Fëmijët e humbur të Kosovës

Udhëtimi mes kosovarëve-apo shqiptarëve të Kosovës- nuk nis në territorin ku rri paria e pushtetit e nën hijen e tij. Udhëtimi nis në territoret të cilat jo pak janë shpopulluar. Aty ku ndërgjegja kombëtare e bashkëkombasve kujtohet rrallë. Në territoret e vrasjeve e të masakrave që sot janë bërë të padukshme për hierarkinë dhe të durueshme e gati të harruara nga populli i vet. Jo pse tmerret e luftës së fundit në Kosovë janë zhdukur për 16 vjet, por pse hierarkitë e pushteteve janë kujdesur që me veglat e tyre të bëjnë punën e palodhshme që ringritë e ndërton qytetet duke i mbuluar territoret me kohën e re, për t’i fshirë gjurmët dhe kujtesën historike.

Udhëtimi mes Kosovës i një personi që nuk ia njeh historinë, nuk do t’ia tregojë kurrë historinë e vonshme të saj, tragjedinë mbi një komb dhe njeriun e tij, nuk do t’i flasë asgjë as për shpërlarjen entike dhe djegjen e një tradite. E vetmja që do të gjejë një njeri pa njohuri për këtë vend dhe të gjithë kosovarët që e dinë dhe e kanë përjetuar historinë, janë bustet e përmendoret e luftëtarëve që ranë në fushë betejë, sepse të tilla janë ngritur me shumicë, dhe jo rrallë pa kriter.

Pjesa më e madhe e historisë njerëzore memorialet e luftës i ka ngritur në emër të fitoreve të mëdha. Kujtimi i të vdekurve nuk ishte ndonjë lavdi, sa paku jo deri në fund të shekullit ‘19. Fundi i shekullit dhe dy luftrat rrënuese botërore, bën që në kombet e ndryshme përmendoret e kohëve moderne, të mos e lavdërojnë luftën, por t’i nderojnë të vdekurit, heronjtë që vdiqën me pushkë në dorë. Pas luftërave të vonshme ndërkaq, lavde të mëdha i janë thurr aq sa luftëtarëve, njerëzve të zakonshëm që pa pushkë u detyruan të vdesin. Sot, ato përpiqen të shërbejnë edhe si qendra me destinim rritjen e mirëkuptimit mes armiqve të mëparshëm.

Mbarimi i luftës së parë botërore në Francë krijoi memorialet e paqes. Në vend të përkujtimit të heronjve, memorialet me figurat e të vejave dhe fëmijëve të mbetur jetim, në vend se të glorifikonin heronjtë denonconin politikat shtetërore, dhe luftën si fenomen. “Mallkuar qoftë lufta!” thotë mbishkrimi në memorialin Gentioux-Pigerolles në Creuse.

Një memorial i tillë provokoi për gjatë kohë ushtarët dhe ushtrinë franceze, duke bërë që ushtarët kur kalonin andej pari të kthenin kokën në tjetër anë.

Memoriale në kujtim të grave të veja dhe fëmijëve jetim të luftës janë ngritur perëndimit, si në Francë, Britani apo SHBA. Ndryshe nga gratë dhe fëmijët që e kanë vazhduar jetën pa burrat e etërit, në Kosovë ishin gratë dhe fëmijët që u vranë dhe u dogjën, tek i konsideronin si kriminelë. Në ato që njihen e dihen si ana më e errët e luftës në vend. Vendet e krimit kanë emra.

Po vendet ku ndodhën në pjesën më të madhe janë zhdukur nga sipërfaqja e tokës. Shtëpitë ku u vranë e u dogjën ose janë rrafshuar, ose mbi eshtrat e ekshumuara janë ngritur shtëpi e ndërtesa të reja. Herë sipas qejfit të pronarëve e herë të komunarëve. Edhe atëherë kur pronarët kanë dhënë pronën për ‘përkujtim’ komunarët e kanë harruar.

Një nga ato është krimi në shtëpinë e familjes Vejsa në Gjakovë. Nata e tmerrshme e 1 dhe 2 prillit ku u vranë rreth 15 fëmijë me nënat e tyre, ekziston si dëshmi vetëm në memorien e të mbijetuarit të masakrës, Dren Caka. Mbi vendin e dikurshëm sot është ngritur një banesë disa katëshe. Ndonjëherë ky krim zë vend edhe në fjalimet e komunarëve, po çdo gjë mbaron me të mbaruar mbledhia. Familje të tjera dhe vende të krimit të zhdukura, janë të shumta në gjithë territorin e Kosovës.

Për ta nuk ka asnjë memorial, asnjë gur dhe asnjë shenjë ku do të mund të dërgoheshin lule, dhe kujtuar. Një vend sall për të vënë lule e për të kujtuar. Nëse asgjë tjetër, këtë e kanë merituar.
Me gjasë Kosova akoma nuk është gati për hapjen e muzeve të terrorit të luftës, kapitulli i së cilës u mbyll në 99-tën. Kosova akoma nuk është gati as për muzeun e eksodit, për të cilin aq shumë u fol. Nuk është gati as për muzetë që flasin për humbjen e trashëgimisë. Për kaq vjet ajo ka preferuar vakumin e kujtesës historike. Dhe mundësisht sa më shpejt ta fshijë atë. Baballarët e ndërgjegjës kombëtare, thonë se moralisht janë fisnik në këtë pikë, por drama moderne e shtetit të ri vazhdon.

Do të ishte mirë të mos rindërtohej në tokën që ka thithur hirin e trupave të djegur. Do të ishte mirë të mos mbushej me beton ajo grimë toke që ka përbirë hirin e fëmijëve. Sepse as fëmijët e sotëm kosovarë e aq më pak ata që do të vijnë nuk kanë si t’i shohin dëshmitë, në formën e memorialeve, përkujtimoreve a godinave, pos t’i kërkojnë ato në rrëfimet e prindërve e të gjyshërve, të cilët edhe ashtu dikur s’do të jenë. Po ndodh para syve pa e vënë re, por do të ishte mirë të mos betonohej kujtesa e të merrej pak mësim nga ajo

Folklori dhe nacionalizmi rëndojnë më tepër se sa duhet në ndërgjegjën e baballarëve të kombit, por kompleksi i inferioritetit dhe më shumë ai i vetafirmimit është mbi të gjitha për parinë tanë.

Të dëgjosh rrëfimet, të kërkosh nëpër videot në youtube, në këtë anë duket sikur lufta sapo ka mbaruar, sepse kujtimet për shumë nga ne janë të gjalla, nga ana tjetër të duket sikur kujtesa e saj të jetë zhdukur dhe të mos shërbejë më si asgjë, as si shenjë nderimi për të vdekurit e as si paralajmërim ndaj të keqes e dhimbjes.

Masakrat e luftës rrojnë vetëm në kujtesën e atyre që i panë e përjetuan dhe në kujtesën e atyre që i dëgjuan. Gjurmët e luftës janë zhdukur. Po tmerri i luftës dhe i çmendurisë që e ka shkaktuar është para syve, i dukshëm. Janë shprehje e ripërtëritjes që i imponohen dhe mbivedosen një bote të amulltë kosovare.

Harresa është e panjerëzishme, por harresa e krimeve mbi fëmijët kosovarë, është vetë krim.