Largohet Kioska e Fundit e “Rojeve të Urës” [Ekskluzive]

Heqja e objektit – praktikisht një kioskë – nënkupton se pika 13 e komponentit të marrëveshjes së integrimit të së ashtuquajturës “Mbrojtjes Civile” serbe është përmbushur.

Marrëveshja, fillimisht parashikonte që të tre pikat e vëzhgimit të hiqeshin brenda 20 prillit të këtij viti.

Struktura iu dorëzua Policisë së Kosovës, të cilët menduan se do ta përdornin, por pastaj vendosën ndryshe.

Më herët këtë muaj, ministrja për Dialog, Edita Tahiri, njoftoi se 105 anëtarë të “Mbrojtjes Civile” ishin integruar në institucionet relevante të Kosovës.

Sipas marrëveshjes, Beogradi i dorëzoi Prishtinës një listë prej 751 personash për t’u përfshirë. Nga këta, qeveria e Kosovës u pajtua të krijojë 483 vende pune.

I kontaktuar nga KALLXO.com, këshilltari politik i ministres Tahiri, Dren Zeka, shpjegoi largimin e këtij objekti.

Zeka tha se marrëveshja për shuarjen e të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile”, e arritur më 26 mars 2015, në pikën 13 të saj, ka paraparë që tre pikat e vrojtimit nga rruga Mitrovicë për në Jarinjë të largohen dhe pika vëzhguese e vendosur në pjesën veriore në urën kryesore të Mitrovicës t’i dorëzohet Policisë së Kosovës.

“Më 11 qershor 2015 është bërë heqja e tre pikave të vrojtimit në mes të rrugës Mitrovicë-Jarinjë, përkatësisht në Jarinjë, Leposaviq dhe në dalje të rrugës nga komuna veriore e Mitrovicës”, tha Zeka.

“Pas dorëzimit tek Policia e Kosovës më 11 gusht të pikës vrojtuese që gjendet në urën kryesore të Mitrovicës, sot më 14 shtator 2015 u bë edhe heqja”, shtoi ai.

Largimi i pikës së fundit të vrojtimit filloi fiks në orën 5 pasdite. Një grumbull njerëzish ishin mbledhur për të parë. Pika në fjalë përbëhej nga vetëm një kioskë.