pranonte këtë post edhe nëse do të mblidhte votat e mjaftueshme.  

Mbi 6 mijë votues të cilët e kanë shënjuar numrin gjashtë të cilin ajo e mbante në listën e kandidatëve të PDK-së, do të duhet të kënaqen me performancën e deputetes Ganimete Musliu, e cila do të zëvendësojë atë. 

Ministrja në largim e Integrimeve Evropiane i ka dorëzuar të hënën dorëheqjen e saj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke arsyetuar vendimin me gjetjen e  një punë tjetër.    

“Arsyeja për heqje dorë nga mandati lidhet me angazhimet e mia të reja profesionale, të cilat kërkojnë nga unë që të mos jem e përfshirë politikisht në asnjë subjekt politik,” ka qenë sqarimi i Çitakut në kërkesën e dërguar KQZ-së për t’u zëvendësuar me një deputete tjetër.  

Por përveç Çitakut, edhe një deputet i zgjedhur ka shfrytëzuar të drejtën e tij për të dorëzuar mandatin e deputetit. 

Liburn Aliu nga Lëvizja Vetëvendosje, që rreth gjashtë muaj para se të kandidonte për deputet është emëruar si drejtor në Komunën e Prishtinës, ka dhënë dorëheqje nga posti i deputetit.

Që të dy këta do të vazhdojnë të angazhohen në detyra të tjera, duke u zëvendësuar në Kuvendin e Kosovës nga deputetë të cilat nuk kishin marrë votat e mjaftueshme nga elektorati.  

Gazeta i ka dërguar pyetje Aliut për të pyetur rreth vendimit të tij për të dorëzuar mandatin e deputetit, por deri të hënën nuk ka marrë përgjigje.  

Liburn Aliu që është pjesë e Lëvizjes “Vetëvendosje” që nga themelimi i saj, ishte dënuar më nëntë vjet burg nga regjimi serb për shkak të pjesëmarrjes në aktivitet ilegal politik.  Ai i kishte mbijetuar Masakrës së Dubravës në maj të vitit 1999.

Para se të emërohej si drejtor në Komunën e Prishtinës në fillim të vitit 2014 pasi që Lëvizja “Vetëvendosje” fitoi në kryeqytet, Aliu ishte deputet në Kuvendin e Kosovës që  prej vitit 2011.  

Qasje injoruese ndaj elektoratit

Analisti politik Dukagjin Gorani nuk sheh ndonjë problem serioz nëse një deputet dorëhiqet nga mandati i tij për t’i dhënë hapësirë dikujt tjetër.  Ai më shumë fokusohet tek aspekti ligjor i atij vendimi.

“Megjithatë, deputeti ka të drejtë të vendosë për karrierën dhe jetën e tij/saj profesionale.”

Por, vendimi i Çitakut dhe Aliut kritikohet nga Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës, i cili veprimin e tyre e cilëson si shkelje të besimit ndaj atyre që i kanë votuar.

“Është qasje injoruese ndaj votuesve dhe kjo shihet si një veprim strategjik i partive politike. Ata vendosin personalitetet që janë më të shquara brenda një subjekti, vetëm për të krijuar një perceptim te popullata se kjo është lista që do t’i përfaqësojë ata dhe më pas ata po injorojnë këtë besim”, thotë ai.  

Ai thotë se votuesi duhet të jetë më i vëmendshëm gjatë përzgjedhjes  së njerëzve që do t’i përfaqësojnë ata.

“Ka ardhur koha kur votuesi duhet të reflektojë qartë se kush duhet t’i përfaqësojë ata  –  kush me të vërtetë e ka qëllimin t’i përfaqësojë, e jo të themi një mënyrë t’i injorojë apo ta tradhtojë votën e elektoratit”, ka thënë ai.

Kritikat e Çitakut ndaj PDK-së

Çitaku, e cila pritet të largohet nga Partia Demokratike e Kosovës ka pasur tone kritikuese në muajt e fundit ndaj PDK-së, edhe pse i ishte gëzuar dhe kishte festuar fitoren e saj në zgjedhjet e fundit.

Në një intervistë për gazetën Jeta në Kosovë në muajin janar të këtij viti, ajo kishte thënë se disa njerëz në PDK po prodhojnë skandale që e humbin ndershmërinë e partisë.

“Ka shumë njerëz në PDK që jetojnë ndershëm dhe kjo po humb nën vorbullën e skandaleve që po i prodhojnë një grup njerëzish”, ka thënë Çitaku në emisionin Jeta në Kosovë që u transmetua më 9 janar.

Ajo kishte folur edhe për figura me ndikim të partisë, siç janë Sami Lushtaku dhe Bekim Haxhiu-“Kamishi”, për të cilët kishte thënë se nuk është etike që mbajnë disa pozita.

“Absolutisht nuk është etike. Te ne thirren në ligj. Por, Kosova nuk i zgjedh problemet nëse Haxhiu heq dorë nga njëra pagë. Por ne duhet të vendosim një standard dhe standardet nuk vendosen kur një zyrtar i zgjedhur vazhdon të marrë tri paga. Për mua nuk është etike.”   

 Ajo njihej edhe për marrëdhënie të tendosura me ish-sekretarin e PDK-së Jakup Krasniqin, i cili së bashku më Fatmir Limajn, nënkryetarin e PDK-së, po ashtu janë larguar nga partia e themeluar pas luftës.

Gjatë një bisede që kishte bërë në telefon me shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovcin, Çitaku ishte zënë duke thënë se “pa e hjek Jakupin s’ka sen.  Po të sabotojnë”. 

Ajo ishte arsyetuar se nuk i kujtohet situata saktësisht, por sipas saj, fjalia është nxjerrë nga konteksti.