Këshillat Amerikane për Republikën në Zhvillim

Paraardhësi amerikan i Jacobsonit në Kosovë, Christopher Dell, i ardhur në Prishtinë si ambasador i shtetit më të fortë të botës në majin e vitit 2009, përdorte ndikimin e tij për të zgjidhur kriza institucionale kosovare. 

Gjetja, si ajo e zgjedhjes së Atifete Jahjagës presidente, në prillin e vitit 2011, nga marrëveshja mes Thaçit, Mustafës e Pacollit, me ndërmjetësimin e ish-ambasadorit, u kritikua për ndërhyrje në institucionet e Kosovës, por siguroni vazhdimësinë e jetës politike të vendit. 

Zgjedhja e Presidentit është politike e brendshme e Kosovës.

Ambasadorja amerikane në Kosovë Tracey Ann Jacobson në intervistën dhënë emisionit Jeta në Kosovë u pyet se pse SHBA-ja kohëve të fundit më shumë ka këshilluar se sa që ka këmbëngulur për çështjet e brendshme të Kosovës?

 “Natyrshëm, me arritjen e pavarësisë së plotë dhe të pambikëqyrur për Kosovën,  edhe raportet e ambasadave me qeverinë dhe me popullin kanë evoluar. Akoma kemi kontakt të mirë, qasje dhe bashkëpunim, por vendimet vërtet i mbeten popullit të Kosovës”, tha Jacobson në intervistën dhënë emisionit Jeta në Kosovë. 

Përfundimi i pavarësisë së mbikëqyrur u njoftua në shtatorin e vitit 2012, ndërsa u arrit në dhjetor të të njëjtit vit, kur Kosova përmbushi mbi 90 për qind të obligimeve të marra nga Plani i Ahtisaarit. 

Gruaja, që mësoi shqipen, para se të emërohej përfaqësuese diplomatike amerikane në Kosovë, duke marrë detyrën në gushtin e vitit të shkuar, dallon edhe me diçka nga ish-ambasadori. 

Vlerësimet e tyre për zgjedhjet në Kosovë janë të ndryshme.  

Dell , zgjedhjet e përgjithshme të dhjetorit 2010, i pati cilësuar me “vjedhje industriale të votës”. 

Megjithatë, rezultatet ishin pranuar nga subjektet politike që humbën zgjedhjet e fituara nga Partia Demokratike e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Hashim Thaçi.

Isha, pashë zgjedhjet, fituat…

Por, procesi zgjedhor i këtij viti nuk u përshkua me raportime për vjedhje industriale të votave. 

Jacobson, nuk gjeti elemente për ta përsëritur këtë vlerësim, përkundrazi, dha komplimente për zgjedhjet e vitit 2013. 

“Ishte një sukses i madh për tërë Kosovën. Votuesit pastaj kryen detyrën e vet – dolën në numër të madh në zgjedhje dhe krerët e partive politike u zotuan për të mbështetur proces të lirë dhe të drejtë zgjedhor”, tha Jacobson  gjatë intervistës. 

Ajo krahasoi zgjedhjet e kaluara me të tashmet. 

“Nuk kam qenë në Kosovë në 2010-ën, por mund të them se disa elemente u kombinuan për të ardhur te këto zgjedhje të suksesshme. Pikësëpari, u nxor Kodi i ri Penal i Kosovës dhe Kodi i ri i Procedurës Penale, i cili fokusohet më shumë në mashtrimet zgjedhore dhe përcakton ndëshkime më të mëdha për ato krime. Janë angazhuar policia dhe prokurorët qysh nga fillimi, madje nga fillimi i fushatave. kjo u dha votuesve më shumë besim”, shpjegoi Jacobson.

Gjithashtu, tregoi se e ndoqi nga afër votimin. 

“Më 3 nëntor dhe 1 dhjetor takova shumë punonjës të zgjedhjeve dhe më la përshtypje puna profesionale e tyre, por edhe angazhimi në monitorim, jo vetëm nga partitë politike, por edhe nga shoqëria civile. Kosova jo vetëm që mund të organizojë zgjedhje të lira,por votuesit do të kërkojnë llogari nga kandidatët, lidhur me premtimet gjatë fushatës”, vijoi Jacobson. 

