Pesë Kryetarët që Përfituan nga Universitetet

Kryetari i Prizrenit Ramadan Muja, i dënuar në mars 2014 nga gjykata e këtij qyteti me dy vjet e gjysmë burg me kusht dhe 30 muaj ndalesë ushtrimi të funksioneve publike për keqpërdorim pronash komunale dhe të AKP-së, përfitoi nga një vendim i diskutueshëm i ministrit të Arsimit Ramë Bujës. 

Buja vendosi që kryetarët e komunave ku janë hapur universitete publike viteve të fundit, të jenë pjesë e bordeve themeluese të këtyre institucioneve të arsimit të lartë deri në zgjedhjen e organeve të rregullta

Universiteti i Prizrenit u themelua në vitin 2009, ai i Pejës nisi punën tre vjet më vonë, ndërsa vitin e kaluar u funksionalizuan edhe universitetet në Gjilan, Gjakovë e Mitrovicë.

Të gjitha këto universitete, para se të zgjidhnin organet e tyre të rregullta i patën në bord kryetarët e komunave ku u themeluan. 

Universiteti i Prizrenit vazhdon ende ta ketë pjesë të bordit Ramadan Mujën, pasi aty nuk janë mbajtur zgjedhjet. Muja aktualisht është rikthyer për të ushtruar detyrën e kryetarit të Prizrenit interpretimit të ministrisë së pushtetit lokal se nuk mund ta ngrinte pozitën dhe ka apeluar vendimin e shkallës së parë –gjykatës së Prizrenit.

Bordi i UPZ-së filloi punën më 6 maj 2011 dhe Ramadan Muja në deklarimet e pasurisë për dy vjetët vijues në Agjencinë Kundër Korrupsion deklaroi të ardhura të marra nga universiteti. 

Në vitin 2012 ai mori pagë vjetore prej 5 mijë e 397 eurosh, kurse në 2013-ën 9 mijë euro. 

Zëdhënësi i Komunës së Prizrenit dhe këshilltari politik i Mujës Ymer Berisha thotë se kryetari i këtij qyteti do të qëndrojë në pozitën që ka në UPZ deri në zgjedhjen e bordit të ri. 

“Jo [s`ka dorëheqje]. Kryetari merr pjesë në bord të UPZ-së dhe meqë ka qenë punëtor universitar mbi 40 vjet, jep kontribut të çmueshëm në zhvillimin e politikave në interes të studentëve”, thotë Berisha.

Detyrë e Mujës në bordin e universitetit të qytetit të dytë për nga madhësia në vend, është mbikëqyrja e vendosjes së bazës infrastrukturore në të gjitha segmentet e UPZ-së. 

Zgjedhjet për organet drejtuese të Universitetit në Prizren pritet të mbahen së shpejti. Zëdhënësi i UPZ-së Ramadan Baraliu thotë se javën e ardhshme senati i universiteti do të zgjedhë katër anëtarët e Këshillit Drejtues dhe 3 anëtarë tjerë do ti caktojë MASHT. 

Arbër Morina, këshilltar për media i ministrit  të arsimit, e pranon se ka pasur ngecje për zgjedhjen e mekanizmave drejtues në Universitetin “Ukshin Hoti”, por thotë se kjo ka qenë punë e menaxhmentit të universitetit.


Në hapjen zyrtare të Universitetit të Gjilanit

Pagesa e dyfishtë

Si Muja, nga vendimi i ministrit Buja, përfituan materialisht duke qenë pjesë e bordeve themeluese të universiteteve edhe kryetarët e katër qyteteve tjera universitare. 

Paga e kryetarit të komunës është 1 mijë e 210 euro në muaj ndërsa pesë drejtuesit komunalë morrën rrogë edhe nga MASHT për pjesëmarrje në borde.

Ali Berishës iu kërkua dorëheqja nga Bordi i Universitetit të Pejës, derisa ende ishte kryetar i kësaj komune, pak para se të humbte në zgjedhjet lokale të vitit 2013 nga Gazmend Muhaxheri i LDK-së. 

