Hetime për Ndërhyje Politike

Shteti që nuk punon më 9 maj por feston Ditën e Europës, përballet me ndërhyrje të politikanëve të fuqishëm në sistemin gjyqësor — përfshirë nga Kryeministri dhe Kryetari Parlamentit — por gjykatat kurrë nuk kanë nxjerrë ndonjë verdikt kundër ndërhyrësve të kësaj natyre. 

Zef Prendrecaj, drejtor i Zyrës së Prokurorit Disiplinor, thotë se ky institucion është marrë me disa raste vetëm pasi i ka parë në media ose mbi bazën e ankesave të qytetarëve. 

“Ne kemi mbledhur material për disa raste që konsiderohen si ndërhyrje e politikës në gjyqësor dhe këto ia kemi dorëzuar Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës”, i tha Prendrecaj, Gazetës Jeta në Kosovë. 

“Këshillat vendosin për këto lëndë. Unë nuk mund të flas me detaje ngase mund të dëmtohen hetimet”, shtoi ai. 

Prendrecaj tregon se deri më tash, për asnjë rast, nuk ka epilog përfundimtar edhe pse, sipas tij, ato trajtohen me prioritet “ngase janë të natyrës më serioze”. 

“Këto janë raste të reja…”, thotë ai.

Gazeta nuk ka të dhëna se kush hetohet në këto raste të ndikimit politik. 

“Këshillat vendosin për këto lëndë. Unë nuk mund të flas me detaje ngase mund të dëmtohen hetimet. Zef Prendrecaj

Megjithatë, sipas Prendrecajt, “nuk ka pasur ndikime të drejtpërdrejta politike në gjyqësor”. 

Edhe Ehat Miftari, drejtor i Njësitit për Vlerësim të Performancës në Prokurorinë e Shtetit, ka treguar se në zyrën e tij nuk është identifikuar asnjë rast që ka të bëjë me ndikimet politike në vendimet e gjyqësorit. 

“Tek ne nuk është ankuar as një prokuror se kanë pasur ndikime politike gjatë kryerjes së punës së tyre”, tha Miftari për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Zyra është themeluar në qershor të vitit 2011.

Por juristi Betim Musliu nga Instituti Kosovar për Drejtësi thotë se dy pushtetet tjera, ekzekutivi e legjislativi, vazhdimisht ndikojnë në gjyqësor edhe përkundër se Kushtetuta parasheh ndarjen dhe barazinë e tri pushteteve. 

Musliu thotë se politika ka ndërhyrë direkt në gjyqësor në rastin e riemërimit të gjykatësve dhe prokurorëve nga ish-presidenti në detyrë Jakup Krasniqi si dhe me debatimin e rastit Kiçina në Kuvendin e Kosovës. 

“Tek ne nuk është ankuar as një prokuror se kanë pasur ndikime politike gjatë kryerjes së punës së tyre. Ehat Miftari

Sipas Musliut, ndikimi i ekzekutivit në gjyqësor mund të jetë edhe i formave tjera. 

“Ende buxheti i gjyqësorit dhe prokurorive duhet të kalojë në kuvend nëpërmjet qeverisë, dhe natyrisht asnjëherë ekzekutivi nuk është treguar dorëlirë për të plotësuar kërkesat e sistemit të drejtësisë”, tha ai. 

Instituti Kosovar për Drejtësi në nëntor të vitit të kaluar publikoi raportin-“Pavarësia e Gjyqësorit në Kosovë: Analizë e Pavarësisë Financiare Institucionale dhe Individuale”.

Musliu pas publikimit të këtij raporti pohoi se buxheti total që ndan Qeveria e Kosovës për gjyqësorin nuk është më i lartë se 18 milionë euro dhe se kjo shumë nuk paraqet përkrahje për zhvillimin e sistemit, por vetëm përkrahje për mbijetesë. 

Ai vlerësoi se 89 për qind e këtij buxheti harxhohet në shpenzime operative në sistemin gjyqësor. 

Edhe Raporti i Progresit i vitit 2011 ndërhyrjet politike në punën e gjyqësorit i kishte vlerësuar si brengosëse. 

Raporti pati vlerësuar se ende ka raportime të kërcënimeve dhe frikësimit të gjyqtarëve.

Një vit më vonë Komisioni Europian në raportin e progresit për vitin 2012 konkludoi se nuk kishte ndryshime për sa i përket ndikimeve në gjyqësor. 

“Ndikimi i jashtëm dhe ndërhyrja politike mbetet një sfidë serioze për sistemin gjyqësor në Kosovë”, thuhet në raport. 