Fakti se gjysma e kryetarëve u ndërruan dhe disa prej tyre do të duhet të bashkëpunojnë me asamble, ku nuk e kanë shumicën subjektet e tyre politike, sipas ambasadores do t’i ndihmojë përmirësimit të jetës së qytetarëve. 

Shpendi “amerikan”, VV-ja nuk ka ndryshuar 

Ambasadorja që një ditë pas balotazhit të 1 dhjetorit, në rrjetin social Tëitter ‘cicërroi” se ndihet krenare me Mimoza Kusari-Lilën dhe Shpend Ahmetin, dy kryetarët e ardhshëm të Gjakovës e Prishtinës, ngase kanë magjistruar të përkrahur nga programi amerikan Ron Broën, përsëriti të njëjtin vlerësim për ta. 

“Jam krenare për programet e shkëmbimit studentor të qeverisë sonë. Kjo është pjesë e bashkëpunimit tonë të madh dhe natyrisht, sa herë që ndonjë i diplomuar nga programet tona ndërmerr angazhim me përgjegjësi, qoftë në qeveri, ose në pozitë tjetër në shoqëri, ne krenohemi për atë kontribut”, tha Jacobson. 

Por ambasadorja ende nuk ka harruar përplasjen me aktivistë të Vetëvendosjes, subjektit të cilit i takon kryetari i ardhshëm i Prishtinës, më 27 qershor, kur kjo lëvizje bllokoi hyrjet në Kuvendin e Kosovës, ngase aty atë ditë do të votohej ratifikimi i marrëveshjes për normalizim marrëdhëniesh me Serbinë. 

Nga kjo përballje, ajo doli e lënduar, duke postuar po në Tëitter, foto të mavijosjes në krah. 

VV-ja atëherë nuk e pranoi fajësinë për këtë, duke thënë se ambasadorja u tërhoq për krahu nga pjesëtarë të sigurimit të saj. 

“Ajo që paraqet problem për mua, është bllokimi fizik i qasjes në Kuvend dhe kjo ishte ajo që mua më ndodhi, pra, gjatë tentim-hyrjes në Kuvend, disa aktivistë më shtynë nga muri. Në fakt, pjesa kryesore e ngjarjes atë ditë ishte bllokimi që iu bë Kryetarit të Kuvendit, duke iu marrë mikrofoni dhe duke iu penguar puna. Nuk mendoj se këto janë veprime që i bën një parti politike e pjekur dhe demokratike”, tha Jacobson.  

Atë ditë Vetëvendosje protestonte jashtë me aktivistë dhe brenda kuvendit me deputetë, ndërsa Albin Kurti  dhe Liburn Aliu, tentuan t’ia ndalojnë fjalën Jakup Krasniqit, duke ia marrë dhe përpjekur t’ia shkatërrojnë mikrofonin, që kryekuvendari të mos mundet ta njoftojë miratimin e marrëveshjes për normalizim marrëdhëniesh. 

“[VV-ja] nuk mendoj se ka ndryshuar. Së paku mund të them se askush nga Vetëvendosje nuk më ka komunikuar se ata nuk do të ndërmarrin më politikën e konfrontimit fizik, e cila për mendimin tim nuk është e duhur”, thotë ambasadorja amerikane. 

Megjithatë,  Jacobson shpreson se në të ardhmen do të vijë koha kur lëvizja Vetëvendosje do të thotë se nuk janë më të interesuar për konfrontime fizike dhe se do të ndërmarrin qasje të pjeku.

“Mos u frikësoni nga Asociacioni” 

Iniciativa Qytetare Serbe , e përbërë kryesisht nga ish-njerëz, pjesë e strukturave të Serbisë në Kosovë dhe e përkrahur hapur nga ky shtet fqinj, fitoi në nëntë nga dhjetë komunat kosovre ku mori pjesë, duke humbur vetëm në Shtërpcë, më 1 dhjetor. 

