Të Jetosh për të Ngrënë

“Ushqehu për të jetuar, mos jeto për tu ushqyer” është një ndër thëniet më të popullarizuara, në shumë vende të botës! Sikurse me shumë thënie të tilla mjaft të përhapura, është e vështirë të identifikohet autori i saktë i saj. Meritat për këtë thënie dikush ja njeh Molierit, e dikush tjetër Benjamin Franklin-it.

Por, kushdo qoftë autor i saj, kjo ishte thënia e parë që mu kujtua kur lexova raportin më të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Rezultatet e Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare për vitin 2014. Sipas këtij raporti, konsumi i ekonomive familjare dhe konsumi për kokë banori më 2014 është dukshëm më i ulët se sa ai i 2013.

Mirëpo, këtu nuk qëndron problemi kryesor. Edhe po të binte më drastikisht konsumi apo të qëndronte në nivele të njëjta, kjo nuk do të duhej të paraqiste aq shqetësim të madh, edhe pse është një indikator mjaft i rëndësishëm i cili tregon se fuqia blerëse e qytetarëve të Kosovës është duke rënë, e jo duke u rritur ashtu siç pretendon Qeveria e Kosovës. Ajo çfarë është më shqetësuese është struktura apo grupet e konsumit.

Sipas anketës, 44% e konsumit të qytetarëve shkon për ushqim dhe pije joalkoolike. Kur i shtohet kësaj shifre edhe 28% e shpenzimeve që shkon për banim, 4% për veshmbathje dhe 3% për shëndetësi, del se 80% e konsumit të një familjeje mesatare kosovare shkon për mbijetesë. Sa për krahasim, sipas të dhënave të paraqitura nga Byroja Amerikane e Statistikave të Punës, një qytetar amerikan nuk ka shpenzuar 80% për ushqim, veshmbathje e banim as 100 vite më parë.

Përderisa në dy vitet e kaluara, qytetarët e anketuar kanë raportuar se së paku 1% të konsumit të tyre shkon për aktivitete rekreative, më 2014 shpenzimet për rekreacion nuk arrijnë as 1%. Mbi 70% e të anketuarve janë shprehur se nuk mund të përballojnë një pushim një javorë jashtë shtëpisë. Vetëm 2% e shpenzimeve bëhen në restorante dhe 1% shkon për edukim.

Më tutje, gjithnjë sipas anketës së ASK, mbi 80% e familjeve në Kosovë përballojnë me vështirësi një shpenzim të papritur prej 500 eurosh. Pjesa më e madhe e familjeve përballen me vështirësi të mëdha financiare, kur ju duhet të blejnë drutë për ngrohje, pagesat më të larta të tarifat dimërore të energjisë, regjistrimin e automjetit apo ndonjë shpenzim i papritur për shkaqe shëndetësore.

Këto të dhëna tregojnë më së miri se edhe familjet të cilat kanë së paku një të punësuar, përballen me probleme të mëdha jetese, pothuajse sikurse ata të cilët gjenden në skema sociale. Këto të dhëna të konsumit të familjeve kosovare, janë dëshmia më e mirë se përse edhe ata individë të cilët janë të punësuar, marrin rrugën e emigracionit, për të siguruar një pagë dhe jetë më të mirë, e cila u siguron pak më shumë se sa vetëm ushqim, veshmbathje e banim.

Politikat e reja fiskale të iniciuara nga Qeveria e Kosovës, të cilat parashohin përshkallëzim të TVSh, duke ulur atë për produktet bazë ushqimore dhe duke e rritur për produktet tjera, vetëm se do ta rëndojnë edhe më tepër konsumin e familjeve mesatare kosovare. Sipas një analize të GAP për impaktin ekonomik të politikave të reja fiskale, ndryshimet në TVSh pritet të rrisin çmimet e konsumit për së paku 1%.

Anëtarët e një shoqërie, të cilët angazhohen për të siguruar bukën e gojës dhe strehimin, lehtë shndërrohen në viktima të pambrojtura të shkeljeve të lirive tjera. Një shoqëri që lufton për mbijetesë, do ta ketë të vështirë që të edukoj gjeneratat e reja me arsim cilësor, të siguroj shërbime cilësore shëndetësore, të kaloj pak kohë në aktivitete zbavitëse, apo të angazhohet në jetën politike të vendit.

Të dhëna si këto, nuk duhet të shërbejnë vetëm si lajm një ditorë për gazeta, por duhet të shërbejnë si bazë për politikat e qeverisë. E këto politika duhet të orientohen drejt rritjes së fuqisë blerëse të qytetarëve, më shumë se sa uljen e taksave dhe tatimeve për bizneset. Përkundër asaj se taksat e ulëta për biznese janë element i rëndësishëm i të bërit biznes, sipas Raportit të Zhvillimit Global të Bankës Botërore, taksat nuk janë elementi kyç në inkurajimin e investimeve, ashtu siç po pretendon Qeveria e Kosovës përmes ndryshimt të politikave fiskale.