Liria e femrave të dhunuara

Në panjerëzinë e luftërave, dhuna seksuale është një nga armët më të tmerrshme, dhe padyshim  ana më çnjerëzore. Nga përdhunimet e grave për qëllime hegjemonie dhe përdorimin e tyre si “plaçka lufte” në shekujt e mëparshëm, në konfliktet moderne ato janë shndërruar në mjete orkestrimi të luftës.

Instrumenti më i keq i terrorit i përdorur ndaj grave, i ka shndërruar trupat e  femrave në pjesë të terrenit të luftës. Kështu ka ndodhur edhe në Kosovë.

Dosjet janë përplotë histori dhunimi në luftën që mori fund në qershorin e 99-tës. Vetëm dëgjimi e shfletimi i tyre është i tmerrshëm. Të rrallave iu është thënë “rrno për me tregue!”, të shumtave “vdis mos me na marrue!”.

Amaneti i nënave, etërve e burrave që kanë dhënë shpirt dhe atyre që rrojnë  para vajzave e grave të dhunuara është amanatei i psikës shqiptare dhe i sociumit të mbështetur në traditën, më shumë se në gjakun, logjikën e ndjenjën.

Një histori e ngjashme e  rreth njëzetmijë femrave të Kosovës, siç e thonë numrat. Një histori të tillë e morën në varr edhe të vrarat. Sa mund të ketë zë një e vdekur, ishin e vazhdojnë të jenë të pagojë të gjallat. Shoqëria kosovare e mohon dhe e refuzon femrën e dhunuar të luftës, edhe pse çmimin më “të flliqtë” të lirisë së kësaj shoqërie, u desh ta paguajnë ato.

Cila është liria e gruas së dhunuar?

Njëherë e kanë vrarë policë, ushtarë e paramilitarë serbë. Dy herë e ka vrarë familja, trefish e ka vrarë shoqëria dhe psika e saj. Kjo është historia pas. Asnjë femër e dhunuar deri më sot nuk ka  mundur të dalë e të flasë për krimin me emër e me fytyrë. Sepse kështu prek nderin e moralin dhe “sedrën” e rëndë të shqiptarit.

Sepse ai është i lidhur fort për ligjet e doket që kanë një traditë të gjatë kanunore dhe “burrit që i mirret ndera, nxihet i vdekun” , prandaj në liri do e dënojë e dhunojë për çmimin që asaj padrejtësisht iu caktua të paguajë. Shoqëria e tillë, psika e saj, bëhet dyfish dhunuese.

Për cilën liri do të fliste nëna që kurrë më s’i pa fëmijët e vet, sepse dhunuesit e çnjerëzuan para syve të tyre dhe anëtarëve të tjerë të familjes; për cilën liri flet gruaja e dhunuar, që nda dëmtimi s’do të mund kurrë të bëhet nënë? Për cilën liri flasin femrat të cilat familja i ka përjashtuar sepse u shndërruan në të pamoralshme si viktimë e një akti çnjerëzor? Ato të cilat burrat i ndanë, apo edhe ato të cilat burrat e familja i pranoi por e vuajnë si një damkë? Për cilën liri flasin këto gra?

Ato nuk flasin. Nuk kanë gojë, se janë të vrara dhe fjala e tyre do t’i vriste sërsish. I vrasim ne si shoqëri.

Nxitja e dialogut publik në Kosovë për dhunën e ushtruar mbi gratë e luftës, e nxitja e dialogut në Serbi për të vërtetën, llogaridhënien e kërkimin e drejtësisë për të gjitha viktimat e pafajshme të luftës, duket larg. 16 vjet pas, asnjë dhunues nuk është dënuar, prandaj të gjithë ata që heshtin, shndërrohen në përdhunues.Të gjithë kundër trupit e shpirtit të gruas në këtë botë maskiliste.

Derisa dhunuesit rrojnë si çdo njeri tjetër i lirë, barrën e bart vetëm Ajo. Akoma nuk ka një raport ndërkombëtar për krimet seksuale në Kosovë dhe me këtë edhe mungon drejtësia e krimeve.

Nëse akoma nuk ka një raport, do të mund të kishte së paku një memorial që i nderon, si “land mark” që flet krimin çnjerëzor. Gratë e qeverisë patën folur disa herë për këtë, po as ato nuk kanë mjaftueshëm zë. Vendin e heroinave që u patën premtuar në një memorial, akoma s’e pamë.
Qeveria ka premtuar se femrat e dhunuara në luftë këtë vit pritet të hyjnë në skemën e përkrahjes financiare, duke e “lehtësuar” pak ndërgjegjën e shoqërisë dhe peshuar më shumë mbi buxhetin e Kosovës.

Kryeministria thotë se është në proces kompletimi të projektit dhe formimin e komisionit qeveritar për verifikimin e njohjen e statusit të viktimave të dhunuara gjatë luftës. Dikush thotë se viktimave të dhunuara do t’u kërkohen dëshmitarë që të dëshmojnë nëse me të vërtetë janë dhunuar.
Kush e beson se në këto kushte ato do të hapnin gojë! Nga memoria e dhunës, dëshmitë, verifikimi, te listat që pritet të përfundojnë për 5 vjet, e deri te fjalët e çarshisë se këto lista mund të manipulohen keq, gjithë çfarë mund të presim është respekt dhe ndershmëri në përfundimin e projektit.

Nëse Qeveria nuk do të dijë e nuk do të ketë kohë e “këllçe” të merret me gratë e dhunuara në luftë, si një nga çështjet më të ndjeshme të historisë së saj të dhimbshme, do të mbetet vetëm më shumë qyqare se sa është sot, dhe më qyqare se shoqëria paragjykuese.

Përdhunimet sistematike në vendet e konflikteve të mëdha deri te Kosova e vogël, pushtuesi i ka përdorur për ta përjetësuar “kontrollin” social, për ta poshtëruar e shkatërruar komunitetin kundërshtar, për ta vrarë shpirtin e tij e çuar në vend strategjinë e shfarosjes etnike të shqiptarëve.

Ai e ka kryer aktin e tij, ndërkaq pafuqia institucionale në liri si për kërkimin e llogaridhënies dhe drejtësisë nga Serbia, ashtu edhe për trajtimin e çështjes me ndershmëri, janë akte të padurueshme.
Kufijtë e padukshëm të kontradiktave që krijojnë mendësinë ballkanike dhe ankthi i luftës së tyre me vetveten nuk lejojnë e kushedi edhe për sa kohë s’do të lejojnë krijimin e taborit të përshtatshëm të përballjes. Sensacionet çojnë në fronte lufte, derisa Ballkani mbetet “sfinksi” që buzëqesh me ironi.