Prokuroria Nuk Gjen Krim të Organizuar në Vjedhjen e Zgjedhjeve

Në mesin e 1500 të akuzuarve nga Prokuroria e Shtetit për keqpërdorimin e zgjedhjeve të vitit 2010, mungojnë ata të cilët urdhëruan keqpërdorimin e këtyre zgjedhjeve.

Në fillim të muajit tetor Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, pati thënë në seancë parlamentare se kishte kolegë deputetë të zgjedhur me vota të vjedhura. Por prokuroria nuk ka gjetur as se ndonjë nga deputetët e legjislaturës aktuale ka bashkëpunuar me vjedhësit e votave.

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor ( KQZ), Valdete Daka, thotë se “zbulimi  i kryerësve dhe organizatorëve është obligim i prokurorisë”.

“Ne i kemi dorëzuar të gjitha materialet që kemi pasur”, tha Daka.

Laura Pula, koordinatore e lëndëve të zgjedhjeve në prokurorinë e shtetit, thotë se ky institucion i ka dhënë prioritet trajtimit të këtyre lëndëve. “Deri më tani prokuroritë komunale kanë ngritur aktakuza për 1500 persona dhe janë duke u hetuar edhe shumë të tjerë”, tha ajo.

foto  
Prokurorja Laura Pula  

 

Në përgjithësi prokuroria e shtetit thotë se janë zhvilluar 225 hetime penale. Por, thonë zyrtarët e saj, nuk janë gjetur elemente të krimit të organizuar ose edhe prova se ndonjë deputet i Kuvendit mund të ketë ndikuar për të keqpërdoren zgjedhjet.

Prokurorët nuk i intervistonin të akuzuarit

Prokurori i Prokurorisë Komunale në Prishtinë, Ilaz Beqiri, thotë se kryesisht janë akuzuar komisionarët zgjedhur pasi ka qenë përgjegjësi e tyre që ta sigurojnë mbarëvajtjen e procesit.

Ai ka treguar se në një rast edhe një doktor shkence është akuzuar për keqpërdorim të të drejtës së votimit, pasi që kishte votuar disa herë me radhë.

Shukri Jashari, kryeprokuror i Ferizajt, thotë  se janë ngritur ngritur 35 aktakuza për mashtrime në votime që, shtoi, sidomos kanë të bëjnë me votat e vjedhura brenda partive politike.

Jashari shtoi se pjesa më e madhe e të akuzuarve janë nga partitë kryesore si PDK dhe LDK.

Por gjyqtari ferizajas Agim Maliqi ka vërejtje ndaj këtyre akuzave. Ai shesh mangësi në punën e prokurorëve.

“Prokurorët nuk kanë zhvilluar procedurë hetimore dhe për këtë arsye këto raste nuk kanë qenë të përgatitura mirë”, thotë Maliqi.

foto  
Gjyqtari Agim Maliqi  

 

Zyrtarët e prokurorisë e pranojnë faktin se për pjesën më të madhe të lëndëve të zgjedhjeve nuk kanë zhvilluar hetime dhe se për të njëjtat kanë ngritur akte akuzuese duke u bazuar në provat materiale të cilat ua ka ofruar KQZ-ja. Prokurorët nuk i kanë intervistuar fare personat  të cilët janë akuzuar.

Pikërisht ky fakt, thotë avokati Tomë Gashi, është njëra ndër arsyet se pse deri më tash prokurorët kosovarë nuk kanë arritur  të zbulojnë se kush ishin urdhërdhënësit e keqpërdorimeve.

“Është shumë e qartë se prapa këtyre njerëzve që kanë keqpërdorur qëndrojnë njerëz të fortë të partive politike të cilët medoemos e kanë pasur për qëllim fitimin e pushtetit”, thotë Gashi.

Ai shtoi se prokurorët është dashur ta marrin punën e tyre me më seriozitet dhe të kërkojnë nga radhët e të akuzuarve dëshmitarë bashkëpunues të cilët do të ofronin dëshmi për ecurinë e vjedhjes së votës.