“Në kohën kur në Universitetin e Pejës janë bërë reformimet, atëherë është ndërruar edhe bordi. 5-6 muaj para se të përfundojë mandati [si kryetari komune] nuk kam qenë nënkryetar i bordit të universitetit”, tregon ai.

Ky universitet i themeluar në vitin 2011, organet e tij drejtuese i zgjodhi vitin e kaluar. Berisha ishte emëruar në janar të vitit 2012 në Bordin e Universitetit “Haxhi Zeka”.

Berisha në Agjencinë Kundër Korrupsion për 2013-ën deklaroi pagë vjetore nga pozita e tij në bordin e universitetit në vlerën 8 mijë e 400 euro. 

Universitetet në Gjakovë, Gjilan e Mitrovicë ende funksionojnë me borde themeluese, por nga to kanë dhënë dorëheqje këto ditë ish-kryetarët që humbën zgjedhjet Pal Lekaj dhe Qemajl Mustafa. 

“Deri më sot [4 prill] kam qenë anëtar i Bordit të Universitetit të Gjakovës, në këtë përbërje kam ardhur si kryetar komune dhe nga sot kam dorëzuar dorëheqjen time. Kjo pozitë i takon kryetares së zgjedhur në zgjedhjet e fundit komunale”, thotë  Pal Lekaj.

Për të hequr dorë po mendon edhe ish-kryetari i Mitrovicës Avni Kastrati, por ai është ende pjesë e bordit. 

“Unë e kam paraqit kërkesën gojarisht, le të bisedojnë [rektori] me ministrin edhe të ma qartësojnë a duhet me ia parashtru unë dorëheqjen rektorit apo MAShT-i. Po pres përgjigje dhe unë kam me dhënë dorëheqje”, thotë Kastrati. 

Të tre ish-drejtuesit e këtyre komunave janë paguar për punën në organet themeluese të universiteteve. 

“Deri në fund të vitit 2013 kam marrë pagë, nëse nuk gaboj 150 euro në muaj”, thotë Kastrati për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Pagën prej 150 eurove e përmend edhe Pal Lekaj, teksa Qemajl Mustafa tregon të jetë paguar 200 euro në muaj si pjesë e Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan. 

Sipas vendimit të Bujës,  angazhimi i kryetarëve të komunave në bordet e universiteteve ka pasur të bëjë kryesisht me ndihmën e institucioneve të reja arsimore në sferën e infrastrukturës. 

Arbër Morina, këshilltar për media i ministrit të arsimit Ramë Buja, thotë se emërimi i kryetarëve është bërë me qëllim që të jenë sa më afër vendimmarrjes për ndihmën që duhet t’u japin komunat këtyre universiteteve. 

“Ndryshe është kur je në bord edhe i sheh ecuritë e themelimit të universitetit, e ndryshe kur nuk je në bord”, thotë Morina. 

Por çështja e infrastrukturës është kompetencë komunale për të cilën kryetarët marrin rrogë. 

Njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, thotë se këta kryetarë nuk do të duhej të paguheshin për një punë [në bordet e universiteteve] të cilën e kanë obligim si kryetar komunash.

“Kjo është e  papranueshme dhe e pahijshme, pasi kryetari i komunës duhet të jetë mbështetës i çdo nisme që çon në zhvillimin e komunës, e jo të angazhohet në cilësinë e ekspertit”, tha Pupovci.

Fidan Kalaja nga organizata joqeveritare “Fol”, mendon se kryetari i komunës ka përgjegjësi ligjore menaxhimin e komunës dhe kjo nuk do të thotë se atij për detyrën që duhet kryer, duhet t’i ofrohen privilegje të tilla. 

“Është totalisht i panevojsëm emërimi i kryetarëve të komunave në këto pozita, e shumë më shumë e panevojshme është paga e tyre në lidhje me këto pozita”, thotë ai. 

Por Arbër Morina nga MAShT-i mbron kryetarët e komunave për pagat që i morën duke qenë pjesë e bordeve të universiteteve publike kosovare. 

“Kanë të gjitha të drejtat dhe përgjegjësitë, si të gjithë anëtarët e tjerë të bordeve, andaj nuk mund të bëhet ndonjë diskriminim sa u përket pagesave”, shpjegon Morina. 

