A Mjaftojnë 118 Milionë Euro?

Një muaj më parë, i gjendur përballë presionit të opinionit publik për faktin se djemtë e tij kishin fituar tender nga zyra që ai drejton, Kryeministri u shpreh se “nuk është në zor për 2.900 euro, por është në zor për më shumë”.

Pyetja ime për Kryeministrin është se a mjaftojnë 118 milionë euro?

Kaq është shuma e keqpërdorimeve të parasë publike të evidentuara nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm për pasqyrat financiare të 2014, e të përmbledhura në disa infografika nga Instituti GAP.

Nga 869 milionë euro të Buxhetit të Shtetit që janë audituar më 2014, del se plotë 118 milionë euro janë shpenzuar në rrugë jo ligjore.

Kjo është e barabartë me 13.5 për qind të buxhetit të audituar.

E deri tek këto miliona euro keqpërdorime ka ardhur pikërisht duke keqpërdorur me dhjetëra tenderë të atyre shifrave për të cilat Kryeministri nuk i vlerëson si pare.

Më 2014, keqpërdorimi më i vogël i identifikuar ishte 337 euro, kurse ai më i larti 3.3 milion euro.
 
E pikërisht kjo logjikë se “çka janë 2.900 euro, se me to nuk bëhesh shpi”, sjellin së paku njëqind milionë euro keqpërdorime në vit.

Një ndër institucionet më të pavarura dhe më profesionale ka qenë Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.

Mirëpo, lufta e partive politike, se i besuari i cilës parti të udhëheq më këtë zyre, ka lënë këtë institucion pa udhëheqës për më shumë se një vit.

Ishte pikërisht partia e Kryeministrit ajo që bllokoi në Kuvend propozimin e Presidentes për Kryeauditorë.

Të gjithë ata shefa të prokurimeve e zyrtar të lartë institucionesh vazhdojnë të mbajnë pozitat zyrtare dhe të përsërisin keqpërdorimet nga viti në vit. E prokuroria dhe gjykatat nuk merren me të gjeturat e Auditorit.

E deri atëherë kur raportimet e Auditorit të merren seriozisht nga organizatat buxhetore e gjykatat, ne do vazhdojmë të lexojmë për çdo ditë lajme se si djemtë e vajzat fitojnë tender nga zyra e prindit, e prindërit fitojnë tender nga zyra e fëmijëve të tyre.