A Jemi Shoqëri Joaktive?

Ju kujtohen premtimet elektorale të PDK për krijimin e 200 mijë vende të reja të punës? Sipas të dhënave të fundit të ASK, në Kosovë janë vetëm 174 mijë të papunë! Se partnerët në koalicionin aktual qeverisës ishin shumë gabim me premtimet, këtë e kanë pranuar edhe ata vet. Por, më poshtë do mundohem të argumentoj se përse edhe të dhënat e ASK nuk kanë fare kuptim.

Prej 1.8 milion kosovarëve, mbi 66% e tyre janë në moshën e punës: nga 15 deri 64 vjeç. Janë 1.527 femra më shumë në moshë të punës së sa meshkuj. Mirëpo, vetëm 12.5% e këtyre femrave në moshë të punës në fakt janë të punësuara. Mbi 78% e femrave në moshë të punës nuk janë aktive në tregun e punës.

Mbi 58% e popullsisë në moshë të punës klasifikohen si jo aktiv. E në anën tjetër, vetëm 323 mijë persona punojnë apo 27% e popullsisë në moshë pune. Krejt në fund, papunësia del të jetë 35.3%!

E qartë? Jo edhe aq. Kjo ishte tendenca ime për të thjeshtëzuar 44 faqe të Anketës së Fuqisë Punëtore të Publikuar së fundmi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Viteve të fundit, ASK ka adaptuar një metodologji standarde të matjes së papunësisë, metodologji e cila është në linjë me metodat e agjencive evropiane të statistikave, por në rastin e Kosovës nuk arrin të pasqyroj të dhënat reale të fuqisë punëtore, e sidomos nivelin e papunësisë.

Papunësia prej 35.3% është e lartë, por në realitet kjo shifër është dukshëm më e lartë.

Problemi kryesor me metodologjinë e ASK gjendet tek kriteri i cili ndan personat në moshë të punës në persona aktiv dhe jo aktiv. Një anketë e cila nxjerr mbi 58% të personave në moshë të punës si persona jo aktiv, ka probleme në metodologji të përllogaritjes. Në një vend me stad të zhvillimit kaq të ulët siç është Kosova, me një pjesë të madhe të popullsisë që jeton në varfëri, kush nuk do të donte të punonte?

Si persona jo aktiv në tregun e punës klasifikohen të gjithë ata të cilët kanë statusin e studentit, kanë pasur ndonjë të hyrë në javën e fundit kur është anketuar, nuk është duke kërkuar punë aktivisht, etj.

Në Kosovë janë rreth 70 mijë studentë. Pjesa më e madhe e tyre vazhdojnë studimet në mungesë të një vendi të punës. Një pjesë e vogël e studentëve janë edhe në marrëdhënie të punës. Nëse një student në marrëdhënie të punës llogaritet si i punësuar, përse një student i pa punë nuk llogaritet si i papunësuar? Përjashtimi i të gjithë studentëve nga tregu aktiv i punës është gabim në metodologjinë e ASK. Kjo bie ndesh edhe me rregullat e ILO për përllogaritjen e papunësisë.

Sipas të dhënave nga Qendrat Komunale të Punësimit, shkalla e punësimit nga këto qendra është mesatarisht 5.6%. Shkalla e punësimit të femrave punëkërkuese është 3.7%. Është e arsyeshme që shumë nga punëkërkuesit të mos kërkojnë punësim përmes Qendrave të Punësimit, kur punësimi nga këto qendra thuajse është i pavërejtshëm. E në anën tjetër, sipas ASK, nuk konsiderohesh si i papunë nëse nuk dëshmon se je duke kërkuar punë përmes këtyre qendrave!

Mënyra më e drejtë për të llogaritur papunësinë, është duke filluar nga e kundërta: nga punësimi.

Në marrëdhënie pune janë 323 mijë e 508 persona, apo vetëm 27% e popullsisë në moshë të punës. Kjo i bie se përafërsisht një në gjashtë banorë janë të punësuar. Apo, një person i mban me pagë edhe pesë të tjerë. E në anën tjetër paga mesatare është 350 euro.

Nga këta 323 mijë të punësuar, 81 mijë prej tyre kanë punësim të paqëndrueshëm, ose punësim pa kontratë, pa pagë, punësim familjar, të vetëpunësuar, etj. Nga kjo del se vetëm 242 mijë e 508 persona kanë punësim të qëndrueshëm, apo 20% e atyre që janë në moshë të punës.

Numri prej 242 mijë të punësuarve me punë të qëndrueshme përputhet edhe me të dhënat për kontribut paguesit në Trustin e Kursimeve Pensionale.

Në sektorin publik, marë së bashku nivelin qendror, atë lokal dhe ndërmarrjet publike, janë të punësuar mbi 95 mijë persona. Nëse krahasojmë me numrin total të të punësuarve, del se 1/3 e të punësuarve janë në sektorin publik –  një anomali e jashtëzakonshme e tregut të punës. Politikat e gabuara qeveritare të punësimit dhe rritjes së pagave në sektorin publik, kanë ndikuar dukshëm në humbjen e vendeve të punës në sektorin privat. Vetëm në 2014 kanë humbur mbi 14 mijë vende të punës.  

Sipas Daniel Patrick Moynihan, “çdo kush ka të drejtë të kapet pas interpretimeve që don, por të gjithë duhet ti bindemi fakteve”. Anketa e ASK ka ofruar fakte të bollshme, interpretimi i këtyre fakteve mund të marr forma të ndryshme. Interpretimi im për të dhënat e fuqisë punëtore është se vetëm 20% e popullsisë në moshë të punës kanë një vend pune të qëndrueshëm. Por kjo nuk nënkupton se papunësia është 80%, apo sipas ASK 35.3%. E vërteta është diku në mes të këtyre dy shifrave.