Shukri Jashari, kryeprokurori i Ferizajt, thotë se në fillim ata filluan të merrnin në pyetje të akuzuarit. “Por pas pranimit të një numri të madh të lëndëve, ka qenë e pamundur të zhvillohen hetime dhe kemi shkuar me aktakuza të drejtpërdrejta”, thotë ai.

Ai pranon se deri më tash nuk i kanë ofruar asnjë të akuzuari të jetë dëshmitar bashkëpunues.

Përveç mosintervistimit të të akuzuarve dhe mosgjetjes së dëshmitarëve bashkëpunues, prokurorët ka dyshime se i kanë akuzuar gabimisht edhe vetë komisionerët e vendvotimeve.

Mimoza Bucaliu nga Kjeva e Malishevës është akuzuar nga prokurori komunal i Prizrenit, Sefer Morina, për keqpërdorim të zgjedhjeve në fshatin Bubavec. 

“Unë nuk kam qenë në Bubavec të Malishevës, kam qenë në Kjevë. Këtë e kanë vërtetuar edhe të akuzuarit e tjerë e po ashtu unë kam marrë një dëshmi nga KKZ në Malishevë”, tha Bucaliu.

foto  
Mimoza Bucaliu  

 

Prapëseprapë, aktakuza për Bucaliun është konfirmuar nga ana e gjyqtarit të procedurës paraprake dhe tash asaj i duhet të shkojë në gjykim për të vërtetuar se nuk ka qenë komisionere në qendrën e votimeve ku ishin keqpërdorur votat.

Ngjashëm ka ndodhur edhe në gjykatën e Suharekës, ku sipas hulumtimit tonë komisioneri L.Shala ishte akuzuar për keqpërdorim votash në një qendër votimi, ku ai nuk kishte qenë.

Shala na ka konfirmuar se është shpallur i pafajshëm vetëm pasi kishte arritur të siguronte dëshmi nga KQZ-ja se ai nuk kishte qenë komisioner në atë qendër të votimit, në të cilën prokuroria pretendonte se ishin keqpërdorur votat.

Gjykatat i kthejnë gjobat në dënime me burg

Nuk janë vetëm prokurorët ata të cilët po marrin vërejtje për këso rastesh. Hulumtimi i gazetës tregon se pjesa më e madhe e vendimeve të gjykatave komunale me të cilat keqpërdoruesit e votave kishin marrë dënime me kusht dhe me gjobë, janë duke u ndryshuar nga gjykatat e shkallës së dytë, të cilat po i shndërrojnë këto dënime me burgim efektiv nga gjashtë muaj e tutje.

Prokurorët të cilët janë ankuar në vendimet e shkallës së parë thonë të kenë qenë të pakënaqur me vendimet e para.

“Ne nuk kemi qenë të kënaqur dhe i kemi apeluar, tash jemi duke i pranuar vendimet e gjykatave të shkallës së dytë dhe kryesisht gjykata e shkallës së dytë është duke i ndryshuar këto vendime nga dënime me gjobë në dënime me burgim efektiv në kohëzgjatje prej gjashtë muaj”, thotë prokurori Ilaz Beqiri

Rritja e dënimit nga ana e gjykatës nuk është pritur mirë nga ata të cilët janë dënuar.

Bekim Krasniqi ishte dënuar për shkak se ka votuar në emër të nënës dhe vëllait të tij. Ai kishte marrë një dënim me katër muaj burg nga gjykata e Prizrenit.

 “Kam shkuar të votoj me nënën dhe vëllain. I kam marrë letrat e tyre, ata kanë dalë jashtë, ndërsa unë kam dashtë me i futë letrat në kuti”, thotë Krasniqi.

Ai pranon se i ka ndihmuar nënës për të votuar ndërsa fletëvotimin e vëllait e ka plotësuar vet.

Kur kishte dashur t’i vendoste tri fletët në kuti, ishte ndaluar nga një komisioner. “Unë nuk kam pasur të drejtë me votu tri herë, por nuk e kam ditë”, tha ai.

foto  
Skender Bashota  

 

Dënim nga gjykata ka marrë edhe Skender Bashota, në mesin e gjashtë komisionerëve të dënuar me nga 4 muaj burgim me kusht pasi që pas kontrolleve në qendrën e tyre të votimit në Drenas, kishin votuar katër persona më shumë sesa ishin të nënshkruar në librin e votimeve.

