Vizita e Famshme e Kryeministrit me Veturën e Biznesmenit

Cakiqi po ndërton një kompleks të madh apartamentesh në ortakëri me vëllain e Kryeministrit, në Prishtinë, dhe ka aplikuar të marrë leje për të ndërtuar shtëpi në fqinjësi të shefit të ekzekutivit, në lagjen Prishtina e Re – Perëndimi.

Gazeta Jeta në Kosovë gjithashtu ka zbuluar se Cakiqi figuron si përfaqësues i një kompanie turke që punon si nënkontraktor për Bechtel-Enkan në autostradën 1 miliardëshe “Rruga e Kombit”.

Sipas ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe dhuratave të zyrtarëve të lartë publikë, të shkurtit 2010, zyrtarët nuk duhet të pranojnë dhurata “që ndikojnë ose mund t’i ndikojnë” ata “në ushtrim të detyrave zyrtare”.

Ligji më tej rregullon: “Personi zyrtar duhet ta informojë me shkrim eprorin e tij, nëse i është ofruar ose dhënë një dhuratë pa paralajmërim dhe në rrethana specifike. Në rast se personi zyrtar është drejtues institucioni, ai duhet ta informojë Agjencinë”.

Nuk dihet nëse Thaçi e ka deklaruar këtë shfrytëzim të veturës, pasi zyra e tij nuk ka dhënë përgjigje në pyetjet e gazetës.

Ndonëse në mënyrë strikte nuk thuhet se përdorimi i këtillë i veturës kategorizohet si “dhuratë”, ngjarja mund të ngrehë dilema të konfliktit të mundshëm të interesit, veçanërisht duke pasur parasysh rolin më të ri të Cakiqit si përfaqësues kompanie në ndërtimin e autostradës për Shqipëri, projektit më të madh infrastrukturor në vend.

Udhëtimi me veturën e Cakiqit

Para tri vitesh, në parkingun e restaurantit “Balkanika” në Shkup kishte ndaluar një xhip i tipit BMW X5. 

Me të kishte arritur Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

“TV A1” nga Maqedonia kishte raportuar në shkurt të vitit 2009 se kreu i ekzekutivit në Kosovë kishte qëndruar në këtë restaurant dhe video-raporti ishte bërë shpejt i famshëm në internet. Thaçi atëherë i kishte thënë televizionit maqedonas se ishte në qëndrim privat dhe në të njëjtën kohë zëdhënësi i atëhershëm i Qeverisë, Memli Krasniqi, kishte thënë se kreu i ekzekutivit atë pasdite e kishte pasur të lirë.

foto  
Thaçi në Shkup me veturën e Cakiqit  

Thaçi nuk e ka sqaruar ndonjëherë më tej këtë vizitë publikisht.

Por, vetura me të cilën Thaçi kishte shkuar në Maqedoni nuk ishte as pronë shtetërore e as e tij.

X5-shi i përkiste një afaristi nga Drenasi, i cili është fuqizuar gjatë periudhës së Thaçit në Qeveri.
 
Milaim Cakiqi ka konfirmuar se vetura, në atë kohë, ishte e tij, por nuk ka dashur të tregojë se pse ia kishte dhënë në shfrytëzim Kryeministrit Thaçi.

Kjo gjetje e re, megjithatë, demonstron edhe më tej lidhjet e ngushta personale dhe të biznesit mes biznesmenit të suksesshëm Milaim Cakiqi dhe familjes Thaçi – vetë Kryeministrit Hashim Thaçi edhe të vëllait të tij Blerimit.

Cakiqi dhe anëtarët e tij të familjes Faziu e Viktori janë pronarë të kompanive të mëdha në Kosovë dhe gjithashtu janë përfshirë në një privatizim kontrovers, për të cilin auditorët besojnë se ishte i korruptuar, edhe pse ata nuk e kishin drejtuar gishtin kah Cakiqi. 

“Gjërat e mia private janë të mijat. Në privatësinë time nuk dua të më përzihet askush”, ka thënë Cakiqi, kur është pyetur për veturën e shfrytëzuar nga Thaçi dhe lidhjet tjera.

