BE-ja e Ka Momentin e Vet të Zarfit

Ashtu siç tregon legjenda, karriera e presidentes Atifete Jahjaga filloi befas më 2011, kur  ambasadori i i asaj kohe i ShBA-ve Christopher Dell, e nxori emrin e saj prej një zarfi gjatë një takimi liderësh me Hashim Thaçin , Isa Mustafën e Behgjet Pacollin.

Kjo ndodhi në mes të krizës politike të asaj kohe, kur askush nuk binte dakord se kush duhet të bëhej President. 

Pothuajse askush nuk kishte dëgjuar për Jahjagën, as kush e kishte ngritur në heshtje për ta bërë një nga zyrtaret kryesore në Policinë e Kosovës, pa pasur afërsi me figura të njohura politike. 

Me ndërhyrjen agresive të Dell-it ndoshta personi më i fuqishëm në Kosovë në atë kohë, Jahjaga u votua, duke zgjidhur krizën dhe lejuar shtetin të funksionojë normalisht.

Por për shumëkënd në Kosovë, ilaçi ishte më i keq se sëmundja. Ndërkohë që parlamenti teknikisht votoi për Jahjagën, ishte e qartë se procesi ishte çdo gjë përveçse demokratik. 

Ai  përcolli mesazhin se kohëve të fundit kosovarët dhe liderët e tyre të zgjedhur ishin peng i tekave të komunitetit ndërkombëtar, interesat e të cilit e vendosën stabilitetin përpara vlerave demokratike.

Shumë gjëra kanë ndryshuar në krahasim me vitin 2011. Kosova nuk është më nën mbikëqyrjen e Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe Dell-i ka kohë që ka shkuar.

BE-ja është shfaqur si lojtari kryesor ndërkombëtar këtu, me zyrtarë që ecin më butësisht dhe autoriteti i të cilëve nuk është absolut. 

Por megjithatë  janë të fuqishëm, duke pasur parasysh se BE-ja mban çelësat për klubin e vet.

Prandaj mund të thuhet se “momenti i zarfit” të BE-së është pak më pak dramatik.

Ashtu siç do të raportojë “Prishtina Insight”, edicioni që botohet nesër, duket se zyrtarët e BE-së në heshtje bindën zyrën e Jahjagës për të zgjatur mandatet e tre anëtarëve ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese – në një mënyrë me të cilën këshilltarët e Presidentes fillimisht nuk u pajtuan, pasi që ajo ishte në kundërshtim me procedurën e përcaktuar në Kushtetutë duke anashkaluar parlamentin.

Është e diskutueshme nëse çfarë ndodhi ishte e jashtëligjshme, por është e qartë që BE-ja më së miri përdori një shteg që në mënyrë të qartë nuk është në frymën e Kushtetutës. 

BE-ja ka shpenzuar qindra miliona euro veçanërisht  në zhvillimin e sundimit të ligjit në Kosovë  nëpërmjet misionit të saj EULEX. 

Megjithatë, duket se janë të mendimit, se në këtë rast është më e rëndësishme që të ketë një Gjykatë Kushtetuese gjatë kësaj krize politike, sesa që kjo gjykatë  të veprojë në baza ligjore të shëndosha.

EULEX-i e ka udhëzimin dhe këshillimin një pjesë të rëndësishme të misionit të vet, duke ndihmuar prokurorët, gjyqtarët dhe policinë të bëjnë një punë më të mirë.

Por në mënyrë të padrejtë në këtë rast, BE-ja e ka inkurajuar Presidenten që t’i ikë ligjit – dhe ndoshta ta thyejë atë. 

Në afat të shkurtër, Kosova mund të përfitojë duke pasur funksionale gjykatën e saj më të lartë që ndoshta do të ndihmojë për t’i dhënë fund kësaj krize sa më shpejt .(Edhe pse deri më tani gjykata ka bërë të kundërtën .) Por në afat të gjatë , BE-ja, kam frikë, i ka dërguar një mesazh Kosovës që sundimi i ligjit është i rëndësishëm vetëm kur është i volitshëm.