Banaliteti i së Keqes

53 vjet më parë, filozofja e shekullit ’20 Hannah Arendt, përcolli gjykimin e njërës nga figurat qendrore të organizimit të Holokaustit, Adolf Eichmann-it. Nga kjo përvojë krijoi konceptin e “banalitetit të së keqes”, term që është shndërruar gati në një klishe intelektuale.

Nga salla përballë ‘monstrumit’ që hipi në trenat e vdekjes qindra mijëra hebrenj “gruaja e pagjak dhe arrogante” u trondit kur pa një njeri “kaq të zakonshëm dhe kaq mediokër”. Djallin që e priste nuk e pa. “Ky nuk është Mefistofeli, tha, ai është vetëm një qenie njerëzore që refuzon të jetë njerëzor. Njeriu që refuzon të mendojë” kështu flet në fjalimin e fundit në filmin biografik filozofja dhe teoricienja politike, Hanna Arendt.

Një lojë dhe regji e shkëlqyer e aktores Barbara Sukowa-s dhe regjisores Margarethe von Trotta. Filmi e kap personazhin në një nga momentet kyçe të jetës e të karrierës.

Shkrimi kontravers botuar në The New Yorker për portretizimin që gjermano-herbrenja i bëri Eichmann-it trandi opinionin. Ajo këmbëngulë në mendimin se si Eichmann i racionalizonte veprimet e tij në ‘kodet’ e besnikërisë burokratike, dhe se, siç ai pohon, po e kryente vetëm detyrën që i qe dhënë.

Arendt vetë hebreje, tronditi edhe Këshillin e komunitetin hebrej kur tha se ndoshta “vetëm ndoshta”, 6 milionë hebrenj nuk do të ishin zhdukur nëse disa nga liderët e tyre nuk do të kishin bashkëpunuar me nazizmin. Arendt u kryqëzua keq nga opinioni e intelektualët, por gruaja “e hekurtë” nuk hoqi dorë nga bindja e saj.
 
Konteksti sot, një shekull më vonë, është krejtësisht tjetër. Por çfarë mendonte filozofja gjermane kur fliste për “banalitetin e së keqes”? Arendt jetoi e foli në një dhe për një shekull mizor. Për njerëz të shndërruar në robot që zbatojnë urdhërat e eprorëve. Për njerëz që e privojnë veten nga akti elementar i njeriut “të menduarit”. Për njerëz që zgjedhin të rrojnë me të keqen në mënyrë që të mos thyejnë kodet e mirëqenies e kodet e besnikërisë.

Arendt u kryqëzua pse e tha të vërtetën ose pse këtë të vërtetë e përdori në venerimet mbi totalitarizmin, revolucionin, natyrën e lirisë dhe forcën e mendimit e të gjykimit. Filozofia e saj  në thelb pati natyrën e politikës dhe jetën politike, si një nga fushat kryesore të veprimtarisë njerëzore, por edhe përpjekjen e një rindërtimi të natyrës së ekzistencës politike.

Ajo foli për metamorfozën e të keqes në diçka tërësisht ordinere. Një model i ri krimi që nuk ka ekzistuar më parë. Koncepti i “banalitetit të së keqes” i Arendt-it ka lindur pikërisht nga njeriu i cili kish hequr dorë nga të gjitha veçoritë njerëzore, duke treguar se e keqja demoniake është kryer nga “askushi, pa ndonjë motiv e pa ndonjë qëllim”. Ai nuk është një përbindësh, ai është “askushi”, insistonte.

A është koncepti i saj jashtë kontekstit zanafillor edhe koncepti që e jeton shoqëria kosovare? A udhëhiqemi nga njerëz të zhveshur nga cilësitë humane që pa “ndonjë motiv a qëllim” e kanë banalizuar kaq keq jetën tonë? “E kaluara nuk ka vdekur kurrë, ajo as që ka kaluar” na thotë sa herë William Foulkner. Mbase kështu është, sepse shqiptarët në mënyrë ofansive janë përballur me të keqen dhe banalitetin e saj, në gjithë historinë e tyre.

Por ajo që sot po ndodh është konfuze, siç është konfuz edhe shikimi përpara, sepse e kaluara është e pranishme gjithkah. E keqja ndërron formë, siç ndërron formën edhe banaliteti i saj. E tashmja e shoqërisë kosovare është mizore.

Cilësitë, vlerat dhe e mira e njeriut janë të huajsuar. Kosova është një botë larg shteteve që të ofrojnë sigurinë e mirëqenien. Një botë larg politikës dhe politikanëve që detyrën e vënë përmbi interesat e ndjenjat individuale.

Ajo jeton në botën e kthyer në karikaturë të despotizmit, në botën e vlerave të humbura. Në botën në të cilën vetëm politika ka pushtet, dhe ‘kurbanë’ të kësaj ideologjie pushtetarë të vegjël e të mëdhenj “pa ndonjë motiv e pa ndonjë qëllim”, duke heq dorë tërësisht nga “morali i të menduarit”, e nga gjithçka që nuk lidhet me ta, janë shndërruar në burokratë të bindjes ndaj tjetrit, një ordineri më të madh o më të vogël; janë shndërruar në të pagjakë që e kanë vrarë çdo ditë pak e ngapak secilin banor të këtyre metrave katror. Një mekanizëm agresiv vrasës i lirisë, i besimit, shpresës, vrasës i dëshirës dhe i jetës.

Mekanizëm agresiv nga njëri e tjetri fron, ndotës i së shkuarës, nxirës i të sotmes dhe kërcënimit ndaj të ardhmes.

E ardhmja duket e frikshme, ndërkaq kontradiktat e së tashmes kosovare janë të tmerrshme.

Kryeheronjt gjigand, ‘të fortit’ të djeshëm e të sotëm, portretet gjigande të të cilëve janë gjithandej arkitekturës së gërryer të Kosovës, janë fajtor për të keqen dhe banalitetin e saj, fajtor për epitetin e “mjerimit”, për miopllëkun që çoi në humbjen e besimit dhe shpresës së një vendi.

Teoricienja e politikës “gruaja e hekurtë” do të thoshte se këtu paska nevojë për një gjyq për sistemin e jo për individin.

Një gjyq që ndëshkon logjikën shkatërruese të pushteteve. Një utopi sigurisht! Por rebelimi dhe lufta ndaj pushteteve vrasëse është si fara që sakrifikohet e vdes për të dhënë frytin.