Rebelët lirojnë katër pengje të OSBE-së në Ukrainë

Separatistët pro-Rusë kishin ndaluar tetë vëzhguesit e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, një organizatë e rëndësishme e sigurisë dhe e drejtave të njeriut, e cila kishte marrë si detyrë monitorimin e marrëveshjes të hartuar në Zvicër në muajin prill për të ulur tensionet në mes të rebelëve dhe liderëve në Kiev, raporton Reuters.

Të katër vëzhguesit nga që vijnë nga Zvicra, Turqia, Estonia dhe Danimarka, janë dërguar nga rebelë të armatosur rëndë në një hotel në qendër të Donteskut, ku u janë dorëzuar kolegëve të tyre.  Katër të tjerët mbetën të zënë rob në regjionin fqinj të Doneteskut, Luhanks.

“Ka qenë rrugë e gjatë dhe ky lirim është fryt i qëlimit të mirë dhe po ashtu është bërë pa kushte,” ka thënë Alexandar Borodai, kryeministër i të vetëshpallurës Republika Popullore e Donteskut.

“Po shpresoj se ne do të mund të lehtësojmë edhe lirimin e vëzhguesve tjerë të mbetur.”

Lirimi i katër vëzhguesve ka qenë pjesë e konsultimeve ndërmjet lehtësuesve nga qeveria e Kievit, OSBE-ja,  Rusia dhe udhëheqësit e rebelëve.

Armëpushimi i arritur në mes të qeverisë dhe kryengritësve pritet të skadojë të premten, por ky armëpushim ka pasur një numër të shkeljeve, përfshirë edhe rrëzimin e një helikopteri ukrainas këtë javë, që për pasojë kishte vdekjen e nëntë personave që ishin në bord.

Në anën tjetër, Kryesuesi i Radhës i OSBE-së që njëkohësisht është edhe Ministër i Jashtëm i Zvicrës, Didier Burkahlter, ka shprehur mirënjohjen e tij për të gjithë që ndihmuan në lirimin e pengjeve, dhe ka kërkuar lirimin e pengjeve të mbetura sa më shpejtë, thuhet në një deklaratë të lëshuar për media nga OSBE.

Shkrimi është bazuar në raportimet e Reuters.