Një Tregim mbi dy gjenerata të ndryshme

Kur shkoja në shkollë të mesme në Prishtinë, diku nga mesi i viteve të 90-ta, unë dhe miqtë e mi ecnim nëpër rrugica dytësore për të shmangur policinë serbe që patrullonte nëpër rrugët kryesore. Nuk ishte lehtë, por u mësuam të ndjekim këto rrugë pasi që shumë prej nesh ishim keqtrajtuar dhe rrahur para miqve tanë pa kurrfarë arsyeje. 

Disa prej nesh hoqëm dorë nga shkolla duke vlerësuar se nuk ia vlente barra qiranë. Gradualisht shumë miq të mi ikën nga Kosova duke emigruar nëpër Evropë dhe gjetiu. Kosova po bëhej një vend i vetmuar me shumë kujtime. 

Këta adoleshentë u bënë pjesë e gjeneratës së kosovarëve që ishin larguar nga vendlindja e tyre mes viteve 1989 dhe 1999, duke ikur nga realiteti represiv politik dhe ekonomik i cili ua mohonte atyre edukimin adekuat dhe një jetë normale. 

Sot, këta emigrantë përbëjnë 33 për qind të popullatës së Kosovës. Edhe pse emigrimi nga Kosova ka filluar që në vitet e 60-ta, rreth 93 për qind të numrit të gjithmbarshëm të emigrantëve kosovarë kanë lëshuar Kosovën pas vitit 1989. 

Shumë prej tyre gjetën punë menjëherë dhe përgjatë tërë dekadës së errët të viteve të 90-ta ndihmuan familjet e tyre, e rrjedhimisht edhe vendin e tyre, në sigurimin e mbijetesës në kushte tejet të rënda ekonomike. 

Komuniteti i diasporës vullnetarisht ndau një pjesë të të ardhurave të veta në formë taksash dhe i shfrytëzoi ato për të financuar sistemet paralele të arsimit dhe mirëqenies të cilat ishin krijuar në Kosovë. 

Ky sistem paralel arsimoi të rinjtë kosovarë, ndërsa ata që jetonin jashtë vendit krijuan organizata humanitare dhe bamirëse që ndihmonin shoqërinë kosovare përmes dërgimit të resurseve të ndryshme. Thënë shkurt, kjo gjeneratë po mbante Kosovën gjallë. 

Le të bëjmë tash një krahasim mes gjeneratës së viteve të 90-ta dhe kësaj të sotmes, do të thotë me të rinjtë e lindur mes viteve 1989 dhe 1995. Kjo gjeneratë u rrit diku gjatë dekadës së fundit dhe sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës në vitin 2011 përbënte 47 për qind të popullatës së Kosovës. 

Është mbresëlënës fakti se në vitin 2011, 48 për qind të popullatës së gjinisë mashkullore nga ky grup janë më të rinj se 25 vjeç. Që nga vitet e 50-ta kur filluan regjistrimet, Kosova kurrë nuk ka pasur më shumë të rinj të moshës 10-24 vjeçare se sa sot. 

Kjo me të drejtë mund të quhet gjenerata më e madhe e Kosovës që është duke e ristrukturuar dhe ndërruar peizazhin demografik të Kosovës. Këta të rinj nuk mund të emigrojnë lehtë si më parë ngase këtë derë e kanë pothuajse të mbyllur. 

Ata nuk mund të ndjekin as arsimim adekuat, sepse sistemi arsimor është gjysmë i dështuar. Ata nuk mund të punojnë sepse ekonomia nuk u ofron shumë mundësi për punë. Thjeshtë,  kjo është një gjeneratë e humbur. 

E në anën tjetër politikanët i quajnë këta të rinj si pasuria më e madhe e vendit. A janë  me të vërtet të tillë ata? 

Mbase edhe më e rendit është pyetja: a mund të bëhen ata pasuria më e madhe e vendit nëse vendi investon në mirëqenien dhe arsimimin e tyre? Në veçanti në arsimim pas shkollimit të mesëm dhe arsimimin profesional, i cili është kyç për të zhvilluar shkathtësitë e nevojshme për të mbijetuar në tregun modern të punës, për të konkurruar për vende më të mira pune, për të shtuar punësimin në vende të mira pune dhe për të sjellë prosperitet. 

