Përmbajtja e Letrës së Jahjagës Sipas së Cilës u Votua Gjykata Speciale

Presidentja i shkruan baroneshës se  konfirmon që puna e Task-Forcës Speciale për Hetime e EULEX Kosova (SITF), (e krijuar për hetimet e akuzave të Dick Martyt ) do të vazhdojë deri në kohën kur Kosova të njoftohet nga Këshilli i Bashkimit Evropian që hetimet kanë përfunduar, ose që procedimet që rrjedhin nga ato hetime kanë përfunduar.

Nëse hetimi nga SITF-ja rezulton me aktakuzë dhe procedurë gjyqësore, presidentja thotë se duhet siguruar një mjedis të përshtatshëm për administrimin e duhur të drejtësisë.

“Në pajtim me këtë një gjykatë të specializuar brenda sistemit gjyqësor të Kosovës, si dhe një zyrë e specializuar prokurorie do të shfrytëzoheshin për procedurat gjyqësore të Kosovës dhe të apelit që dalin nga hetimet e SITF-së”, thuhet në letrën dërguar përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme.

Kjo gjykatë do të kishte një seli në Kosovë, por procedurat e ndjeshme ku përfshihet dëgjimi i  dëshmitarëve, do të mbaheshin jashtë vendit.

Përveç kësaj sipas letërkëmbimit mes presidentes dhe baroneshës, dosjet dhe shkresat e ndjeshme do të paraqiten dhe mbahen ekskluzivisht jashtë vendit.

Për të mundësuar funksionimin e procedurave të tilla, Jahjaga dhe Ashton janë marrë vesh që Kosova të themelojë dhoma të veçanta të dedikuara gjyqësore, të cilat do të zhvendosen në një shtet të tretë, në bazë të një marrëveshjeje me atë shtet dhe të cilat do të përfshinin të gjitha instancat e sistemit gjyqësor, duke përfshirë Gjykatën Kushtetuese për çfarëdo procedure penale që mund të iniciohet nga SITF-ja.

Letërkëmbimi në fjalë thotë që këto struktura do të administrohen me statutin e vet dhe rregulloren e punës dhe të dëshmive, duke përfshirë edhe dispozitat për kufizimet dhe dhënien e fajlave, paraburgimit si dhe kryerjen e dënimeve eventuale jashtë vendit.

Strukturat do të përbëhen nga zyrtarë që zgjidhen dhe udhëhiqen vetëm nga personeli ndërkombëtar i EULEX-it.

Të gjitha masat ligjore që ndërmerren në Kosovë për themelimin e gjykatës së specializuar në lidhje me SITF-në, duke përfshirë edhe amendamentet kushtetuese, do të miratohen në pajtim me me ligjin në Kosovë si dhe do t’i nënshtrohen shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese.

Në këtë letër presidentja thotë se e mbështet tranzicionin e mandatit të EULEX Kosova, duke përfshirë edhe politikën e siç thuhet në letër “normalisht mosmarrja e rasteve të reja”.

Të gjitha institucionet e sundimit të ligjit do të udhëhiqen nga zyrtarë kosovarë thuhet në letër.

“Gjyqtarët dhe prokurorët e EULEX-it do të vendosen në institucionet e Kosovës dhe do të shërbejnë në pajtim me legjislacionin e Kosovës”, shkruhet në letër.

Presidentja shkruan më tutje se në bazë të nenit 20 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës kompetencat që do t’i delegohen EULEX-it janë si në vijim: (a) Të emërojë gjyqtarë, sipas neneve 65, 108, 114 respektivisht 84 të Kushtetutës, duke iu nënshtruar edhe konfirmimit të atyre emërimeve nga presidenti, pas pëlqimit nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, si dhe (b) të emërojë prokurorë  sipas nenit 110, respektivisht 84 të Kushtetutës, duke iu nënshtruar edhe konfirmimit të atyre emërimeve nga presidenti, pas pëlqimit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Kjo letër është pjesa kryesore e korrespodencës mes presidencës dhe baroneshës Ashton. E që përcakton detajet e misionit të EULEX-it. Ky letërkëmbim është miratuar të mërkurën si projektligj në Kuvendin e Kosovës me 89 vota pro.

Sipas kësaj letre përfaqësuesi special i BE-së do të bëjë emërimin përfundimtar  të 3 anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKP/AKKVP), dy anëtarëve ndërkombëtarë të Komisionit të Kosovës për Kërkesa Pronësore (KKP), tre anëtarëve të Komisionit të Kosovës për Verifikim dhe Vendosje për Prona (KKVP), duke përfshirë një përfaqësues të komuniteteve joshumicë.

Oficerët policorë të EULEX-it parashihet të kenë autorizime për të vepruar në nivelin qendror (duke përfshirë ministritë), rajonal dhe lokal, pasi që Ministri i Punëve të Brendshme të jetë njoftuar për emrat e tyre.

Catherine Ashjton i ka kthyer përgjigje Jahjagës duke u shprehur e kënaqur me përkushtimin e presidentes për të asistuar EULEX-in, i cili sipas letrës së baroneshës do të ndihmojë në integrimin e mëtutjeshëm të Kosovës në BE.

Letrën e plotë të Jahjagës mund ta lexoni këtu.