Metamorfoza Politike

Asnjëherë nuk më ndalet së rikthyeri në kujtesë një nga thëniet më adekuate e cila përshkruan degradimin moral të një shoqërie: “Dëshpërimi më i rëndë që mund t’i bjerë një shoqërie është kur atë e kap dyshimi se të jetosh ndershmërisht është një punë e padobishme. Dhe ky dëshpërim e ka kapluar vendin tim prej shumë kohësh”. 

Kjo thënie e shkrimtarit italian Corrado Alvaro, e thënë në shekullin e kaluar për shoqërinë kalabreze, po i përshtatet gjithnjë e më shumë shoqërisë sonë.

Ajo çfarë ka ndikuar më së shumti në degradimin moral të shoqërisë kosovare, është sistemi politik. Koalicioni i javës së kaluar është kulmi i një degradimi moral politik.

Sa e sa liderë të partive politike, pjesëtarë partish, zyrtarë publikë, i keni parë të ndryshojnë qëndrime përgjatë këtyre viteve dhe të sillen në mënyrën më të ndytë të mundshme. Metamorfoza është term biologjik i cili përshkruan procesin se si rriten, zhvillohen dhe ndryshojnë kafshët e caktuara. Metamorfoza politike është proces se si transformohen figurat politike, brenda një kohe të shkurtër, para syve të të gjithëve.

E sa e sa figura politike kemi parë përgjatë këtyre viteve të transformohen, të ndryshojnë bindje, të hanë fjalët, të mashtrojnë mbështetësit e tyre. E në shumicën e rasteve ky transformim ka ndodhur më shumë në kah të gabuar, sesa transformim në kah të drejtë.

Por, metamorfoza më e madhe politike ka ndodhur në figurën e liderit të LDK-së, Isa Mustafës. Një profesor i respektuar nga shumë e shumë gjenerata të studentëve. Anëtar i Akademisë së Shkencave për një kohë të gjatë. Një figurë politike e cila e mori mbështetjen më të madhe të votuesve pikërisht për shkak akuzave të tij të hapura ndaj strukturave të SHIK-ut në fushatën zgjedhore lokale të 2009-ës, kur ai arriti të fitojë që në raundin e parë të zgjedhjeve. 

I ardhur në krye të partisë më të madhe opozitare pikërisht si formë e revoltës ndaj ish-liderit të LDK-së Fatmir Sejdiu dhe nënshtrimit të tij ndaj PDK-së. Nismëtar i rezolutës parlamentare për shpërbërjen e parlamentit, pikërisht me arsyetimin për të shkurtuar mandatin e një qeverisjeje të keqe të PDK-së. I hyri garës zgjedhore për Kryeministër në zgjedhjet e sivjetme parlamentare pikërisht duke kërkuar përqendrim të votës në partinë e tij me qëllim që të arrijnë të largojnë nga pushteti PDK-në, si parti e cila, në fjalët e tij dhe partisë së tij, është e keqja më e madhe që i ka ndodhur Kosovës në këto vitet e pasluftës.

Si kryetar partie për gjashtë muaj pas zgjedhjeve të 8 qershorit 2014 ishte konstant në media me kritikat e tij për bllokuesit dhe zaptuesit e shtetit, duke mos pranuar as të takohet me kreun e PDK-së. 

Rezultati? E kundërta e krejt kësaj. Një ditë qytetarët zgjohen me lajmin se Isa Mustafa dhe partia e tij kanë arritur marrëveshje për të qeverisur pikërisht me ata individë të cilët ai i ka kritikuar përgjatë tërë karrierës së tij. Marrëveshje për ndarje të pushtetit 50-50.

Çfarë sinjali dërgon kjo te studentët e tij? Votuesit e tij? Qytetarët e ndershëm të këtij vendi? Pikërisht ai sinjal të cilin përshkruante Corrado Alvaro, se të jetuarit ndershëm në këtë shoqëri është diçka që nuk ia vlen. Diçka që nuk shpërblehet.

Si mund të arsyetohet një metamorfozë kaq e madhe, me të cilën nuk krahasohet as metamorfoza që përjeton Gregori në librin e Kafkës, trupi i të cilit shndërrohet në një zvarranik, i cili nuk mund të durohet as nga familja e tij? 

Pikërisht sjelljet e liderëve partiakë si kjo e Isa Mustafës dhe partisë së tij, kanë ndikuar në degradimin e shoqërisë në përgjithësi. Ja një shembull: Nuk kishte asgjë më irrituese sesa saga e “Shtegtarëve të Lirë”, një grup qytetarësh badihavxhinj, të cilët ndërmorën një nismë që të ecnin këmbë nga Gjilani e deri në Bruksel, si shenjë proteste dhe fushate lobimi për liberalizimin e vizave dhe lirinë e lëvizjes së kosovarëve në Evropë. 

Nisma e tyre mori mbulueshmëri të gjerë mediash, edhe pse nisma të tilla janë aq banale e aq të parëndësishme dhe nuk arrijnë asnjë efekt. Por, rrugëtimi i tyre, sado simbolik e i parëndësishëm, doli të jetë ilustrimi më i mirë i tërë asaj që na ka kapluar si shoqëri. 

“Shtegtarët” u përballën me problemin e parë të lirisë së lëvizjes, edhe atë brenda vendit të tyre: ata u rrahën nga një grup serbësh në qytezën e Graçanicës. Pasi arritën të kalojnë pengesën e parë të lirisë së lëvizjes, prijësi i grupit u desh të kthehej nga Kroacia, pasi që nuk kishte arritur të marrë vizë Shengen për shkak të një ndalese nga shteti zviceran. 

“Shtegtarët” kishin filluar rrugëtimin me 3.000 euro, të cilat i kishin harxhuar në çerekun e rrugës së tyre. Ministria e Kulturës i subvencionoi edhe me 1.500 euro, të cilat u zhdukën brenda anëtarëve të grupit. Përveç që janë përçarë për para, tani “shtegtarët” nuk po mund të merren vesh nëse duhet vazhduar rrugëtimin, ose duhet kthyer dhe nëse pajtohen të vazhdojnë, nuk po arrijnë pajtim se a duhet vazhduar në këmbë, apo me mjete motorike?!

Nga një rrugëtim për lobim për të liberalizuar vizat, ky grup i kosovarëve u shndërrua në argumentin më të mirë të të gjithë atyre që kundërshtojnë liberalizimin e vizave. 

Përse “Shtegtarët” të jetojnë ndershëm, kur akademik Mustafa luan pandershëm? Përse një mësues në një fshat të thellë të Kosovës të sillet ndershëm, kur akademiku Mustafa posa kreu metamorfozën më të madhe politike?

Është gabim të mendohet se në politikë nuk duhet të ketë moral. Gabim i madh të mendohet se politika është mënyra e arritjes së qëllimeve me çdo kusht. Aristoteli e kishte klasifikuar politikën si nënën e të gjitha profesioneve. Politika është ajo që vendos se çfarë ushqimesh konsumojmë, çfarë edukimi marrim, në çfarë ambientesh banimi jetojmë.

E një politikë pa moral, një koalicion qeverisës pa parime, një metamorfozë e tillë politike, do të ndikojë direkt në jetën e shoqërisë në përgjithësi, në atë se si do të sillet çdo mësues, nxënës, student, mjek, biznesmen, gjykatës, shërbyes civil