Pakicat e Papërfaqësuara Kërkojnë Vende në Kuvend

Subjekti politik “ Hrvatska Stranka Kosova” i cili përfaqëson popullatën kroate në Kosovë është parti e cila po pret të hyjë në parlament, nëse do të ndodhë ndryshimi për vendet e rezervuara për minoritete. 

Kryetari i këtij subjekti David Koljiq thotë se popullata kroate që jeton në Kosovë meriton të përfaqësohet në legjislativ

“Ne po presim që ta kemi një vend të rezervuar në Parlament. Nëse rezervohen më shumë se 10 vende për serbët, atëherë  një vend u takon kroatëve dhe malazezëve. Neve  na intereson… ta përfaqësojmë popullin kroat në kuvend, sepse kemi pritur shumë gjatë”, thotë Koljiq për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Koljiq paralajmëron se do të ankohet nëse kroatët kosovarë nuk fitojnë vendin e tyre në parlament. 

“Në rast se nuk do të ketë rezervim të një vendi në parlament për kroatët dhe kjo bëhet vetëm për minoritetin serb, atëherë ne do të ankohemi në Qeveri, por edhe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”, pohon Koljiq. 

Edhe partia multietnike Nova Snaga (Forca e re) që në vete ka malazezë, shqiptarë e  boshnjakë me prejardhje nga Mali i Zi, dëshiron të jetë pjesë e kuvendit. 

“Unë besoj që kjo do të ndodhë, sepse këtë e ka thënë kryeministri Hashim Thaçi, por edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Besoj që kjo të ndodhë para zgjedhjeve parlamentare dhe ne  kërkojmë 3 ulëse në parlament. Ky është minimumi dhe maksimumi që kërkojmë ne”, thotë Slobodan Vujiçiq, kryetari i Nova Snagës (Forcës së Re). 

Komunitetet pakicë të përfaqësuara në Kuvend mbajtën një tryezë me korin diplomatik të vendit më 11 dhjetor 2013, ku u diskutua për vazhdimin e vendeve të rezervuara. Të mbledhurit kërkuan që vendet e rezervuara të vlejnë edhe për dy mandate, ndërsa 5 deputetë t’i kenë të rezervuar edhe serbët e veriut. 

Ministri i Mirëqenies Sociale Nenad Rashiq, i tha gazetës Tribuna, 3 ditë më pas, se 24 nga 25 deputetët e pakicave, i duan vendet e rezervuara edhe për dy mandate, ndërsa për ta bërë këtë kanë përkrahjen e ambasadorëve. 

Përveq pakicave të papërfaqësuara vende të rezervuara kërkojnë edhe pakicat që tashmë kanë deputet në Kuvendin e Kosovës.

Opozita kundër vazhdimit të vendeve të rezervuara

Mundësia e vazhdimit të vendeve të rezervuara ka ndarë në dysh subjektet politike kosovare. LDK-ja ka qëndrimin që ato nuk duhet të vazhdohen, VV-ja edhe më herët ka qenë kundër tyre, AAK-ja është kundër, por kërkon bisedime, ndërsa PDK-ja është pro rezervimit të mëtutjeshëm të vendeve për pakicat. 

“ E vërtetë është se ka një kërkesë nga ana e partive politike në mënyrë që minoriteteve në Kosovë t’u vazhdohet edhe një mandat në vendet e rezervuara, mirëpo ne si LDK jemi për atë që të respektohet Kushtetuta aktuale”, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë, ish- kryetari i Komisionit për Reformë Zgjedhore, Haki Demolli.   

VV-ja është edhe më e ashpër. “ Në fakt kur Thaçi përmend reformën zgjedhore ai ka mendjen vetëm te vazhdimi i vendeve të rezervuara për serbët dhe asgjë më shumë”, thotë zëdhënësi i Vetëvendosjes Erzen Vraniqi. 

Melihate Tërmkolli nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kur foli për emisonin Interaktiv të KTV-së të premten, demantoi se kryetari Haradinaj ëshë pajtuar për vazhdimin edhe për dy mandate të vendeve të rezervuara për minoritetet. 

“Haradinaj ka thënë se duhet të bisedohet me liderët, të ulen të gjithë liderët, ta bisedojnë këtë çështje dhe ta marrin një vendim të përbashkët”, tha Tërmkolli të premten, për të shtuar se mes diskutimit dhe pajtimit, dallimi është i madh. 

Mediat raportuan se pas takimit të liderëve, pa Vetëvendosjen, në ambasadën amerikane në Kosovë, më 9 dhjetor 2013, ku u diskutua për reformën zgjedhore, Haradinaj të jetë pajtuar për vazhdimin e mandateve të rezervuara. Edhe AAK-ja demantoi pajtimin, më 15 dhjetor, me anë të një reagimi për mediat. 

Kryeministri Thaçi më 21 dhjetor të vitit të kaluar shkroi në profilin  e tij të Facebook-ut se reforma zgjedhore nuk mund të jetë e mirëfilltë pa reformën kushtetuese. Po në Facebook, janarin e këtij viti ai shkroi se për reformën zgjedhore është e nevojshme ndihma nga Komisioni i Venedikut. 

Ky komision është një bord këshillues i themeluar nga Këshilli i Evropës në vitin 1990, i përbërë nga ekspertë të pavarur të fushës së ligjit kushtetues. 

Edhe deputeti i PDK-së Behar Selimi, mbështeti shefin e tij partiak, kur foli për Gazetën Jeta në Kosovë. 

“ E di që vendet e rezervuara kërkojnë një amandametim kushtetues andaj vendet e rezervuara më tepër janë çështje kushtetuese, sesa e ligjit zgjedhor”, tha  Behar Selimi. 

Leon Malazogu nga Instituti D4D, mendon se për shkak të çështjes së mandateve të rezervuara për minoritetet mund të mos bëhet fare reforma zgjedhore. 

“ Së pari fatkeqësisht reforma është lidhur me çështjen e vendeve të rezervuara dhe në vend se të merremi me tema normale të reformës siç kanë qenë qoftë zonat zgjedhore, ose pragu zgjedhor, këto tema kanë dalë në rend të dytë.  Duket se ka një tendencë që për t’u ikur vendeve të rezervuara të mos bëhet reforma fare”, thotë Malazogu.