Qeveria Lejon Tenderët e Pambikëqyrur

Institucionet publike që nga korriku mund të lidhin kontrata me kompanitë e përzgjedhura, duke shpërfillur ankesat e konkurrentëve që humbin garën në tenderët publikë.

Qeveria e vendit krijoi mundësinë për ndërmarrjen e këtij veprimi duke mos plotësuar Bordin Drejtues të Organit Shqyrtues të Prokurimit, një institucion që funksionon si gjykatë e tenderëve. 

Katërve prej pesë anëtarëve të bordit drejtues u ka skaduar mandati. Gazeta Jeta në Kosovë ka mësuar se dy anëtarëve Baki Krasniqit e Ekrem Salihit u kishte përfunduar mandati më 31 korrik të vitit 2012. 

Bordi Drejtues i OSHP-së kishte funksionuar me vetëm tre anëtarë deri më 31 korrik të vitit 2013, kur i skadoi mandati edhe kryetarit Hysni Hoxha dhe anëtarit Tefik Sylejmani. Vetëm Osman Kryeziu që u emërua në prill të vitit 2011, ka ende mandat të anëtarit të bordit të OSHP-së.  

“..mbetja e OSHP-së me vetëm një anëtar në fakt e ka nxjerrë jashtë funksionit këtë institucion”, thotë Hysni Hoxha që udhëhoqi këtë institucion që prej themelimit në korrik të vitit 2008.

Ish-kryetari i OSHP-së thotë se mosfunksionimi i këtij institucioni mund të çojë në dëmtimin e buxhetit, nga nënshkrimi i kontratave të dëmshme. 

“OSHP-ja është formuar për të mbrojtur kompanitë nga shkeljet e institucioneve, por tash nuk mund ta kryejë këtë funksion”, thotë Hoxha.

Megjithatë, procedurat e prokurimit mund të vazhdojnë, edhe përkundër mosfunksionimit të bordit të OSHP-së.

Ligji i prokurimit publik nuk specifikon se çfarë duhet të ndërmerret në situata të tilla. 

Hoxha thotë se në këtë rast zbatohet Ligji për procedurat administrative. 

Sipas tij, ky ligj lejon autoritetet publike të nënshkruajnë kontratat, nëse nuk marrin përgjigje brenda 30 ditëve nga OSHP-ja, për ankesat e ngritura nga kompanitë që humbin garën në tenderët publikë. 

Të njëjtin interpretim e jep edhe Safet Hoxha, kryesues i Komisionit Rregullativ të Prokurimit, një institucion që harton ligjet për prokurimin në Kosovë. 

Qeveria ishte njoftuar për skadimin e mandateve 

Ish-kryetari i Bordit të OSHP-së Hysni Hoxha thotë se dërgoi tri shkresa në Qeveri e Kuvend nëpërmjet të cilave njoftonte institucionet për skadimin e mandatit të tij dhe anëtarit të bordit Tefik Sylejmani, duke treguar se institucioni me këto përfundime mandati po bëhej jofunksional.

Sipas tij, lajmërimi për skadimin e mandateve është bërë duke u bazuar në Rregulloren për institucionet që i raportojnë Kuvendit të Kosovës. 

“Rregullorja obligon që të lajmërohet së paku dy muaj më herët që po skadon mandati”, thotë Hoxha. 

Fitim Krasniqi, sekretar i Zyrës së Kryeministrit, thotë se ka pranuar shkresat e ish-kryetarit të OSHP-së dhe se është njoftuar edhe nga Kuvendi i Kosovës për mandatetet e skaduara të bordit drejtues të këtij institucioni. 

Departamenti ligjor i Kuvendit të Kosovës në një përgjigje dhënë Gazetës Jeta në Kosovë deklaroi se qeveria ende nuk ka proceduar kandidatët për anëtarë të OSHP-së.

Arianit Bytyqi, shef i Zyrës për Informim në Kryeministri, nuk dha përgjigje se pse emrat e kandidatëve ende nuk janë dorëzuar në Kuvend. 

Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër  i qeverisë, nuk përmend një datë se kur qeveria do t’i propozojë për miratim në kuvend, emrat e kandidatëve për anëtarë bordi në OSHP.

 “…nuk e di. Besoj shpejt”, thotë Kuçi. 

Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë deklaron se autoritetet e vendit duhet të bëjnë plotësimin e bordit të OSHP-së.

“OSHP-ja si organ i pavarur duhet të informojë Kuvendin e Kosovës lidhur me këtë dhe Kuvendi pastaj duhet të fillojë procedurën për zgjedhjen e anëtarëve”, thotë zëdhënësi i kësaj zyreje  Stojan Pelko.

Sipas tij, zyra e BE-së do të përdorë mekanizmat e zakonshëm, për të diskutuar me Qeverinë e Kosovës , për zbatimin e legjislacionit që ka të bëjë me standardet europiane”. 

OSHP-ja, e lavdëruar dhe e kritikuar 

Raporti i fizibilitetit i Komisionit Europian për vitin 2012 thotë se OSHP-ja mbetet organ i pavarur.

Por, Hysni Hoxha që udhëhoqi për pesë vjet OSHP-në, ishte një asamblist në pushtetin lokal në Prizren i Partisë Demokratike në pushtet.

“Unë para se të bëhesha asamblist i PDK-së kam qenë avokat dhe jam jurist me profesion”, thoshte Hoxha në një edicion të emisionit Jeta në Kosovë, në maj të vitit 2012. 

Sipas tij, politika nuk kishte ndikuar në punën e tij si kryetar bordi në OSHP. 

Gjykata e tenderëve publikoi në mars të këtij viti raportin e punës për periudhën janar-dhjetor të vitit 2012. 

Raporti tregon se prej themelimit të institucionit më 2008, e deri më 31 dhjetor të vitit 2012, janë shqyrtuar 1 mijë e 517 ankesa të operatorëve ekonomikë që nuk janë shpallur fitues në tenderët publikë. 

OSHP-ja, përgjatë katër vjetëve, ka hedhur poshtë 852 ankesa të kompanive për parregullsi gjatë procedurave të tenderimit, ndërsa u ka dhënë të drejtë 668 ndërmarrjeve, ose 78 për qind të tyre. 

Prej një mijë e 517 ankesave ajo ka kthyer në rivlerësim 359 lëndë prokurimi, ndërsa ka anuluar në tërësi 273 aktivitete prokurimi, që i vlerësoi si të kundërligjshme. 

Ndërkohë, vlera e tenderëve që janë  shqyrtuar nga OSHP-ja vetëm gjatë vitit 2012 kap shifrën e rreth 130 milionë eurove. Shuma totale e prokurimeve në Kosovë brenda një viti është rreth 700 milionë euro. 

Organi Shqyrtues i Prokurimit shqiptoi gjoba ndaj institucioneve që nuk përfillen vendimet për rivlerësim, ose anulim të aktiviteteve të prokurimit. 

Po ashtu, gjatë katër vjetëve të fundit, janë shqiptuar gjoba në vlerë prej 116 mijë eurosh, por OSHP-ja inkasoi vetëm 40 mijë. 

“shuma tjetër e gjobave të shqiptuara gjatë viteve 2009, 2010 dhe 2011 në vlerë prej 76 mijë euro nuk është arkëtuar as gjatë vitit 2012, fakt i cili është shqetësues për institucionin tone”, thuhet në raportin e OSHP-së.