Gazeta JnK ka siguruar librezën e kësaj veture të lëshuar më 4 dhjetor të vitit 2008 në emër të Milaim Fazli Cakiqit.

Vetura BMW X5 e ndërtimit xhip pesë-dyersh figuron se është prodhuar në vitin 2007. Ajo nuk është më në pronësi të Cakiqit.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar përgjigje nga Kryeministri se përse kishte shfrytëzuar këtë veturë, por përkundër disa javë pritje zyra e tij nuk ka dhënë përgjigje.

Vetë Thaçi, sipas deklarimeve të tij të pasurisë, nuk ka shënuar se ka pasur ndonjëherë në pronësi veturë të tipit BMW X5.

“Gjërat e mia private janë të mijat. Në privatësinë time nuk dua të më përzihet askush” Milaim Cakiqi

Kryeministri para tri vitesh kishte në pronësi një xhip të tipit “Grand Cheroke”, në vlerë prej 13 mijë eurosh të cilin thotë se e kishte blerë në vitin 2008.

Dy vite më vonë, Thaçi, sipas deklarimeve të tij në Agjencinë Kundër-Korrupsion (AKK) kishte blerë një veturë të tipit VW Pasat, në vlerë prej 11 mijë eurosh.

Cakiqi figuron si përfaqësues i “Uluova Insaat ve Makine Sanay”

Milaim Cakiqi në regjistrat e Ministrisë së Tregtisë e Industrisë (MTI) figuron si përfaqësues në Kosovë i një kompanie turke të ndërtimit.

Kompania “Uluova Insaat ve Makine Sanay” në webfaqen e saj ka shënuar se është e angazhuar në projektin e ndërtimit të autostradës Vërmicë-Merdarë dhe ka si punëdhënës konzorciumin Bechtel-Enka e cila ka lidhur kontratë me Qeverinë e Kosovës për ndërtimin e “Rrugës së Kombit”.

Zëdhënësja e Bechtel-Enka’s, Ela Ruqi, fillimisht ka mohuar se konzorciumi që po ndërton Rrugën e Kombit e ka nënkontraktor kompaninë turke Uluova.

Por, kur i është kërkuar të japë një shpjegim rreth publikimit në faqen zyrtare të kompanisë “Uluova..” zëdhënësja e Bechtel Enka’s më nuk ka kthyer përgjigje rreth kësaj çështje.

As zyrtarë të kompanisë Uluova nuk kanë kthyer një përgjigje rreth këtij publikimi.

 

foto  
Foto: uluova.com.tr  

Cakiqi ka mohuar se është përfaqësues i kësaj kompanie ndonëse emri i tij figuron si person i autorizuar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve.

“Nuk jam person përgjegjës i kompanisë turke dhe as pronar i disa kompanive që figurojnë në ARBK në emër timin”, ka thënë Cakiqi.

Ai ka thënë se nuk është në dijeni se pse emri i tij figuron si pronar i disa firmave. “Nuk kam kohë të merrem me to. Janë punë e institucioneve”, ka thënë ai.

Aktivitetet biznesore të Milaim Cakiqit

Cakiqi është i përfshirë në biznesin e tregtisë së patundshmërive bashkë me Blerim Thaçin, vëllain e kryeministrit Hashim Thaçi.

Kompania “Iliria Building”, që është regjistruar në MTI në janar të vitit 2009, është duke ndërtuar një kompleks banesor në lagjen Mati 1 në Prishtinë. 

Në kompleksin “Blloku A 21”, siç është emërtuar ndërtesa, kompania planifikohen të ndërtojë 102 banesa.

foto  
Ilira Building | Foto: Bujar Aruqaj  

 

Veç kësaj, Cakiqi është pronar i N.T.P “Almakos” që për aktivitet kryesor ka tregtinë me pakicë në dyqane jo të specializuara ku kryesisht shitet ushqimi, pijet dhe duhani. Kompania ka vetëm tre punëtorë të regjistruar dhe figuron se ka për datë të konstituimit 20 shkurtin e vitit 2007.