“Dhoma jonë i ka pasur dy kuti, njëra me kusht dhe tjetra votime normale, mund të ndodhë që ai që ka ardhur me votu për kusht e ka marrë fletëvotimin dhe nuk e ka shti në zarf po e ka dërguar në kutinë e votimeve me rregull”, thotë Bashota.

Votojnë të vdekurit dhe mërgimtarët

Në librin e votimeve për të cilin ishte dënuar Bashota, kishte të nënshkruar persona të cilët para ditës së votimeve po ashtu kishin ndërruar jetë.

Bashota nuk ka shpjegim të qartë se si fqinja e tij e vdekur Mihajna kishte votuar ditën e zgjedhjeve. “Unë hallen Mihane e di që ka shku (në vdekje). Ndodhë ka pasur ndonjë gabim apo dikush ka votuar për të”, thotë Bashota.

Madje, ai thotë se ditën e votimeve ka parë se edhe vëllai i tij në Gjermani ka votuar ndonëse e dinte se nuk ishte në Kosovë por se nuk kishte bërë zë.

Votimet për persona të vdekur dhe ato familjare, janë njëra ndër mangësitë kryesore të cilat janë hetuar gjatë zgjedhjeve të 2010-tës. Hulumtimi i gazetës ka gjetur se raste të tilla përpos në zonat e banuara me shqiptarë, ka pasur edhe nga radhët e komuniteteve.

Gjashtë komisionerë serbë të Shtërpcës tashmë janë akuzuar për shkak se kanë lejuar që të votohet për 29 qytetarë serbë të cilët pas verifikimit kishin rezultuar të vdekur para ditës së votimit.

Në mesin e personave të cilët kishin votuar atë ditë, sipas aktakuzës së prokurorisë është edhe Millan Bogdanoviq. Gruaja e tij Lubinka Bogdanoviq ka rrëfyer se bashkëshorti i saj ka ndërruar jetë qysh në vitin 2009.

“Ky është viti i pestë që ai nuk është në jetë, dikush ka gabuar në emër të tij”, thotë Bogdanoviq.

foto  
Lubinka Bogdanoviq  

 

E me gjithë faktin se ata të cilët votuan për bashkëshortin e Lubinkës tashmë janë vënë para organeve të drejtësisë, prokuroria dhe organet e tjera nuk kanë arritur të hedhin dritë mbi disa dështime të tjera të cilat ditën e zgjedhjeve të 2010-tës shkaktuan shumë probleme.

Në mesin e 1500 të akuzuarve nga prokuroria deri më tani nuk është askush nga KQZ-ja përgjegjës për sigurimin dhe funksionimin e duhur të llampave dhe materialeve të tjera zgjedhore.

Valdete Dala e KQZ-së pranon se për shkak të defektit të llampave është dashur të riorganizohet procesi zgjedhor në Mitrovicë.

Po ashtu, Daka thotë se KQZ ka marrë masa që komisionerët e gjetur fajtorë të mos mund të marrin pjesë në zgjedhje tjera në këto përgjegjësi.

Por komisionerë të tillë, edhe të dënuar për mashtrime me vota, ishin parë gjatë zgjedhjeve të përakohshme të këtij viti për kryetar komune në Ferizaj dhe Kaçanik.

Gazeta ka siguruar dosjen penale në të cilën i dënuari me burg për keqpërdorime në zgjedhjet e 2010 tës, N.Sahiti ishte hasur në qendrën e votimit në fshatin Sofaj të Ferizajt ditën kur ky qytet po zgjidhte kryetarin e tij.

Sipas kallëzimit penal të siguruar nga gazeta, ky komisioner ditën e votimit ishte futur në qendër të votimit me një kartelë identifkuese të falsifikuar dhe me të njëjtën kishte tentuar që të qëndronte si komisioner në këtë qendër.

Gjithnjë sipas kallëzimit penal të policisë, personi në fjalë pasi ishte vërejtur nga policia ishte shoqëruar për në stacionin policor.