Hija e AKM-së Shfaqet në Lëndët e Privatizimit

Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM), megjithëse ka katër vjet që ia ka kaluar kompetencat Agjencisë së krijuar pas pavarësimit të Kosovës, ende “frymon” nëpër gjykata.

AKM-ja ende merr pjesë në procedura gjyqësore dhe përfaqësohet përmes zyrtarëve ligjorë të ish-Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). 

Katër vjet më parë, AKM-ja ishte shndërruar në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) duke i humbur kështu të gjitha kompetencat, përfshirë përfaqësimin e saj në raste gjyqësore.

Por, Gazeta Jeta në Kosovë ka kuptuar se në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme ku gjykohen rastet e privatizimit, të bëra para vitit 2008, përfaqësohen nga zyrtarët ligjorë të AKP-së dhe të AKM-së. Në këtë dhomë shërbejnë gjykatës vendas dhe të EULEX-it.

Prania e zyrtarëve ligjorë të UNMIK-ut që flasin në emër të AKM-së gjatë seancave gjyqësore në Dhomën e Posaçme po pengon punën e atyre të AKP-së. Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i AKP-së, Yll Kaloshi. 

“Ftesa e AKM-së në seanca, përveç që krijon telashe, paraqet pengesë procedurale se kush në të vërtetë është palë e paditur me legjitimacion pasiv”, thotë Kaloshi, për Gazetën Jeta në Kosovë.

Sahit Sylejmani, kryetar i Dhomës së Posaçme, thotë se ka raste kur të dyja palët thirren, AKM-ja e AKP-ja, dhe më pas ato kontestojnë njëra-tjetrën.

Zyra e UNMIK-t në Prishtinë ka konfirmuar gjithashtu se zyrtarët e saj ligjorë përfaqësojnë AKM-në në rastet gjyqësore të privatizimit. 

“Po, mund të konfirmoj se zyrtarët ligjorë të UNMIK-ut marrin pjesë në emër të AKM-së, në seancat gjyqësore që kanë të bëjnë me privatizimin e ndërmarrjeve publike”, tha Olivier Salgado, zyrtar për media në UNMIK. 

Përfaqësimi i AKM-së në Dhomën e Posaçme nga UNMIK-u i kundërligjshëm

Zyrtarët e UNMIK-ut marrin pjesë në seanca gjyqësore me ftesë të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.

Ilmi Bajrami, gjyqtar në Kolegjin për Çështje Pronësore në Dhomën e Posaçme thotë se ka raste kur përfaqësues të AKM-së dhe të AKP-së vijnë bashkërisht në seanca gjyqësore.

“Përkundër përpjekjeve që të thirret vetëm AKP-ja e jo AKM-ja, ne si gjyqtarë vendas kemi dështuar, sepse mbivotohemi nga ndërkombëtarët, të cilët dëshirojnë të ftojnë AKM-në”. 

 
Sahit Sylejmani, kryetar i Dhomës së Posaçme

 

Në vend se të zbatohet ligji në mënyrë të prerë, gjyqtari Bajrami thotë se anëtarët e kolegjit, bien në ujdi ndërmjet vete me anë të votave nëse duhet të merren për bazë ato që thotë AKM-ja, apo AKP-ja. 

Kryetari i Dhomës së Posaçme, Sylejmani, gjithashtu ka pranuar se ata vazhdojnë të dërgojnë ftesa zyrtarëve të UNMIK-ut, pasi që varet nga votat e gjykatësve. AKP-ja vazhdimisht kërkon që AKM-ja të përjashtohet si palë procedurale.

“AKP-ja në çdo seancë gjyqësore ka kërkuar nga gjykata ta përjashtojë ish-AKM-në si palë procedurale, duke prezantuar argumente ligjore. Këto argumente nuk janë përfillur nga gjykata”, thotë ai. 

Ligji për AKP-në (neni 2) thotë së “Agjencia [Kosovare e Privatizimit] është pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit… dhe të gjitha asetet dhe përgjegjësitë e saj do të jenë asete dhe përgjegjësi të Agjencisë”.

Gjykatësi Bajrami thotë se arsyeja kryesore pse AKM-ja nuk duhet të përfaqësojë palët në Dhomën e Posaçme është pamundësia e ekzekutimit të aktgjykimit.

“Në fund të fundit, AKM-ja nuk ka asnjë aset dhe nuk ka mundësi të ekzekutimit”, thotë ai, për Gazetën jnK. 

UNMIK-u nuk ka pranuar të përgjigjet se në çfarë baze ligjore bazohen kur përfaqësojnë AKM-në në Dhomën e Posaçme, e as nuk kanë pranuar të tregojnë se si i ekzekutojnë vendimet e gjykatës.

 
Aleksandar Borg Oliver, ish-drejtor i Zyrës Ligjore të UNMIK-ut   

 

Këshilli i Sigurimit i OKB-së fajësohet për konfuzionet ligjore në Kosovë 

Shkaqet përse gjyqtarët ndërkombëtarë kërkojnë që AKM-ja të jetë prezente në seancat gjyqësore që kanë lidhje me privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore, duhet kërkuar prapa në kohë. 

