Bajrush Xhemaili Jep Dorëheqje

(E plotësuar) Kryetari i Ferizajt, Bajrush Xhemaili, ka njoftuar se tërhiqet nga funksioni, pasi Gjykata Supreme konfirmoi dënimin e shkallës së parë me 2.5 vjet burgim si shkaktar i  aksidentit rrugor, më 21 maj 2009, ku kishte mbetur i  vdekur një i ri.

Nëpërmes një deklarate për opinion, të cilin ua ka shpërndarë gazetarëve, Xhemaili ka njoftuar se tërhiqet nga funksioni i Kryetarit të Komunës së Ferizajt.

Ai ka thënë se e merr këtë hap, në respekt të moralit të tij human, qytetar e kombëtar; si dhe në respekt të angazhimit të tij për afirmimin e vlerave demokratike të shoqërisë kosovare.

“Në respekt të familjes sime, miqve të mi dhe në respekt të dëshirave, përkushtimit e angazhimit të bashkëqytetarëve të mi për përparim e zhvillim të mëtutjeshëm të Komunës, tërhiqem, respektivisht e ndërpres së ushtruari detyrën e shenjtë e fisnike të kryetarit të Komunës së Ferizajt”, thuhet më tutje në letrën dyfaqëshe.

Xhemaili në letrën drejtuar bashkë-qytetarëve të tij thotë se nuk ka dashur që të ndërpres punën e tij në këtë mënyrë, “duke lënë shumë gjëra në gjysmë për përparimin e Ferizajt”.

“Por, që nga momenti i kandidimit tim për kryetar komune, parimi im i deklaruar  për mënyrën e qeverisjes, mbi të gjitha ka qenë parimi i zbatimit të ligjshmërisë,  zhveshja e institucionit nga çfarëdo ndikimi i ngushtë politik dhe fuqizimi i normës së moralit politik në qeverisje”.

Ai po ashtu shpreh mirënjohjen për familjen e tij, bashkëpunëtorët e punës dhe aktivistët e PDK-së, të cilët e kanë mbështetur.

Sipas ligjit për qeverisje lokale, tani në Komunën e Ferizajt duhet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar.

I Pari i Ferizajt Shkon në Burg

Zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Makfire Gashi, i konfirmoi Gazetës Jeta në Kosovë se gjykata ka vërtetuar aktgjykimin për Xhemailin. 

“Gjykata Supreme ka vërtetuar dje, më 19 mars, gjykimin e shkallës së parë në të gjitha pikat e saj”, tha Gashi. 

Xhemaili, kryetari i Ferizajt u gjet fajtor për thyerje të rregullave të komunikacionit që patën si pasojë vdekjen e 21-vjeçarit Labinot Rrustemi nga fshati Banullë e Lipjanit.

“Gjykata e shkallës së parë, në mënyrë të drejtë dhe të plotë ka vërtetuar vendin dhe kohën e ndodhjes së aksidentit, pjesëmarrësit dhe pasojat e shkaktuara. Këto nuk vihen në dyshim dhe nuk kontestohen as në ankesa”, thuhet në vërtetimin e Supremes. (shih aktgjykimin këtu)

Gjykata Supreme e Kosovës në Prishtinë, me kryetare të kolegjit, Valdete Daka, tha se sipas gjetjes së gjykatës së shkallës së parë, shkas i ndodhjes së aksidentit kanë qenë tejkalimi i veturës kombi nga Xhemaili duke rrezikuar komunikacionin.

Supremja thekson se Xhemaili kishte marrë këtë veprim “pa u vërtetuar paraprakisht se mund ta bëjë, pa e rrezikuar komunikacionin […] që për pasojë kanë pasur prekjen e pjesës së përparme të djathtë të kombit, humbjen e kontrollit mbi  veturë dhe barturën – kalimin në rrugë në drejtim të kundërt ku ka ardhur, deri te goditja me automjetet e markës ”Daimler Benz 124” dhe “Ford Mondeo”, të cilat kanë qarkulluar nga drejtimi i kundërt”.

Mbrojtja e të akuzuarit, në ankesën e tyre kanë thënë se gjendja faktike nuk është vërtetuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë, sepse janë anashkaluar dy faktorë të rëndësishëm që i kanë kontribuar ardhjes së aksidentit dhe është ‘marrë se vetëm një faktor – faktori njeri, në rastin konkret i akuzuari, kinse me lëshimet e tij ekskluzive, ka shkaktuar aksidentin e komunikacionit’.

Sipas nenit 56 të Ligjit për Qeverisjen Lokale, mandati i kryetarit të komunës përfundon në rast se me një vendim përfundimtar të gjykatës, kryetari privohet nga cilësia juridike. Ndërsa neni 11.2 i Ligjit për Zgjedhjet Lokale parasheh që kryetari i komunës, të cilit i ka përfunduar mandati, zëvendësohet përmes mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në atë komunë.

Gazeta JnK ka provuar ta marrë një prononcim zyrtar nga drejtuesit e Komunës së Ferizajt, por ata kanë refuzuar. Ndërkohë, nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Besim Zymberi, ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme me drejtorët komunalë.

Nënkryetari i degës së LDK-së dhe ish kryetar i Ferizajt, Faik Grainca i tha Gazetës Jeta në Kosovë se shembulli i Xhemailit tregon se PDK është e kriminalizuar sepse shumë anëtarë të saj janë nëpër gjykime. 

Grainca tha se që në fillim të gjykimit të Xhemailit ka kërkuar dorëheqjen e tij. Ndërsa, për situatën e re për zgjedhje të kryetarit të ri, Grainca tha: “LDK për momentin nuk ka kandidat për këto zgjedhje dhe se unë nuk do të marr pjesë,” Grainca u tha gazetarëve. 

Organizata jo-qeveritare me seli në Ferizaj, INPO tha se kjo situatë ka mundur të evitohet nëse Xhemaili kishte hequr dorë nga kandidimi i dytë për zgjedhje në dhjetor të vitit 2010. 

Reagimet janë të ndryshme nga qytetarët e Ferizajt. Disa thonë se drejtësia ka kryer si duhet punën e saj derisa disa të tjerë shprehin mllefin për këtë vendim duke thënë se janë të irrituar me vendimin e Gjykatës pasi që ‘kryetari tashmë ka vuajtur shumë vite në burg në kohën e Serbisë”.