Presidentja Sodit Teksa Vendi Shkon Drejt Shpartallimit

Intervista 12-minutëshe e presidentes Atifete Jahjaga në “Fox News” gjatë javës që shkoi ishte vërtet një turp televiziv, edhe atë për shumë arsye. Në njërën anë ishte nikoqiri i emisionit, K.T. McFarland, i arsimuar në Oksford dhe zyrtar i lartë në administratat e disa presidentëve të ShBA-ve, i cili pyeste Jahjagën se “sa i thoshte zemra” se do të zgjasë lufta kundër ISIS-it. 

Në anën tjetër Jahjaga shihte të zitë e ullirit për t’iu përgjigjur pyetjes lidhur me kërcënimin që vjen nga ISIS-i përmes përgjigjeve të parapërgatitura dhe fjalive të shthurura e pa lidhje logjike. 

Ajo gjithashtu përmendi se Kosova është “në proces të miratimit të një ligji” me të cilin do të shqiptojë dënime me burg për njerëzit që shkojnë për të luftuar jashtë vendit. 

Ana qesharake e kësaj deklarate është fakti se Kosova nuk është në proces të miratimit të kurrfarë ligji, duke qenë se Kuvendi nuk është mbledhur për qëllime ligjvënëse që nga shpërbërja e tij në muajin maj. 

Natyrisht, kjo ka ndodhur për shkak të ngërçit politik që e ka kapluar Kosovën ka disa muaj, e për zgjidhjen e të cilit Presidentja nuk ka ndërmarrë ende asnjë hap produktiv. 

Ajo iku nga kjo krizë rishtas për të pranuar një shpërblim nga Iniciativa Globale e Clinton-it, e i cili, shih ironinë, jepet për “Lidership në Poste Publike”. 

Njëkohësisht, ka mëdyshje nëse Gjykata Kushtetuese do të jetë fare në gjendje të shqyrtojë lëndë të reja lidhur me proceset politike të Kosovës, duke qenë se një nga gjyqtarët është tërhequr, ndërsa për zgjedhjen e tij nevojitet një Kuvend funksional. 

Të gjitha këto shtetin e lënë në një pozitë tejet të vështirë – e në momente të tilla presidentja duhet të ndërhyjë për t’i sjellë gjërat në rend sërish. 

Edhe pse posti i presidentit shpesh në Kosovë shihet me përçmim si post “i dobët” apo “ceremonial”, në të vërtetë ky post bart autorizime të konsiderueshme kushtetuese, duke përfshirë detyrimin për të garantuar “funksionimin kushtetues të institucioneve të krijuara me Kushtetutë”. 

Me fjalë tjera, Jahjaga është e fundit në vijën e mbrojtjes që do duhej të ruante aparatin shtetëror nga dështimi i plotë. Kjo sepse nëse ndodh një gjë e tillë, kërcënimet si ISIS-i bëhen dukshëm më të frikshme për Kosovën.