Madje deri në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. 

Aleksandar Borg Oliver, ish-drejtor i Zyrës Ligjore të UNMIK-ut fajëson Rezolutën 1244 për gjendjen e krijuar.

“Konfuzioni është krijuar kur Këshilli i Sigurimit të OKB-së nuk e ka shfuqizuar Rezolutën 1244, pas bisedimeve për statusin final të Kosovës”, thotë Borg-Olivier.

Ai thotë se Rezoluta 1244 kurrë nuk është përmbyllur dhe sipas së drejtës ndërkombëtare, si dokument është ende gjallë. 

“Pavarësisht sa rëndësi i jepet politikisht, juridikisht ata që nuk e kanë njohur ende Kosovën, mund të fshihen pas rezolutës duke thënë: ‘ajo për mua është valide’”. 

“Duhet që UNMIK të ndryshojë legjislacionin në Kosovë”, thotë Borg-Oliver për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Në të kundërtën, shton ai, “gjyqtarët ndërkombëtarë do të vazhdojnë të deklarojnë se ‘derisa ekziston legjislacioni për AKM-në nuk e pranojnë atë të Kuvendit të Kosovës’”.

Edhe gjykatësi Bajrami thotë se ftesat për zyrtarët e AKM-së i bëjnë ata që kanë qëndrim “neutral” ndaj statusit të Kosovës.

Sipas tij “ka gjyqtarë të EULEX-it që ende misionin e tyre e cilësojnë si neutral ndaj statusit të Kosovës dhe mbi këtë bazë thonë se duhet ta thërrasin AKM-në.” 

“Si është e mundur që gjyqtarët të thonë se nuk mund të njohin institucionet e Kosovës dhe në anën tjetër vijnë në gjykata, duke u bazuar në mandatin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës”, thotë Olivier. 

Çështja e përfaqësimit të lëndëve edhe nga AKM-ja ishte ngritur katër vjet më herët edhe nga ish-shefi i AKP-së, tashmë i ndjeri Dino Asanaj.

Në raportin e punës 2008-2009 prej 132 faqesh ai kishte shpjeguar tërë situatën e krijuar. (Shih raportin)

Në raport, ndër të tjera, thuhet se problem kyç është fakti se Agjencia Kosovare e Mirëbesimit vazhdon të njihet si palë ndërgjyqëse dhe të ftohet Zyra Ligjore e UNMIK, që përfaqësohet nga AKM.

“Është shqetësuese si Zyra Ligjore e UNMIK përmes një shkrese të datës 22 qershor 2009 iu është drejtuar të gjitha gjykatave në territorin e Republikës së Kosovës duke kërkuar të marrë kopje të aktvendimeve dhe qasje të një zyrtari të UNMIK-ut në procese”, shkruan ndër të tjera Asanaj. 

Këtë raport ia kishte nisur të gjitha institucioneve më të larta të shtetit, përfshirë edhe presidentit, kryetarit të Kuvendit të Kosovës, deputetëve, kryeministrit e ministrave.

Nga ajo kohë ende nuk është marrë ndonjë veprim lidhur me përfaqësimin e dyfishtë të institucionit privatizues. 

 
Ilmi Bajrami, Gjykatës në Kolegjin për Çështje Pronësore në Dhomën e Posaçme   

 

Ndërrimi i gjykatësve ndërkombëtarë zvarrit rastet gjyqësore

Pengesat në Dhomën e Veçantë nuk kanë të bëjnë vetëm konkurrencën ndërmjet AKM-së e AKP-së. 

Ndërrimi i gjykatësve ndërkombëtarë konsiderohet si një ndër arsyet që ndikon në zvarritjen dhe grumbullimin e lëndëve.

Sipas kryetarit të Dhomës së Posaçme, Sahit Sylejmani, “deri më 31 dhjetor 2011 kanë dominuar ndërkombëtarët. Ata ndërrohen shpesh, rrinë pesë muaj, tre apo dy, dhe shkojnë ndërsa lënda mbetet e patrajtuar”. 

“Vjen tjetri e derisa hyn në rrjedha, koha po ikën”, shprehet ai.

Telashe tjetër del të jetë përkthimi. Janë rreth 6 000 faqe dokumente që duhet përkthyer. 

“Gjyqtari ndërkombëtar nuk merr lëndë në rast se dokumentet nuk janë të përkthyera”, thotë kryetari Sylejmani. 

Aty punojnë nëntë përkthyes, por ai thotë se edhe nëse nëntë të tjerë do të ishin, nuk do t’ia dilnin. 

Në vitin 2011 Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme kishte 6 256 lëndë të vjetra të pakryera. Vetëm brenda një viti, ata kanë pranuar më shumë se dy mijë lëndë.

“Nga janari deri në shtator të këtij viti kanë ardhur edhe 1 984 lëndë”, thotë Sylejmani. 

Numri më i madh i rasteve ka të bëjë me listat e punëtorëve. Në raste të tilla, ai thotë se secili rast duhet të shqyrtohet veç e veç, kurse në fund merret një vendim për të gjithë.