Kutia e Ndershmërisë

Në librin e Daniel Kahneman “Të menduarit shpejtë dhe të menduarit ngadalë”, pasqyrohet ky shembull i cili dëshmon ndryshimin e sjelljes së njerëzve nën vëzhgim:

Në një universitet britanik, për shumë vite ekzistonte bufeja e përbashkët për stafin akademik. Profesorët mund të shërbeheshin në bufe dhe të paguanin aq sa u a merrte mendja se duhet të paguajnë për ushqimin e konsumuar. Kontributi i tyre jepej në baza vullnetare, në një kuti e cila quhej “kutia e ndershmërisë”. Për kutinë nuk kujdesej askush.

Studiuesit e universitet vendosën të bënin një eksperiment. Për 10 javë me radhë, mbrapa “kutisë së ndershmërisë” u vendosën posterë të ndryshëm: një javë posteri kishte motive nga natyra, kurse javën tjetër posteri kishte një fytyrë njeriu e cila shikonte nga ata të cilët kontribuonin në “kutinë e ndershmërisë”.

Pas dhjetë javësh, studiuesit arritën tek këto rezultate: në javët kur mbrapa “kutisë së ndershmërisë” ishte vendosur një poster me motive nga natyra, kontributi i stafit akademik në “kutinë e ndershmërisë” ishte tri herë më i ulët, se sa në javët kur posteri përmbante një fytyrë njeriu e cila shikonte kah kutia.

Kontribuuesit në “kutinë e ndershmërisë” ishin intimiduar, duke kontribuar më shumë me para, pa e ditur shkakun e kësaj sjelljeje. Ky dhe studime të shumta të kësaj natyre kanë dëshmuar se njeriu ndryshon sjellje në rast se ai ka përshtypjen, qoftë edhe në ndërdije, se është duke u vëzhguar.

Ky shembull mu kujtua kur pash rezultatet e grumbulluara nga Instituti GAP për shpenzimet e zyrtarëve publik për dreka zyrtare. Mirëpo, për dallim nga rezultatet e studimit të mësipërm, të dhënat për shpenzimet nga zyrtarët publik dëshmonin krejt të kundërtën.

Tani e 13 vite, prej kur Kosova aprovon buxhetin e saj shtetërorë, edhe më tutje nuk ekziston një sistem i cili lidh shpenzimin financiar me personin zyrtar përgjegjës për atë shpenzim. Ose thënë më mirë, një sistem i tillë ekziston, por ai nuk bëhet publik. Përgjatë gjithë këtyre viteve, zyrtarët e lartë publik janë fshehur mbrapa vijave të trasha buxhetore.

Praktika e gjertanishme ka qenë kjo: harxho sa të mundesh në dreka zyrtare, vozit kah të mundesh me automjet zyrtar, bisedo sa të mundesh me telefon zyrtar, udhëto kudo që ke mundësi të sigurosh një ftesë zyrtare, ngase në fund, në raportet buxhetore, krejt ajo çfarë do të raportohet do të jetë “dreka zyrtare”, “karburant për vetura zyrtare”, “mëditje të udhëtimit”, “shpenzime të komunikimit”. Emri yt nuk do të përmendet askund. Si zyrtar publik, ti je vetëm një “vijë buxhetore”.

Me idenë se ndërlidhja e emrit të personit publik me shpenzimin që ai bën përgjatë punës së tij, do të ndryshoj sjelljen e zyrtarëve publik dhe do të ul shpenzimet e panevojshme, Instituti GAP që nga 2011 publikon të dhëna të detajuara për shpenzimet për dreka zyrtare, telefona zyrtar, karburant për vetura dhe në një masë më të vogël edhe mëditje të udhëtimeve.

Javën e kaluar publikuam të dhënat për drekat zyrtare të 2014 dhe do të vazhdojmë me publikimin e të dhënave të detajuara edhe për kategoritë e tjera të shpenzimeve.

Të dhënat treguan se përkundër asaj se ishte vit zgjedhor dhe se për gjysmë viti kishte ngërç institucional e qeveria në largim ishte e kufizuar në veprimet e saj, shpenzimet për dreka zyrtare ishin më të larta se sa një vit më parë. Më 2014 ishte shpenzuar më shumë për dreka zyrtare se sa në secilin vit tjetër nga 2011, kur kishim filluar të monitoronim këto shpenzime.

Përkundër besimit dhe studimeve të shumta se sjellja e individëve është më e kujdesshme në rast se ata vëzhgohen, shpenzimet për dreka zyrtare nuk po e dëshmojnë një gjë të tillë. Përjashto disa raste të vogla individuale, ku publikimi i të dhënave për shpenzimet e këtyre kategorive ka rënë dukshëm, në nivel të përgjithshëm duket se ka pasur një rritje të shpenzimeve në këto kategori.

Tani, duhet rishikuar studimet e psikologjisë së sjelljes, apo diçka nuk është në rregull me zyrtarët tanë shtetërorë dhe me qeverisjen në këtë vend?

Sjellja kaq e papërgjegjshme ndaj parasë publike mund të shpjegohet në dy mënyra: paaftësia e organeve gjyqësore për të ndëshkuar keqpërdoruesit e parasë publike ka larguar frikën nga ndëshkimi ligjor; si dhe, reagimi i zbehtë i opinionit publik, sidomos në rastet e votimeve, ka bërë që zyrtarët publik mos ti frikohen as ndëshkimit moral.

Ajo çfarë mbetet shqetësuese është aftësia tjetërsuese e sektorit publik, tjetërsim për të keq. Ata zyrtarë publik të cilët nuk qajnë kokën edhe kur emri i tyre ndërlidhet direkt me shpenzimet e pandershme dhe jo ligjore, ata zyrtarë kanë humbur sensin e shërbyesit publik dhe vëzhgimi nga jashtë nuk ju lë përshtypje fare.

Për këta zyrtarë publik ne nuk jemi as “poster vëzhgues”, e lëre më qenie të cilat kontribuojnë me taksa në atë “kuti” të quajtur buxhet. Kuti e cila mbushet me taksat nga puna e ndershme e qytetarëve, e shpenzohet në mënyrën më të pandershme nga zyrtarët publik.