Mallkimi i Parasë Publike

Zig Zag Orchestra ishin një ndër grupet më simpatike dhe më të suksesshme muzikore, me një stil të veçantë të të bërit muzikë. Ata u ngritën shpejt në skenën muzikore. Deri në momentin e rënies. E ky moment erdhi kur ata u subvencionuan me një shumë të konsiderueshme parash nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Kjo ministri, subvencionimin e kishte bërë në konton personale të liderit të grupit, i cili, sipas anëtarëve të tjerë të grupit, keqpërdori 3 mijë e 200 euro.

Disa persona nga Gjilani, kishin ndërmarrë një nismë që të ecnin këmbë deri në Bruksel, për të kërkuar liberalizim të vizave për kosovarët. Ky grup u emërtuan si “Shtegtarët e Lirisë” dhe me 3 mijë euro të kursyera nga vetë ata, morën rrugë këmbë për Bruksel. Ende pa mbërritur në Kroaci, Ministria e Kulturës i subvencionoi edhe me 1 mijë e 500 euro. Dhe këtu filloi rrugëtimi i mbrapshtë. Këto subvencione u transferuan në konton e njërit nga anëtarët e grupit, i cili, sipas anëtarëve të tjerë të grupit, i keqpërdori dhe ndërpreu rrugëtimin e tij duke i lënë të vetëm të tjerët të vazhdojnë.

Për aktivitetin patriotik të Adem Demaçit nuk ka nevojë të shkruaj në këta pak rreshta, ngase veprimtaria e tij politike është e njohur për të gjitha grupmoshat e shoqërisë. Adem Demaçi ishte një nga kritikët më të njohur si ndaj okupimit serb në Kosovë, ashtu edhe ndaj të gjitha qeverive të pas luftës. Ai kritikoi edhe Hashim Thaçin për negociatat e Vjenës, madje mori pjesë edhe në protestat e Vetëvendosjes. Kjo ndodhi deri kur Qeveria e subvencionoi me një pension dhe veturë zyrtare. Atëherë, kritika e Adem Demaçit u “korruptua”, u anua dhe paraqitja publike e Demaçit viteve të fundit është qesharake.

Njësoj si me Adem Demaçin, edhe për veprimtarinë letrare dhe politike të Rexhep Qosjes dimë të gjithë. Edhe pse shumë thonë se Rexhep Qosja rënien e tij si figurë publike e ka filluar qysh nga pas lufta, unë them se kësaj duhet t’i ketë kontribuar edhe subvencioni që ai mori nga Ministria e Arsimit për financimin e botimeve të librave të tij. Pas marrjes së këtij subvencioni, Rexhep Qosjes i dukej gjithçka mirë në Kosovë. Tërë të këqijat për shqiptarët në Ballkan, sipas Qosjes, vinin nga Shqipëria e Sali Berishës dhe nga Parisi ku jetonte Kadare. Rënia e figurave të Demaçit e Qosjes ka të bëjë edhe me moshën e tyre të shtyrë, por subvencioni nga shteti ka ndihmuar pak në këtë rënie.

Në vitin 2007, një nga aktorët më të mirë të gjeneratës së re të aktorëve, Armond Morina, u subvencionua nga Ministria e Kulturës me një shumë prej 350 mijë eurosh, shumë me të cilën “Morina Films” do ta shfrytëzonte për xhirimin e filmit “Mysafir në Sofër”. Filmi asnjëherë nuk u xhirua. Armond Morina dhe studioja e tij filmike u akuzuan për keqpërdorim të mjeteve. Armond Morina u zhduk nga skena e teatrit dhe televizionit.

Cila është e përbashkëta e këtyre rasteve dhe shumë rasteve si këto?

Se paraja publike, e menaxhuar dhe e dhënë pa kontroll, korrupton. Duke parë me vite të tëra se si institucionet publike keqmenaxhojnë me paratë publike, duke marr kush sa të mundet, edhe akterët jashtë institucioneve kanë krijuar një përshtypje se kjo është mënyra se si duhet trajtuar paranë publike.

Në shumë raste subvencionimi shtetëror është përdorë dhe përdoret për të influencuar grupe e individ; për të mbështetur shokët e shoqet e zyrtarëve ministrorë apo komunal. Mjafton t’i hidhni një sy raporteve të Auditorit të Përgjithshëm për të kuptuar nivelin e keqpërdorimeve me kategorinë e subvencioneve buxhetore.

Shumë vite më parë, kur Astrit Haraqia udhëhiqte me Ministrinë e Kulturës, kishte sponzorizuar me 15 mijë euro një spot të këngëtares Arbërie Hadërgjonaj. Pas kritikave të opinionit publik, ish ministri ishte shprehur se kështu i ka shpenzuar edhe “paret e babës, e lëre më të shtetit”.

Edhe pse shumë zyrtarë publik pas Haraqisë nuk kanë qenë aq sharlatan në deklarimet e tyre publike, mënyra e funksionimit duket të jetë e njëjtë: shfrytëzimi i parasë së shtetit si paret e babës. Madje, shumë më keq se paratë e babës. Por, përderisa këta ministra e zyrtarë ministror mund të kenë baballarë që u’a kanë toleruar këtë mënyrë të menaxhimit të financave në familjet e tyre, ky menaxhim financiar në shtet do të duhej të ishte i dënueshëm. 

Andaj, përveç zyrtarëve publik që mbajnë përgjegjësi për dhënien e subvencioneve pa kriter, edhe marrësit e këtyre subvencioneve dhe mënyra se si ata i përdorin subvencionet, do të duhej të ishte e dënueshme nga ana e institucioneve përgjegjëse.