Krstimir Pantiq, kryetar paralel i Mitrovicës dhe i zgjedhur pas balotazhit kryetar i Mitrovicës Veriore, komunës së paraparë me Planin e Ahtosaarit teksa garonte me Inicitivën Qytetare Serbe,  i tha para katër ditësh “Zërit” se “kemi fituar nëntë komuna, në të cilat qytetarët serbë nuk do ta njohin kurrë pavarësinë e Kosovës”. 

Por këtyre fjalëve nuk u beson ambasadorja Jacobson. 

“Mendoj se është gabim t’i kushtohet rëndësi asaj që thuhet menjëherë pas fitores në zgjedhje. Mendoj se duhet të shohim se si do të zhvillohet procesi”, tha amerikania numër një në Kosovë. 

Iniciativa Qytetare Serbe fitoi edhe Novobërdën, qytetin që deri tash drejtohej nga Bajrush Ymeri i LDK-së. 

“Nuk e dimë akoma mirë se çfarë forme do të marrë ajo[Bashkësia e Komunave Serbe], por po shpresojmë të shohim Statutin që do të përcaktojë se si do të veprojë bashkësia, por çka dimë është se ajo do të krijohet brenda ligjit dhe kushtetutës së Kosovës”, tha Jacobson.  

Ajo i porositi kritikët e dialogut që të mos frikohen nga Iniciativa Qytetare Serbe dhe Asociacioni. 

“Së pari, do t’i inkurajoja ata që të mos t’i kapë paniku. Në fund të fundit, nuk e dimë çfarë do të jetë Statuti, por e dimë se Bashkësia nuk do të ketë përgjegjësi, ose kompetenca ekzekutive, nëse doni t’i quajmë ashtu, përtej kompetencave që i përshkruhen”, shtoi Jacobson. 

Të njëjtën gjë e përsërit vazhdimisht kryeministri Thaçi, gjatë paraqitejeve publike që lidhen me dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel, por disa nga analistët politikë, i thanë Gazetës Jeta në Kosovë, në nëntor se pas konstituimit dhe konsolidimit, asociacioni mund të mos i bindet Prishtinës zyrtare. 

Edhe Jacobson e pranoi se në zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen në vitin e ardhshëm, Iniciativa Qytetare Serbe  mund të bëhet ndër pesë-gjashhtë partitë më të fuqishme të Kosovës, por shtoi se tash nuk duhet të fokusohemi në atë që mund të ndodhë në 2014-ën, por në gjërat që aktualisht po ngjajnë. 

Ambasadorja më tutje tha se dialogu mes fqinjëve nuk duhet të përfundojë kurrë, se Kosova po fiton prej tij Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe përmirësimin e imazhit. 

Bechtel-Enka nënkontraktor i qeverisë amerikane 

Më tutje, ambasadorja amerikane dha përgjigje për çështje ekonomike. 

Jacobson  u pyet se si mund të bëhet tërheqëse Kosova për investimet e huaja, sidomos ato amerikane. 

Kosova, sipas saj, duhet t’i kushtojë rëndësi ndalimit të përhapjës së korrupsionit dhe perceptimeve të tij si dhe të fuqizojë kapacitetet e gjyqësorit. 

“E dimë se ka akumulim të madh të rasteve në gjykata, por atë që duan të dinë investitorët është se në rast të mosmarrëveshjeve afariste, a do të mund të drejtohen në gjykatë për proces të shpejtë dhe të drejtë”, këshilloi Jacobson. 

Ajo tregoi se ShBA-të nëpërmjet Departamenti të drejtësisë, Zyrës së Thesarit dhe USAID-it, janë duke ndihmuar sistemin gjyqësor të Kosovës nëpërmjet aktivizimit të ndërmjetësimit. 

Ky është një mekanizëm juridik që mund të zgjidhë çështje të pakomplikuara gjyqësore dhe nëpërmjet metodës së pranimit të fajësisë, me të cilën organi i ndjekjes dhe shkaktuesi i veprës penale, pajtohen për dënim të caktuar në këmbim me shpalljen fajtor të të akuzuarit, pa proces të stërzgjatur gjyqësor. 

Jacobson edhe përparimin e Kosovës për 39 vende në dy vjetët e fundit, në raportin e lehtësirave të të bërit biznes, të përpiluar nga Banka Botërore, ia atribuoi ndihmës amerikane për institucionet kosovare. 

