Pse 100 ditë?

Tani më është bërë traditë që në Kosovë çdo qeverisje e dalë pas zgjedhjeve të vlerësohet pas 100 ditëve të para të mandatit të saj. Por, përse pikërisht 100 ditë?

Frenklin D. Roosevelt, presidenti i 32 amerikan, më 1933 qeverisjes së tij ia vuri një qëllim: gjatë sesionit të punës së Kongresit Amerikan, në mes të marsit dhe qershorit, Presidenti do të përpiqej që të kaloj legjislacionin e nevojshëm me qëllim të nxjerrjes së vendit nga depresioni. Pas 100 ditësh, Roosevelt kishte arritur që të kaloj gjithë legjislacionin e nevojshëm për të krijuar reforma në vend. Ky njihet edhe si 100 diti më i efektshëm i ndonjë nga presidentët amerikan.

Pas Roosevelt, të gjithë presidentët amerikan e ndoqën këtë rregull të pashkruara: në 100 ditët e para të qeverisjes së tyre, ata do të marrin vendimet më të mëdha dhe do të përpiqen të kalojnë në Kongres e Senat legjislacionin më të rëndësishëm. Barack Obama, pikërisht për shkak të aktivitetit dhe vendimeve të tij në ditët e para të mandatit qeverisës, fitoi edhe çmimin Nobel për Paqe.

Në vendet tjera, pragu prej 100 ditësh më shumë shfrytëzohet nga mediat, partitë opozitare dhe monitoruesit e qeverisjes, se sa nga vetë qeveritë.

Njëqind ditët e para të qeverisjes po ashtu janë edhe 100 ditët të cilat lejojnë hapësirë për të qeverisur më së lehti. Qeveritë e reja, të dala nga zgjedhjet, me aurën e fituesit dhe premtimeve për ndryshim, gëzojnë besimin e qytetarëve, mediave, shoqërisë civile dhe përballen me rezistencë më të vogël nga ana e partive opozitare. Rrjedhimisht, përgjatë këtyre ditëve, qeveritë e reja gëzojnë “muajin e tyre të mjaltit.”

Kjo javë shënoi 100 ditët e para të qeverisë së udhëhequr për herë të parë nga LDK dhe Kryeministri Mustafa. Njëqind ditët e para të z.Mustafa më shumë ngjasojnë si vazhdimësi edhe për 100 ditë të tjera të qeverisjes së kaluar, se sa si mënyrë e re e qeverisjes 100 ditëshe.

Njëqind ditët e para kanë kaluar pa plan qeverisës. Aktiviteti i gjertanishëm qeverisës bazohet në një buxhet shtetërorë të aprovuar disa ditë para se të formohej Qeveria e re. Agjenda legjislative e Qeverisë për 2015 është në masë të madhe ajo agjendë legjislative e 2014, e cila nuk arriti të implementohet për shkak të zgjedhjeve nacionale dhe ngërçit politik disa mujor.

Secili lider politik së paku është munduar që 100 ditëshin ta shfrytëzoj në maksimum. Ramush Haradinaj dhe partia e tij ende e kujtojnë 100 ditëshin e parë (dhe të vetëm) të qeverisjes së tij. Ditët e para të qeverisjes së Hashim Thaçit pas zgjedhjeve të 2007 u pëlqyen nga ane e publikut për shkak të vendimeve të rëndësishme që u morën atë kohë. Qeverisja e Hashim Thaçit i kaloi shtatë vite në qeverisje duke i shkelur të gjitha ato vendime të 100 ditëve të para, por së paku kishte një tendencë për të lënë shenjë në qeverisjen e re, duke distancuar veten nga qeverisja e kaluar.

E qeverisja e LDK me në krye z.Mustafa nuk e ka distancuar veten nga qeverisja e kaluar. Pranimi i koalicionit me PDK dhe qeverisja e gjertanishme vetëm se kanë amnistuar qeverisjen e kaluar.

Përkundër asaj se ministrat e LDK në këtë Qeveri shprehen se në ministritë që ata kanë trashëguar kanë gjetur shumë keqpërdorime, ende në asnjë rast nuk është ftuar prokuroria që të filloj hetimet.

Përjashtimisht dy veprimeve të cilat mund të klasifikohen si veprime të duhura, siç janë rezistenca për të mos rritur pagat për shërbyesit publik dhe falja e borxheve për kategoritë sociale, përgjatë këtyre 100 ditëve nuk mund të kujtohen ndonjë vendim tjetër konkret.

Qeverisja e gjertanishme Mustafa është përballur me shumë probleme gjerë më tani. Por këto probleme janë pasojë e mënyrës së qeverisjes. Një qeverisje e cila nuk është proaktive dhe nuk shtyn para agjendën e saj qeverisëse, detyrimisht do të gjej vetëm në pozitë reaktive: duke u munduar të trajtoj problemet dhe kërkesat që i drejtohen në adresë së saj.