A është afër liria?

Pashallarët e paqes “n’emër të paqes” e kanë mbytur atë. Në kohën e lirisë, atëherë kur vendi do të duhej të merrte drejtimin përpara, ka shkuar në ecje së prapthi, duke u bërë çdoherë e më i vogël.

Dënimin e tij me vdekje e kanë nënshkruar trimat e rrugës, djemtë e luftës dhe doktorët e dijes. Kushedi cili do të ketë qenë krimi i këtij vendi që ndëshkimi të ishte kaq i madh.

Bestytët mund të thonë se na kanë nemur në kohërat e vjetra, por edhe ata e dinë se asnjë ‘mallkim’ nuk mund të rrojë kaq gjatë. Ajo që të gjithë e dimë është se teket e mllefet personale janë shndërruar në armë të vrasjes.

A është fatkeqësia kryesore Hungaria, Austria apo Gjermania, a cilido vend që Kosovës, siç u pëlqen liderëve të thonë, po ia merrë pos shpirtin edhe fytyrën? A është partia a qeveria, të kamurit a lypësit ata që po ia marrin fytyrën? Humbja e vlerave apo mosbesimi? Apo janë të gjitha bashkë! Ata që janë këtu janë…Ish komunistë e ish luftëtarë, patriotë e mercenarë, OJQ-istë e gazetarë… që herë flasin e thonë se ora kosovare paska nis e herë thonë se apokalipsi kosovar po ndodhë. Ata janë të gjithë bashkë, dhe të gjithë fajtor.

U bënë shtatë vjet të shtetit që kurrë nuk e patëm dhe në shtatëvjetorin e tij, jemi bërë me “veshë në krahë” se prej nga po vijnë retë e zeza: nga Serbia apo nga Maxharria, apo nga vetë ne.

Ata që 16 vjet më parë u kthyen vetëm për lirinë, sot lirinë e shohin vetëm kah perëndimi. Ata që 16 vjet më parë dolën për të pritur trupat që e sollën lirinë, e kanë kuptuar se çdo kult është një gënjeshtër, një mashtrim ose një vetëmashtrim.

Faji jonë nuk është pse besuam, po pse lejuam që lirinë të na e mbysin pashallarët e paqes “n’emër të paqes”.

Prandaj realiteti kosovar është një parodi. Sepse për kaq vjet ishim të paqartë në qëndrimin që duhej të mbanim për kufirin mes respektit për të vërtetën dhe respektit për njerëzit. Sepse nuk ishin të aftë të tregoheshim të përgjegjshëm dhe t’i vinim të tjerët në vështirësi sa herë që trumbetonin lirinë, demokracinë e perëndimin, dhe t’i bënim të paguanin dënimin.

Etika e përgjegjësisë thonë, është themeli i jetës shoqërore dhe i demokracisë. Edhe kur flitet për pastërtinë e idealeve, po sidomos për pasojat e tyre mbi të tjerët.

Cili është respekti për të vërtetën, respekti për njerëzit dhe cila është etika e përgjegjësisë në ‘demokracinë’ kosovare? Liderët tanë, ata që e sollën paqen dhe ata që na e vodhën sërish, respektin e kanë vetëm për veten.

Llogaritë me realitetin ku jetojnë i kanë bërë mirë, të dëmtuarit janë këndej. Dhe në këtë kufi, mes atyre që qëndrojnë e janë të detyruar të durojnë, pashallarët e paqes nuk lodhën asnjëherë, as këtë vit, të na frikësojnë me vargun “sërish vjen marsi”! Nuk lodhen të na frikësojnë as me pranverën që më nuk ngjan as në pranverë “arabe” e as “ballkanike”, por një pranverë e paparë kosovare, ne emër të gjëmës e tmerrit që kurrë s’e paskemi parë.

Gjëmë bëjnë burrat e vaje bëjnë gratë, por kësaj here ka ndryshuar edhe koha, edhe çudia, edhe njeriu e bile edhe qeveria. Gjithçka është e mundur, dhe gjithçka po ndodh, veç mos na raftë  me e harru këtë që shkoi!

Ata janë të gjithë bashkë dhe të gjithë fajtor. Dhe të gjithë e presim këtë përvjetor, në të cilin do të duhej të shkruanim e të flisnim për jetën që do të mund të kish qenë më e mirë, për identitetin kulturor, për shtetin e evropianëve të ri, për vlerat e kombit që gjithmonë ishte kombësi, për 100 vjet luftë për liri, për shtetin ose shenjat e tij…dhe jo për migrimin, jo për ikjen, jo për shfajsimin e pushtetit e pranverën e opozitës, jo për konspiracionet e politikës, jo për tmerrin e gjëmën!

Flasim për një tjetër kufi dhe sërish për Perëndimin. Dhe derisa flasim shpëtimin në botën përtej, boshti ortodoks qeshë e zgërdhihet, selitë e fuqive botërore bëjnë politikë me vendin e vogël, ndërkohë që “vëllezërit myslimanë” janë larg; diplomatë, intelektualë, shkrimtarë, gra e burra këmbëngulin se po na vrasin natën e na qajnë ditën.

Askush nga liderët nuk është i gatshëm të diskutojë me sinqeritet. Turma është e humbur dhe heronjtë e saj janë të humbur.

Kështu që diferencën në  jetët tona, s’ka se kush ta bëjë.

Në emër të lirisë për të cilën u mashtruam e u vetëmashtruam, në emër të lirisë të cilën na e vodhën, në emër të mirëqenies, të sinqeritetit e të respektit, në emër të tolerancës e të pajtimit, në emër të një identiteti të veçantë, në emër të një kozmetike të përkohshme, a të një pauze identitare, në emër të dekorit të imponuar karshi fuqive të jashtme për hir të ruajtjes së paqes në rajon, dëmshpërblimin që s’e kërkuam kurrë, duhet ta paguajmë vetë.

Regjimet imponojnë frikën dhe errësirën për t’i mbajtur të tjerët skllevër, ndërkaq zanafilla e një individi, e një kombi dhe një qytetërimi, është po aq e shenjtë sa çdo moment tjetër jete. Një faltore pushteti, terri e terrori kosovar, nuk mund të jetë kurrë me e fortë se një individ, një komb dhe një qytetërim.