Kufijtë e politikës tatimore

Qeveria e Kosovës e ndryshoi normën e TVSh-së pas gjashtë vjetëve në përpjekje për t’u dhënë kahje zhvillimeve ekonomike në vend. Efektet e këtyre ndryshimeve janë të përziera.

Për shembull, përgjysmimi i TVSh-së për disa mallra esenciale është mjaft pozitiv sepse do ta bëjë jetën e rënduar të shtresës së varfër dhe të mesme më të përballueshme. Largimi i TVSh-së nga linja e prodhimit do ta stimulojë prodhimin dhe do t’u ndihmojë prodhuesve vendorë të jenë më konkurrentë.

Megjithatë, ulja e pragut të TVSh-së si dhe rritja e saj në 18% nënkupton që më shumë biznese do të përballen me barrë fiskale si dhe shumica e çmimeve do të rriten. Bizneset margjinale do ta kenë të vështirë të mbesin në treg, TVSh-ja do t’i rëndojë pagat në afat të gjatë, e konsumatorët nuk do t’i shijojnë plotësisht uljet në koston e jetesës.

Cili është qëllimi i Qeverisë, duke pasur parasysh që këto politika janë të përziera? Në programin e publikuar Qeveria synon ndër tjera që nëpërmes reformimit të politikave tatimore të ketë “[r]ritje të të hyrave të përgjithshme në buxhet” si dhe “pëmirësim në inkasim”.
Nëse Qeveria është e interesuar të ketë rritje të të hyrave dhe inkasim më të mirë, atëherë ajo duhet ta ketë parasysh Kurbën e Laferit.

Kurba e Laferit është një koncept ekonomik i cili thotë se inkasimi si dhe të hyrat nga tatimi varen më shumë nga shkalla apo norma e tatimit sesa nga efektiviteti i administratës tatimore.
Me normë tatimore 0% do të ketë natyrisht zero të hyra nga tatimi. Por edhe me normë 100% do të ketë pothuajse zero të hyra nga tatimi, sepse pak kush do të jetë i gatshëm t’ia dhurojë shtetit çdo gjë që e fiton.

Nga kjo del që norma optimale, pra ajo që sjell nivelin më të lartë të të hyrave nga tatimi, duhet të jetë diku në mes të këtyre dy numrave. Duke rritur normën mbi nivelin zero, rriten edhe të hyrat. Por pas një pike të caktuar, rritja e mëtutjeshme e normës vetëm sa i zvogëlon të hyrat, sepse i inkurajon tatimpaguesit t’i shmangen tatimit.

Sa më e lartë që të jetë norma e tatimit, aq më shumë do të inkurajohen tatimpaguesit të gjejnë mënyra ligjore dhe joligjore për t’iu shmangur. Sa më e ulët që është norma, aq më të përballueshëm dhe të arsyeshëm do ta shohin tatimpaguesit ligjin tatimor.

Prandaj, ulja e tatimit nuk i ulë detyrimisht të hyrat nga tatimi, por edhe mund t’i rritë ato. Kjo ndodh shpesh. Shembull klasik është ai i presidentit Reagan, i cili duke e ulur tatimin margjinal nga 70% në 28% i rriti të hyrat nga $36.3 milionë në $353 milionë, sepse më shumë tatimpagues që më parë fshiheshin e panë të leverdishme t’i deklarojnë të hyrat.

Pikërisht për këtë arsye edhe bizneset i ulin çmimet. A do të thotë kjo që ato dëshirojnëmë pak para nga konsumatorët? Jo. Pronarët e bizneseve e dinë shumë mirë që në disa raste ulja e çmimeve i rritë të hyrat dhe rrjedhimisht fitimin, sepse e rritë volumin e shitjeve.

Mbledhja e tatimeve funksionon në të njëjtin parim: norma tatimore duhet të përcaktohet në atë nivel në të cilin shmangja ligjore apo joligjore e tatimit bëhet më e kushtueshme se sa thjesht pagesa e tij.

Cili është ky nivel? Kjo varet nga vendi në vend, nga të ardhurat e tatimpaguesve, funksionimi i ligjit dhe efektiviteti i administratës tatimore. Pra, është çështje që duhet të studiohet dhe nuk mund të dihet apriori. Sipas analizave që ekonomistët i kanë bërë, edhe për vendet më të zhvilluara e pasura në botë, norma prej rreth 20% është maksimumi.

Pra pavarësisht sa dikush mendon që norma e tatimit duhet të jetë, pavarësisht ideologjisë në të cilën beson apo rolit që mendon se shteti duhet ta ketë në ekonomi, ekziston një normë maksimale e tatimit mbi të cilën nuk mund të mblidhen më shumë të ardhura.

Meqë Kosova është vend më pak i zhvilluar dhe ka administratë joefektive, norma optimale duhet të jetë diku rreth 10-15%. Kjo natyrisht nuk do të thotë që forcimi i administratës tatimore nuk e rritë inkasimin.
TVSh-ja pëlqehet si formë indirekte e tatimit ndër tjera pikërisht për shkak se është më e vështirë për t’u shmangur. Por tatimpaguesit nuk do të jenë indiferentë dhe të gatshëm për ta paguar atë pavarsisht normës së saj.

Qeveria duhet të përgëzohet për një pjesë të reformave tatimore që janë pozitive. Por për t’i rritur të hyrat, ajo është dashur ta ndjekë Kurbën e Laferit dhe t’i zvogëlojë normat e tatimit anembanë.