Thaçi dhe Krasniqi

Kryeministri Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi, përmenden si dy njerëz të pushtetshëm që kanë ndikuar në pavarësinë e gjyqësorit. 

I pari i ekzekutivit, kryeministri Thaçi pati reaguar në rastin e paraburgimit të deputetit të partisë së tij Fatmir Limajt, më 24 nëntor 2012 ,derisa ishte në pritje të rigjykimit të rastit Kleçka. 

“Askush nuk mundet, as EULEX-i, që në errësirën e natës të arrestojë luftëtarët e lirisë. Kjo është e padrejtë, ky është turp, padrejtësi. Kjo është fyerja më e rëndë që na bëhet në këto ditë feste (28 Nëntori)”, thoshte Thaçi. 

Hashim Thaçi | Foto: kryeministri-ks.net

“Ne jemi sovran në këtë vend, kemi kushtetutën dhe ligjet. Ne jemi shtet modern dhe demokratik”.

Deklarata e Thaçi kishte bërë që udhëheqësi i zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Samuel Zhbogar, të kërkonte që të mos ndërhyhej në procese gjyqësore.

Dy ditë pas arrestimit të Limajt, më 26 nëntor 2012, Zhbogar garantoi se vendimet e gjykatësve dhe prokurorëve të EULEX-it në të kaluarën nuk kanë qenë kurrë të ndikuara politikisht. 

“….dhe nuk do të jenë kurrë të motivuara politikisht”,  pohonte Zhbogar.

Kundër deklarimeve politike kishte reaguar edhe zyra e përfaqësues së lartë të Bashkimit Europian, Catherine Ashton. Në reagimin e saj, Zyra e Ashton, pohonte se priste nga autoritetet kosovare që ta mbështesnin punën e EULEX-it. 

Rasti i njohur si “Kleçka”, pati filluar në gusht të vitit 2011, ku Fatmir Limaj dhe 9 bashkëluftëtar të tij, akuzoheshin për krime kundër popullatës civile gjatë luftës më 1999. 

Limaj dhe të tjerët, më 21 mars 2012 u patën liruar nga këto akuza, por rasti ishte hapur sërish kur u gjetën prova të reja. Rasti tash është në gjykatë.  

Supremja kur shqyrtoi ankesën e mbrojtjes së Limajt ndaj vendimit të Gjykatës së Qarkut pati vendosur që të mbajë Limajn për 30 ditë në paraburgim dhe si argument të fortë për ta mos e liruar atë potenconte deklarimet e kryeministrit të bëra në adresë në EULEX-it. 

Kundër Misionit Europian reagoi në atë kohë edhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së Adem Grabovci. 

Ai pohonte se deputetët do të kërkojnë rishikimin e mandatit të EULEX-it pas “padrejtësive të bëra ndaj Limajt”. 

Një iniciative e tillë nuk u diskutua në kuvend edhe përkundër deklarimit të Grabovcit. 

Vendimin e Gjykatës së Qarkut për paraburgim të Fatmir Limajt, të marrë pas kërkesës së EULEX-it, e patën cilësuar të motivuar politikisht edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi, grupi parlamentar i PDK-së, shoqatat e dala nga lufta si dhe Lëvizja “Vetëvendosje”.

Kryeparlamentari Krasniqi paraburgosjen e Limajt nga EULEX-i e pati vlerësuar si masakër të drejtësisë në Kosovë. 

Për Jakup Krasniqin “Rasti Limaj” nuk është i pari kur ai është përmendur për ndërhyrje në gjyqësor. 

Krasniqi në tetor të vitit 2010, gjatë kohës sa ishte ushtrues detyre i presidentit të vendit, e pati hequr nga lista e gjyqtarëve Driton Muharremin, të cilin Këshilli Gjyqësor i Kosovës e kishte zgjedhur për kryetar të Gjykatës Komunale të Prishtinës.    

Koha Ditore në janar të vitit të kaluar raportoi se ky veprim i Krasniqit ishte konsideruar si ndërhyrje në gjyqësor nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE). 

Kjo organizatë bëri publike konstatimet e saj në një raport të publikuar në muajin janar të vitit 2012. 

 Jakup Krasniqi | Foto: assembly-kosova.org

“Presidenti Sejdiu ishte larguar dhe presidenti në detyrë, z. Krasniqi ishte përgjegjës për emërimet…Por edhe ushtruesi i detyrës së presidentit kishte refuzuar emërimet e KGJK-së, një prej të cilëve ishte për kryetar të gjykatës komunale në Prishtinë. Arsyet për këto refuzime nuk janë bërë publike dhe nuk i janë dhënë vetë të nominuarve”, thuhet në raportin e OSB-së. 