Prej vitit 2008 e deri në vitin 2010 Cakiqi ishte ortak me Visar Banjicën në kompaninë  “OVE Group”. Aktualisht vetëm Banjica është pronar i kësaj kompanie.

Po ashtu, “Ndërmarrja e re Metamb” Sh.p.k një ish ndërmarrje shoqërore e privatizuar tashmë, ka për pronarë Fazli Cakiqin, Blerim Cakajn, Milaim Cakiqin e Viktor Cakiqin. Kompania ka tre punëtorë dhe ka për datë të konstituimit 7 dhjetorin e vitit 2010. Aktiviteti kryesor i saj është prodhimi i konstruksioneve metalike dhe pjesëve të tyre.

Një kompani tjetër “Liria F.C-2” Sh.p.k ka për pronarë Fazli Cakiqin, Blerim Cakajn, Milaim Cakiqin dhe Viktor Cakiqin. Ajo ka vetëm katër punëtorë të regjistruar dhe aktivitet kryesor tregtinë me shumicë të drurit, materialit ndërtimor dhe pajisjeve sanitare.

Kjo kompani ka një shumë të kapitalit themelues në vlerë prej 1 milionë e 50 mijë eurosh. Për kaq para Liria FC pronë e Fazli Cakiqit babait të Milaimit e kishte blerë ndërmarrjen “Kosova Elektro”, në magjistralen Prishtinë-Fushë Kosovë.

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm pati konstatuar se ka pasur manipulime në një proces privatizimi të ndërmarrjes “Kosova Elektro” ku fitues ishte shpallur më 19 nëntor 2008 kompania Liria FC pronë e Fazli Cakiqit.

“Kemi konstatuar se ka pasur manipulime në një proces privatizimi të ndërmarrjes Kosova Elektro ku fitues ishte shpallur kompania Liria FC” Zyra e Auditorit Përgjithshëm.  

“Në kontratën Kosova Elektro, ne kemi vërejtur se gjatë procesit të privatizimit AKP-ja ka manipuluar me sipërfaqen e lokalit të privatizuar. Ne kemi vërejtur parregullsi dhe transparencë të pamjaftueshme në procesin e privatizimit, si rezultat i një konkurrence të padrejtë ndërmjet ofertuesve”, pati konstatuar Zyra e Auditorit të Përgjithshëm. Kjo kompani pati blerë këtë ndërmarrje për 1 milionë e 50 mijë euro.

“Kemi konstatuar se ka pasur manipulime në një proces privatizimi të ndërmarrjes Kosova Elektro ku fitues ishte shpallur kompania Liria FC”, pati konstatuar Zyra e Auditorit Përgjithshëm. Kjo e fundit nuk e kishte drejtuar gishtin për parregullsi tek Liria Fc.

“Prishtina Insight” pati zbuluar se AKP-ja fillimisht kishte njoftuar për ankandin e lokacionit në nëntor të vitit 2008, përmes një shpalljeje në gazetë, ku 550 metra katrorë ishin ofruar për t’u shfrytëzuar për zyra në kuadër të 7,646 metra katror tokë.

Në broshurat e dhëna ofertuesve, në atë kohë, AKP-ja ka cekur se lokacioni, më herët pronë e kompanisë shoqërore “Kosova Elektro”, ka përfshirë 1,460 metra sipërfaqe për zyrë.

Por, kontrata përfundimtare nxori në fakt se sipërfaqja për hapësirën për zyra ka qenë 2,583 metra katrorë, pesë herë më shumë sesa ajo e cekur në ofertën origjinale.

Gazeta Jeta në Kosovë po ashtu ka raportuar në prill të këtij viti se Milaim Cakiqi kishte aplikuar për leje ndërtimi në komunë për shtëpi në lagjen “Prishtina e Re-Perëndimi”, në fqinjësi të shtëpisë së Kryeministrit Hashim Thaçi i cili veç ishte pajisur me leje.