Duke qenë edhe vetë anëtar i Bordit Themelues të Universitetit të Gjakovës, ai mohon se kjo pozitë e tij paraqet konflikt interesi në raport me punën që bën në ministri. 

“Jam emëruar sikurse edhe këshilltarët e tjerë nëpër universitetet tjera”, tha ai. 

Kryetarët mund të ndihmonin edhe nga komuna 

Ish-kryetari i Mitrovicës Avni Kastrati lavdërohet se duke qenë pjesë e bordit të Universitetit “Isa Boletini”, përshpejtoi funksionalizimin e tij. 

“Deri sa kam qenë kryetar komune kam dhënë tokën për universitetin dhe kemi pasë angazhime rreth përshpejtimit të ndërtimit”, thotë Kastrati, duke e pranuar megjithatë se kjo është kompetencë për të cilën paguhej si kryetar komune. 

Kolegët e Kastratit nga qendrat tjera universitare të vendit janë edhe më modestë. 

” Po, 100%, sa më përket mua, puna ish kry si kesh unë aty [në bord], si nuk kesh”, thotë Ali Berisha që drejtoi Pejën deri në vitin 2013, pasi sipas tij “komunat kanë pasur interes themelimin e këtyre universiteteve”. 

Të njëjtën e thotë edhe Pal Lekaj. 

“Kisha mujt me bë edhe pa qenë në bord punën e ndarjes së hapësirave dhe ndihmën tjetër për universitet”, shpjegon ai. 

Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale komunat mes tjerash janë përgjegjëse për planifikimin urban e rural, shfrytëzimin e tokës dhe zhvillimin. 

Ndërhyrje e Politikës në Arsim 

Vendimi i ministrit të Arsimit Ramë Buja që kryetarët e komunave të jenë anëtarë të bordeve themeluese të universiteteve të reja publike, nga shoqëria civile është parë si ndërhyrje e politikës në arsim.

Lëvizja “Fol” një vendim të tillë e konsideron edhe precedent të rrezikshëm për sektorët tjerë. 

“Kryetarët e komunave kanë përgjegjësi edhe në sektorin e sportit, shëndetësisë, kulturës etj. dhe kjo bën që ata patjetër duhet të jenë pjesë e bordeve ose strukturave tjera të këtyre sektorëve”, thotë Fidan Kalaja. 

Neni 17 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale e bën përgjegjëse komunën edhe për shëndetësinë publike, aktivitetet kulturore dhe ato të lira. 

Shoqërisë civile i jep të drejtë edhe ai që qeverisi Gjakovën deri në fund të vitit të kaluar. Pal Lekaj mendon se vendimi i ministrit është njëlloj ndikimi politik. 

“Vetë pozita e kryetarit që vjen me votë, është pozitë politike dhe nuk ka dilemë tjetër as nuk mund të kontestohet”, tha Lekaj. 

Ai u mundua ta arsyetojë edhe MAShT-in për vendimin duke thënë se e ka për ti koordinuar punët më mirë. 

“Por kjo merret më tepër si pozitë politike, sesa naj koordinim”, thotë Lekaj. 

Ndërkaq Ali Berisha i Pejës thotë se nuk ka qenë në interesin e tij të jetë pjesë e universitetit, por se e ka respektuar këtë vendim të ministrit.

Ndërsa  ish-kryetari i Gjilanit nuk e sheh si politik vendimin e ministrit të Arsimit dhe bashkëpartiakut të tij Buja. 

Ai përmend varësinë e universiteteve nga komunat. 

Ardian Arifaj, analist politik, duke komentuar emërimin e kryetarëve në borde të Universiteteve Publike, ka thënë se politika gjithmonë tenton të shtrijë ndikimin e saj në institucione të pavarura.

Ai ka kritikuar marrjen e pagave të cilat kryetarët i kanë marrë gjatë punës së tyre në bordet e këtyre universiteteve.

“Me ligji lejohet, por është vështirë të themi sa është kjo e moralshme,” ka thënë Arifaj.

Më shumë rreth themelimit të universiteteve mund të lexoni:

Zgjerohen Qytetet Universitare në Kosovë 

Nis “Haxhi Zeka”. Ligjin e Buxhetin Më Vonë