Por, të rinjtë në Kosovë vazhdojnë të kenë nivelin më të ulët të regjistrimit në universitet në Evropë – vetëm 16 për qind, sipas Komisionit Evropian. Kjo normë është më e ulët edhe se norma e regjistrimit në shtete të varfra, siç është Moldavia, shteti më i varfër në Evropë ku në universitete regjistrohen rreth 29 për qind të të diplomuarve në shkolla të mesme. 

Kjo mungesë e trajnimeve adekuate për shkathtësi të ndryshme dhe cilësia e ulët e arsimimit përbëjnë një kombinim të frikshëm, i cili bëhet edhe më evident nga norma shkatërrimtare e papunësisë, që tek të rinjtë mes 15 dhe 24 vjeçar shënon 65 për qind, si dhe nga numri i madh i të rinjve nëpër xhami ku gjejnë prehje në mësimet fetare. 

Ndoshta do duhej parë nëse kjo gjeneratë po shndërrohet në kërcënimin më të madh të Kosovës. 

Ekzistojnë shumë indikacione se këta të rinj po bëhen çdo ditë e më shumë një forcë vdekjeprurëse e cila mund të vë në hije përpjekjet heroike të bëra nga një numër i vogël i të rinjve kreativë dhe ndërmarrës drejt bërjes së Kosovës një vend ekonomikisht stabil. 

Pasojat e të lënit të të rinjve që të bëjnë çfarë të duan dhe të bredhin rrugëve janë të paimagjinueshme për të ardhmen e vendit, e kjo po vërtetohet nga numri i atyre që janë shndërruar në fanatikë fetarë dhe po largohen nga vendi për të luftuar në luftëra të huaja – temë kjo e trajtuar rishtas. 

Ndryshe nga gjenerata e viteve të 90-ta, e cila u frymëzua nga lufta ekonomike dhe politike për liri, rinia e sotme nuk po gjen frymëzim në shtetin dhe qeverinë e vet, dhe po përpiqet që ta gjejë identitetin e vet gjetiu. 

Fakti që ata po ndihen të lënë anash mund të kuptohet, pasi që për arsye të ndryshme në këto 15 vitet e fundit shteti i tyre ka bërë shumë pak për ta, gjë që ka bërë që pakënaqësia e tyre me shtetin të arrijë përmasa shkatërruese. 

Kjo punë nuk është e lehte. Nevojiten përpjekje të jashtëzakonshme për të gjetur ide se çka të bëhet me këtë forcë kërcënuese të shoqërisë. Hapi i parë do të jetë të pranohet fakti se aktualisht rinia e Kosovës përbën më shumë rrezik se sa pasuri. 

Vetëdijesimi në këtë aspekt kërkon angazhim për të trajtuar problemet e shumta me të cilat rinia përballet, nga arsimimi dhe punësimi e deri tek konfuzioni me identitetin. 

Ky problem nuk është afatshkurtër dhe nuk mund të zgjedhet me politika sipërfaqësore. 

Nuk ekziston një shkop magjik që do ta rregullonte situatën. Por, bërja e arsimit prioritet numër një në vend, e jo e hapjes së ambasadave apo grindja me Serbinë për çështje të parëndësishme, do të përbënte një investim që ngërthen në vete pak rrezik por rezulton me shpërblime të mëdha në të ardhmen. 

Për fund edhe çështja mbase më e rëndësishme – qeveria duhet të punojë në përmirësimin e imazhit të vet. 

Politikanët janë figura publike të cilat duhet t’i dinë detyrat e tyre qytetare. Ata mund të mos e shohin veten në një rol të tillë, por ata ish dashur të shërbejnë si shembuj dhe të ndërtojnë një qeveri të dinjitetshme dhe respektuar.

Kur zyrtarët publikë dështojnë në këtë mision bazik, të rinjtë nuk duhet të fajësohen sepse ata vetëm i imitojnë të rriturit. 

Mikra Krasniqi është ekonomist i lartë pranë Zyrës Ekonomike dhe Zhvillimit të guvernatorit te shtetit Maryland në SHBA. I lindur në Kosovë, ai ka kryer studimet në Universitetet George Mason dhe Harvard.