Kosova B Bie për Herë të Dytë Brenda Dy Muajsh

Si pasojë e kësaj, një pjesë e qytetarëve të Kosovës kanë mungesë të energjisë elektrike gjatë dy ditëve të fundit.

Korporata Energjetike e Kosovës krejt këtë problem po e arsyeton se proceset e operimeve të stabilimenteve që ka trashëguar KEK-u janë të vjetërsuara, komplekse dhe vështirësisht të parashikueshme.

Pavarësisht kësaj, KEK-u përmes një komunikate për media ka njoftuar të hënën se pritet të futet në punë njësia B1 e Termocentralit Kosova B.

“Pritet që nesër në mëngjes njësia B1 te futet në punë, me ç ‘rast edhe prodhimi i energjisë elektrike do të jetë sipas planit”, thuhet në komunikatën e zyrës për Informim të KEK-ut.

KEK-u ka arsyetuar veten në gjithë këtë “kolaps” energjetik.

“Opinioni është në dijeni, nga muaji maj 2013, KEK ka licencë vetëm për prodhim të energjisë elektrike dhe nuk bartë asnjë obligim ligjor karshi konsumatorëve për furnizimin e tyre me energji elektrike”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Madje në komunikatë për media, thuhet se mungesa e energjisë elektrike e dëmton vetëm KEK-un si prodhues.

“Prandaj, mungesa eventuale në prodhim të energjisë dëmton vetëm KEK-un si prodhues, duke marrë parasysh se tarifat  për prodhim të energjisë janë të përcaktuara në bazë të realizimit të balancës vjetore”, thuhet në komunikatën e KEK-ut.

Më 14 korrik të këtij viti KALLXO.com kishte raportuar po ashtu për një problem në pajisje përcjellëse të Termocentralit Kosova B, përkatësisht në njësinë B1 e cila kishte ndërprerë prodhimin.

Aso kohe, drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj ,në një intervistë për KallxoLive nuk la pa lavdëruar edhe punën ekipore të punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje publike ndërsa tregoi se në periudhën gjashtëmujore të vitit 2015 KEK-u ka bërë një punë të mirë.

“Kosova A, ka 9.8 për qind tejkalim të planit në bazë të bilancit ndërsa Kosova B, ka realizuar diku 99 për qind bilancin”, pati deklaruar Gjukaj.

Ndërsa zëdhënësi i KEDS-it, Guri Shkodra tha për Kallxo.com tha se KEK-u që dy ditë ka paralajmëruar kthimin në prodhim të njësisë B1 te KEK-ut por që sipas tij kjo nuk është bërë.

“Me fjalë tjera, pa planifikim paraprak dhe pa paralajmërim, Kosova dje dhe sot është duke u përballur me mungesë prej më shumë se 260 MWh të energjisë elektrike në sistem, mungesë kjo shumë e madhe marrë parasysh limitet në mbulimin e devijimeve për shkak të proceseve në KOSTT si dhe pamundësinë për të importuar në afat të shkurtë kohor”, deklaroi Shkodra.

Ai tha se KEDS nga orët e hershme të mëngjesit është duke bërë të pamundurën që pa planifikim paraprak të importojë energjinë e mjaftueshme për furnizim me energji elektrike.

“Ky proces është i vështirë dhe kërkon kohë dhe përfundimisht varet nga sasitë e disponueshme të energjisë elektrike në rajon që janë të limituara gjatë ditëve të verës”, deklaroi Shkodra.

Shkodra tha se operatori i transmisionit KOSTT, ka paralajmëruar që është duke hyrë në proces të vëzhgimit nga ana e ENTSO, proces ky i rëndësisë së veçantë që mund të rezultojë në anëtarësimin e KOSTT me të drejta të plota në këtë organizatë dhe me plot përfitime tjera për sistemin energjetik në Kosovë.

“Fatkeqësisht, devijimet e mëdha nuk lejohen andaj edhe duke qenë se në Kosovë nuk ka kapacitete rezervë të energjisë elektrike, çdo devijim i paplanifikuar nga prodhimi mund të shkaktojë probleme të mëdha në furnizim”, pohoi zyrtari i KEDS-it.