Driton Muharremi, ka qenë gjyqtar në Komunën e Prishtinës, i cili ishte heq hequr nga lista në zyrën presidenciale të Krasniqit. Muharremi ishte edhe kandidat për pozitën e kryetarit të Gjykatës Komunale në Prishtinë. 

“Koha Ditore” pati raportuar se Muharremi kishte pasur më shumë pikë se sa 26 kandidatët tjerë që ishin dekretuar nga Krasniqi në procesin e ri-emërimit të gjyqtarëve. 

Krasniqi përmes një sqarimi për media kishte pohuar se ai kishte ushtruar përgjegjësitë prej presidenti dhe se mos akreditimi i një gjyqtari apo prokurori nuk përben ndërhyrje në gjyqësor. 

Kiçina dhe Medicusi

Gazeta Jeta në Kosovë në janar të këtij viti raportoi se Zyra e Bashkimit Europian në vend doli kundër diskutimit në parlament të një procesi gjyqësor.   

Kjo zyrë i rekomandoi Kuvendit të Kosovës të përmbahet nga veprimet të cilat mund të interpretohen si tentim për të ndikuar ose për të kthyer ndonjë vendim gjyqësor.

“Zhbogar është i zhgënjyer dhe i shqetësuar me debatin parlamentar lidhur me rastin e mbyllur gjyqësor”, thuhej në reagimin publik të Zyrës  së BE-së në Kosovë. 

Kundër diskutimit të këtij në parlament kanë dalë Këshilli Gjyqësor i Kosovës si dhe Ambasada Amerikane. 

Pas debatit në Kuvend anëtarët e Këshillit Gjyqësor mbajtën një mbledhje të jashtëzakonshme më 18 mars të këtij viti dhe dolën me një deklaratë shtypi ku kërkuan nga kuvendarët që të mos shkelin Kushtetutën duke u përzier në vendimet gjyqësore. 

Për rastin “Kiçina” ishte diskutuar më 15 mars të këtij viti në Kuvendin e Kosovës dhe ishte shtyrë përpara nga deputeti i PDK-së Ramiz Lladrovci. 

Deputetët e Kuvendit të Kosovës | Foto: Gazeta Jeta në Kosovë

Ishte kërkuar edhe krijimi i një komisioni “ad-hoc” për shqyrtimin e procesit gjyqësor, të cilin fillimisht deputetët e përkrahën deklarativisht, por nuk e votuan atë në shumicë. 

Rasti Kiçina është ndër më të gjatët në gjyqësorin e vendit dhe ka të bëjë me vrasjen e pesëfishtë për motive të hakmarrjes ndaj familjes së Hamëz Hajrës nga Drenasi në gusht të vitit 2001.

Gjykata e Qarkut dhe Supremja, kishin shpallur fajtor Burim e Arsim Ramadanin dhe Arben, Blerim e Jeton Kiçinën për këtë vrasje. 

Një tjetër rast që këto ditë mori epilogun përfundimtar është ai i rastit të njohur si Medicus.

Gjykata Themelore e Prishtinës, më 29 prill të këtij viti, dënoi me 20 vjet burg pesë të akuzuar për krim të organizuar, trafikim me njerëz dhe lëndim të rëndë trupor në lidhje me rastin Medicus, klinikën ku u bënë transplantimet e veshkave.

Hajredin Kuçi, zv.kryeministri, më 4 dhjetor të vitit 2008, gjatë një seance parlamentare e pati quajtur arrestimin e mjekëve “spektakël në sistemin shëndetësor”, i cili, sipas tij nuk e ka pasur mbështetjen e qeverisë.

Kuçi patë thënë se se do të ndërmerreshin hetime nga organet kompetente dhe masa politike ndaj këtyre veprimeve. 

Një gjyqtar deklarohej i kërcënuar, një tjetër mori pjesë në takimin e PDK-së

Një gjyqtar, pas kërcënimit që kishte marrë ishte detyruar të bënte publik votimin e tij.

Gjyqtari Rrahman Ratkoceri në tetor të vitit 2009 ka pohuar se është kërcënuar dhe është detyruar të bëjë publik votimin e tij kundër dënimit me 13 vjet burgim të të ashtuquajturit “Gupi Llapi”. 

Për krime lufte, akuzoheshin Rrustem Mustafa-Remi, Latif Gashi dhe Nazif Mehmeti.  