Në këtë krahasim me 189 shtete tjera, Kosova vjet ishte e 96-ta, ndërsa sivjet zë pozitën numër 86. 

“Shumica e shteteve të botës janë duke u këndellur nga kriza financiare dhe se paratë për investim janë të pakta dhe investitorët janë me siguri pakëz më të ngurtë në investime, sesa që ishin në kohët kur kishte më shumë para në qarkullim. Kjo është gjë që duhet pasur parasysh”, vazhdoi këshillat Jacobson, duke u arsyetuar për investimet e pakta amerikane në Kosovë. 

Megjithatë, ajo pati fjalë të mira për punën e kryer në ndërtimin e  autostradës “Dr Ibrahim Rugova”, nga konzorciumi amerikano-turk Bechtel-Enka.

“Çka mund të them është se rruga paraqet projekt fantastik, ka fituar çmime të shumta ndërkombëtare. Për mua është kënaqësi të udhëtoj në atë rrugë dhe vërtet mendoj se ajo do ta lidhë Kosovën në aspekt të marrëdhënieve mes njerëzve dhe në aspekt të tregtisë”, tha Jacobson. 

Ambasadorja tregoi se Bechtel-Enka është nënkontraktore e qeverisë amerikane. 

“Në aspekt të investimeve amerikane, kjo kompani është e nënkontraktuar si kompani shërbyese për qeverinë, të cilën e paguan buxheti ynë”, shtoi ajo.  

Por ajo nuk preferoi të japë përgjigje kur u pyet :-  Pse nuk është bërë publike kontrata e qeverisë kosovare me këtë konzorcium,  pasiqë ajo me Limak –Aeroports de Lyon , privatizuesin e aeroportit Adem Jashari, tashmë është publikuar? 

“E po, kjo nuk është pyetje që duhet të më drejtohet mua. Nuk hyn nën përgjegjësitë e mia… Mendoj se kjo paraqet vendim për të cilin Ambasada amerikane në Kosovë nuk ka votë. Kjo është në duart e qeverisë dhe shoqërisë civile për t’u shqyrtuar”, u përgjigj për kontratën e mbajtur fshehur Jacobson. 

Megjithatë, kontratën e cilësoi të volitshme. 

“Konzorcium amerikano-turk gjithmonë ka kryer punën me standard të lartë”, deklaroi Jacobson.

Ajo tregoi se kompania ka konkurruar për shtegun 6 që lidh Prishtinën me Shkupin.

“Me sa di unë, oferta ishte për 200 milionë euro më e vogël se ajo e konkurrentit, si dhe kishte marrë 20 pikë më shumë në vlerësimin teknik. Pra, mendoj se kompania ka përgatitur ofertë shumë të mirë”, tha Jacobson. 

KFOR-i amerikan do të qëndojë në Kosovë 

Ajo largoi frikën e mundshme të kosovarëve për sigurinë, pas paralajmërimit të trupave franceze që me urdhër të presidentit Hollande pritet të tërhiqen nga veriu i Kosovës në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm. Tha se ushtarët amerikanë do të qëndrojnë ende në Kosovë. 

“Pata mundësinë të takohem me gjeneralin Breedlove, i cili erdhi këtu për Ditën e Falënderimeve, pastaj bisedoj shpesh me admiralin Clingan, dhe e di se NATO-ja është gjithsesi e zotuar të jetë e pranishme në Kosovë. Ky është patjetër edhe qëndrimi amerikan. Ne jemi këtu dhe e mbështesim këtë”, tha Jacobson. 

Philip Breedlove është komandant i trupave amerikane në Evropë, ndërsa Bruce Clingan është komandant i forcave të marinës amerikane gjithashtu në Evropë. 

Jacobson tha se problemi i rrezikut nga ekstremizmi islamik, nuk është vetëm i Kosovës, por i të gjitha vendeve të Evropës, ndërsa aksionin e arrestimit të të dyshuarve për terrorizëm në nëntor e cilësoi veprim të shkëlqyeshëm të Policisë së Kosovës dhe të përgatitur nga vetë kjo forcë e rendit.