“Konsideroj se një vendim i tillë ka qenë kundër-ligjor dhe mendimi im ka qenë që ata të gjithë të lirohen, se nuk ka pas prova për të cilat kanë qenë të akuzuar”, kishte thënë ai për gazetën “Koha Ditore”. 

Por, më vonë kishte thënë se ishte i shtyrë ta dërgonte këtë njoftim.  

Ratkoceri pohonte se kishte marrë tri mesazhe telefonike-urdhëruese për të dalë publikisht dhe për ta “shpërlarë” veten lidhur me verdiktin, më 6 tetor të vitit të kaluar.

 “Me datën tre, më duket se më kanë ardhur mesazhet një ditë pasi është marrë vendimi. Nuk e di kush i ka shkruar”, pati thënë Ratkoceri, për “Kohën Ditore”. 

Si rezultat i këtyre mesazheve “anonime” që ka marrë, Ratkoceri ka dalë në media dhe e ka kontestuar vendimin e Trupi Gjykues të përbërë nga ai dhe dy gjyqtarë të EULEX-it. 

Bërja publike e votës së një gjyqtari është e ndaluar.

EULEX-i pati reaguar ndaj zbulimit të sekretit nga ana e Ratkocerit. 

“…pas një gjyqi të ndjeshëm, një gjyqtar i Kosovës nuk e respektoi këtë rregull. Ai e bëri një deklaratë publike në lidhje me diskutimet sekrete që kishte me dy kolegët e EULEX-it”, thuhej në komunikatën e EULEX. 

Misioni Europian konstatonte se rasti i Ratkocerit kallëzon se gjyqësori në Kosovë nuk ka mbrojtje të mjaftueshme prej ndërhyrjeve nga jashtë.

Ratkoceri më vonë ishte pezulluar nga Komisioni Disiplinor i Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Komisioni.. kishte konstatuar se ai kishte shkelur etikën me zbulimin e votës dhe ishte pezulluar me pagesë në afat të pacaktuar .

Ratkoceri ka dalë në pension.

Rrustem Mustafa-Remi nuk kishte pranuar të komentonte pohimet e gjyqtarit Ratkoceri. 

Rreth të ashtuquajturit “Grupi i Llapit”, pati reaguar edhe kryeministri Thaçi, në korrik të 2009-ës, duke thënë se të akuzuarit për krime luftë janë të pafajshëm.

Ish-shefi i misionit të EULEX-it, gjenerali Yves De Kermabon, më 5 gusht 2009, kishte marrë nga vartësit e tij një memorandum se si duhej të reagohej në raste të ndërhyrjes së politikanëve vendorë në shërbimet e sundimit të ligjit, e që ishte rrjedhur në publik nga Ëikileaks. 

“Ka pasur shembuj të ndërhyrjes politike në pavarësinë e sundimit të ligjit së voni”, thoshte memorandumi. 

“Më e fuqishmja është deklarata e Kryeministrit”. 

Rigjykimi i “Grupit Llapi”, ka filluar më 25 mars 2013.

Por, derisa një gjykatës ankohet se është i kërcënuar në një rast tjetër një gjykatëse mbante afërsi me partinë në pushtet PDK-në. 

Gazeta Jeta në Kosovë, marsin e vitit të kaluar pati raportuar se Kryetarja e Gjykatës Komunale të Vitisë, Drane Simani, ka qenë e pranishme në një takim të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) – parti në pushtet edhe në nivel qendror edhe lokal – të mbajtur më 5 shkurt 2012, në restaurantin “Lindi” në dalje të qytezës. 

Në takimin e 5 shkurtit ishin të pranishëm  kryekuvendari Jakup Krasniqi, anëtari i kryesisë së Kuvendit Xhavit Haliti si dhe Daut Xhemajli zv/ministër i Drejtësisë dhe njëherësh kryetar dege i PDK-së në Viti. 

Drane Simani në takimin e Degës së PDK-ës në Viti | Foto: faqja e PDK-së në facebook

“Nuk jam anëtare e asnjë partie politike. Mua atë ditë më ka ftuar Daut Xhemajli, zëvendësministër i drejtësisë. Jam ftuar si institucion dhe ashtu kam marrë pjesë”, thoshte Simani. 

“Para se të shkoj jam konsultuar me shefat e mi dhe atë ditë nuk është diskutuar asnjë fjalë për partinë”,  shtonte Simani. 

Këshilli Gjyqësor më vonë për shkak të këtij rasti kishte suspenduar Simanin.